Hashim Thaçi morri goditjet vdekjeprurëse për karrierën politike nga Josep Borrell i BE-së dhe Shefi i EULEX-it, Lars–Gunnar Wigermark

Hashim Thaçi morri goditjet vdekjeprurëse për karrierën politike nga Josep Borrell i BE-së dhe Shefi i EULEX-it, Lars–Gunnar Wigermark

Gani Qarri

  • 05 November 2020 - 20:15

Shkruan: Gani Qarri

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka hedhur poshtë si të papranueshme kërkesën e Thaçit dhe ka kërkuar nga paneli i Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë çështjen duke pasur parasysh rëndësinë e ruajtjes së Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar si një Gjykatë e paanshme e krijuar sipas ligjit. Në anën tjetër edhe vet Shefi i EULEX-it, Lars–Gunnar Wigermark, ka dorëzuar komente për mandatin e Speciales në Tribunalin Special, ku edhe ai vërteton se presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk është konsultuar fare me ta, para se të propozonte ndryshimin e amendamentit për Specialen, ndaj edhe në misionin e sundimit të ligjit EULEX, njëjtë si Borell, një propozim të tillë e konsiderojnë të papranueshëm.

Përpjekja meskine dhe gjysmë ilegale e kuislingut Hashim Thaçi për ndryshimin e ligjit të Gjykatës Speciale që është propozuar nga ai, përfshinë heqjen e dy paragrafëve kryesor të nenit 162 të Kushtetutës, si ai 13 dhe 14 ku thuhet se mandati i kësaj Gjykate do të vazhdojë deri në njoftimin e ri të Këshillit të Evropës në konsultim me Qeverinë e Kosovës, heqja e të cilëve nënkupton përfundimin e parakohshëm të punës, për të cilën ajo është ngritur, pas votimit në Kuvendin e Kosovës.

Kështu që edhe kjo përpjekje e fundit e kuislingut Hashim Thaçi padyshim se do të dështojë për ta shpërbërë para kohe dhe pamundësuar zhvillimin e proceseve të filluara gjyqësore nga Gjykata Speciale, gjë që edhe atij tanimë i është bërë plotësisht e qartë, sidomos pas reagimeve dhe komenteve që ndërkombëtarët i kanë dërguar kundër amendamentit të propozuar kushtetues të Hashim Thaçit. Lidhur me këtë një ditë më parë ka reaguar edhe Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili edhe ai ka dorëzuar komente për mandatin e Speciales në Tribunalin Special, ku e ka bërë publikisht të ditur se presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk është konsultuar me shefin e EULEX-it para parashtrimit të kërkesës ashtu siç e thotë ligji.

Për aq më tepër Borell thotë se pikërisht neni 162 sqaron që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë deri në njoftimin për përfundimin e mandatit, ndaj kërkesa e Thaçit është e papranueshme për vet faktin se sipas ndryshimit që është propozuar nga Hashim Thaçi, duhet të fshihen dy paragrafë të nenit 162 të Kushtetutës, ai 13 dhe 14 ku thuhet se mandati do të vazhdojë deri në njoftim të ri të Këshillit të Evropës në konsultim me Qeverinë e Kosovës.

Borell përmend faktin se paraprakisht palët ishin akorduar që çdo veprim shtesë për lehtësimin e punës së EULEX’it përfshirë konsultimet për procesin e ndryshimit të ligjeve, do të bëhet në koordinim me legjislacionin dhe Kushtetutën e Kosovës, por nga Brukseli sqarojnë se pavarësisht kësaj, nuk ka ndodhur asnjë këshillë apo takim me shefin e misionit të EULEX’it në Kosovë para se presidenti të dërgojë amendamentin e propozuar te kryetarja e Kuvendit. E gjitha kjo dëshmon se së bashku me përpjekjen e tij të fundit të dështuar destruktive, për devalvimin e Gjykatës Speciale, të cilën ai vetë kishte lobuar për ta votuar, madje me presion të ashpër mbi deputetët e të gjitha partive politike, do të përfundojë me turp bashkë me karrierën konspirative të kuislingut Hashim Thaçi, me ikjen e të cilit, në çfarëdo forme qoftë, përfundimisht do të çlirohet edhe Kosova.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".