Hashim Thaçi shkoi në Gjykatën Speciale, historia e skandaleve me AKI-në po i vazhdon nga mbrapa

Hashim Thaçi shkoi në Gjykatën Speciale, historia e skandaleve me AKI-në po i vazhdon nga mbrapa

Gani Qarri

  • 15 December 2020 - 07:43

Shkruan: Gani Qarri

Për tu mjegulluar edhe më tepër, para syve të opinionit, ky veprim antishtetëror, anëtarët e komisionit, në vend të deklarimit lidhur me skandalin, vetëm thanë se respektojnë punën e AKI-së dhe Presidencës dhe se kinse janë për ligjshmërinë e këtyre institucioneve, ani pse tanimë po dëshmohet publikisht, që AKI ka filluar të punojnë hapur, pikërisht kundër rregulloreve të punës së vet këtij institucioni të ndjeshëm shtetëror dhe ligjeve më sublime të Kosovës.

-Pas përpjekjeve të dështuara në fund gushtin e këtij viti, nga Hashim Thaçit, që përmes parlamentit të Kosovës të amendamentojë ndryshimin e pikës 13 të nenin 162 të Kushtetutës, në bazë të të cilit është formuar Gjykata Speciale, kinse për përcaktimin e mandatit të gjykatës në fjalë, e që në fakt për qëllim, kishte riformulimin dhe ndryshimin e mandatit të saj, meqenëse u kundërshtuar vendosmërisht nga Këshilli i Bashkimit Evropian, së fundi u tentua që të hapet forcërisht dhe të plaçkitet ( apo edhe u plaçkit) në mënyrë klandestine kasaforta zyrtare e presidentit, në të cilën mbahen raportet sekrete, informative të AKI-së për të parin e shtetit tonë të brishtë.

Madje, shikuar në mënyrë kronike, biznesi me skandale të para porositura mafioze nga lartë, në Kosovë pothuajse nuk ka pushuar kurrë. Ndërsa para se të ndodhte tentativa për plaçkitjen e kasafortës në zyrën e presidentit, ndër aktet më të rënda skandaloz të sistemit të sigurisë në Kosovë ishte vjedhja në Dhomën e Dëshmive brenda objektit të policisë shtetërore të Kosovës në Prishtinë, ku ndërmjet 24 dhe 25 prillit 2009,përveç 47.627 kg heroinë, 3828.5 euro dhe rreth 30 kg. ari, ishin vjedhë edhe dëshmitë kyçe mbi hetimet që ishin duke u zhvilluar kundër personave të inkriminuar.

Por çuditërisht, pasi u bë publike se i dyshuari kryesor për këtë akt kriminal ishte Florim Maloku dhëndëri i ish-drejtorit të policisë Shpend Maxhunit, Fadil Syleviq etj, të cilët edhe atëherë përflitej hapur në opinion, se ishin tërësisht në shërbim të Hashim Thaçit & CO, u mbyllën të gjitha hetimet në mënyrë të prerë, pa dhënë asnjë arsyetim.

Skandali i dytë i madhe në institucionet kryesore të sigurisë së vendit, si policia e Kosovës u njoftua në fillim qershorin e vitit 2012, ku serish u vodh një sasie e madhe e arit në Dhomën e Dëshmive, brenda stacionit të policisë në Pejë, si dhe dëshmi të mbledhura mbi vrasjet në Dukagjin gjatë hetimeve të këtyre veprave kriminale, me ç`rast qe transferuar në Gjakovë komandanti i atëhershëm dhe arrestuar përkohësisht shefi i hetimeve rajonale, Bajram Koliqi, vjedhje e cila jo vetëm që nuk u ndriçua kurrë, por edhe të gjithë policët e suspenduar për këtë rast, u rikthyen sërish në punë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Skandali i radhës brenda organeve të sigurisë së Kosovës u njoftua hiq më larg, se ne fund shkurtin e këtij viti, tani në Dhomën e Dëshmive në stacionin policor të Zubin Potokut, ku një polic minoritar serb, pasi vodhi armë të shkurta e të gjata si dhe gjëra të tjera me rëndësi, për të cilat, atëherë e sot, nuk është folur në hollësi asnjëherë, ai iku pa asnjë pengesë, bashkë me to nga Kosova, dhe ia solli si trofe Aleksandër Vuçiqit në Beograd.Por mjerisht, tregtimi me skandale të porositura mafioze nga kupola më e lartë e krimit të organizuar shtetëror në Kosovë, nuk përfundoi as këtu, madje me thyerjen dhe plaçkitjen e vendeve më të sigurta institucionale, që nga vjedhja në dhomat e dëshmive brenda policisë së shtetit në Prishtinë, Pejë e Zubin Potok, biznesi me skandale të porositura nga kupola e krimit të organizuar mafioz në Kosovë, arriti deri atje, sa të sulmohet edhe zyra shtetërore e presidentit.

