Bosët e politikës së principatave dhe bajraqeve po e shkatërrojnë shtetin

Bosët e politikës së principatave dhe bajraqeve po e shkatërrojnë shtetin

Gani Qarri

  • 16 December 2020 - 07:39

Shkruan: Gani Qarri

Beteja e fundit e paskrupullt politike për marrjen e postit më të lartë kushtetues në vend, atë të Presidentit, ku secili grupim politik, e thotë hapur ‘presidenti është i yni’, bajraku është i yni, dëshmon më së miri ngjalljen e një logjike të tillë të mbrapsht, duke shantazhuar dhe kërcënuar publikisht grupimet tjera, se nëse nuk ndodhë që pozita e presidentit tu takojë atyre, ‘vendi do të shkojë, medoemos në zgjedhje, pa marrë parasysh kushtet, gjendjen në vend, mundësit as rezultatin e tyre, sikur këta të ishin armiqtë më të mëdhenjtë të këtij populli.

-Partitë e degjeneruar politike ndër vite e dekada, të ardhura në pushtet në mënyrë klandestine dhe pa dëshirën e qytetarëve, me manipulime klanore e kalkulime ndërpartiake, si dhe fushata me lajme të rrejshme publike, janë duke e shndërruar politikën skajshmërish të degjeneruar kosovare të pasluftës, në politikë puro fisnore, vetëm për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, duke e shkatërruar edhe jetesën dhe të ardhmen e të rinjve në këtë vend, pa vullnetin e popullit të shprehur në votime dhe pa fituar kurrë, asnjë palë zgjedhje të vetme.

Politikë shumë destruktive e udhëhequr dhe frymëzuar nga politikan oligarko-mafioz, sa që edhe shtetin tonë të ri, të dalë vetëm para pak më tepër se dy dekadave nga lufta, po na kthen disa shekuj prapa, shkaku i veprimtarisë së tyre primitive e përparëse dhe shkatërrimtare të unitetit shtetëror e kombëtar si në kohën para Skënderbegiane të principatave dhe bajraqeve, i politik bërësve destruktiv e palaço, për qëllime të ulëta dominimi të një grupimi politik kundër një tjetri, ani pse, që të gjithë pjesë të një populli dhe të të njëjtit shtet.

Krejt kjo, po zhvillohet para syve tanë, pothuaj se në mënyrë klandestine dhe pa përfillur fare rregullat demokratike të marrjes së pushtetit dhe mënyrën e ardhjes në udhëheqjen shtetërore, aftësitë qeverisëse as fuqinë elektorale, duke shuar tërësisht shpresat e të brinjëve për një të ardhme më të mirë e të sigurt dhe mundësit e zhvillimit të një jete normale, në vend të vet, pa pritur rastin për të ikur, sa më parë diku në shtetet perëndimore, për shkak të shkatërrimit të ekonomisë dhe paqëndrueshmërisë financiare nga mafiooligarkët dhe shërbëtorët e tyre destruktiv politik.

Në këtë mënyrë në Kosovën tonë të vogël, pushteti i bajraktarizmit, po bëhet korruptuesi më i madh i qenies njerëzore dhe armiku më i rrezikshëm i shqiptarëve në veçanti, të cilët për marrjen e bajrakut (pushtetit) sakrifikojnë miq e shoqëri