Dhe përkundër faktit që, të paktën deri më tani, këto vende konsideroheshin si vendet më të sigurta, me tentativën kriminale të radhës për hapjen dhe plaçkitjen edhe të kasafortës zyrtare të presidentit në të cilën ruhen raportet sekrete, informative të AKI-së për të parin e shtetit, u dëshmua katërçipërisht se krimi i organizuar dhe mafia, kontrollon dhe dirigjon gjithçka në këtë vend.

Skandali më i ri, për të cilin edhe më tej, zyra e presidentit të shtetit, po vetëpërmbahet nga dhënia e detajeve të hollësishme, ka bërë bujë aq të madhe, jo vetëm në vend, por edhe në mediat serbe të cilat shkruajnë pareshtur, për plaçkitjen e kasafortës së Presidencës, dhe lidhjen direkte të këtij skandali të paprecedent mafioz e kriminal, për zhdukjen e akteve sekrete dhe dëshmive mbi burgosjen e Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Madje siç u raportua së fundmi, vetëm 24 orë pasi ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dha dorëheqjen për shkak të aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale, menjëherë u bë përpjekja e parë, për të grabitur kasafortën e tij në zyrën e Presidentit.

Dhe për habinë e pafund të mbarë qytetarëve të Kosovës, grabitja u përpoq të realizohet pikërisht nga vetë sekretari i presidencës së Kosovës, Driton Gashi, dhe një zyrtar tjetër mafioz, të cilin ai e kishte paraqitur kinse si inspektor të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, akt i cili dëshmon hapur, se edhe instancat më të ndjeshme shtetërore të vendit janë pushtuar tërësisht nga mafia dhe kriminelët.

Për aq më tepër, me qëllim të kamuflimit të këtij akti të padëgjuar skandaloz deri më tani, të thyerjes së zyrës së presidentit, që Driton Gashi kishte në plan ta bënte vet, qysh me 6 nëntor, ai dyshohet se u përpoq ti mashtronte edhe këshilltarët e Vjosa Osmanit, e cila nga arrestimi i Hashim Thaçit është Ushtruese e Detyrës së Presidentit të Kosovës, duke u dhënë lajmin e rrejshëm, se kinse jo ai, por EULEX do të bënte një kërkim zyrtar në zyrën e ish-Presidentit Thaçi, gjë që u mohua kategorikisht nga përfaqësuesit e EULEX-i.

Dhe siç u vërtetua tanimë edhe publikisht nga çdo anë, krejt kjo uverturë e çuditshme e Driton Gashit, u bë për të mbuluar sulmin që ai kishte në planë të bënte me bashkëpunëtorë, në zyrën e të parit të shtetit, për vjedhjen e akteve sekrete në kasafortën e zyrës së presidentit të vendit.

Për këtë shkak, i ashtuquajturi Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, bëri sikur mbajti një mbledhje ditën e mërkurë, ku në raportim ishte ftuar vet shefi i AKI-së, Kreshnik Gashi.

Por lidhur me lajmin skandaloz për hapjen e kasafortës në zyrën e Presidentit, as pas përfundimit të kësaj mbledhje, deputetët të cilët janë pjesë e këtij komisioni nuk dhanë detaje se për çfarë konkretisht u bisedua gjatë asaj mbledhjeje, ani pse tanimë dyshohet hapur, se edhe në AKI, kanë filluar jo vetëm të manovrojnë lirshëm forcat mafioze, por ato po përpiqen ta marrin edhe ligjin në duart e veta.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".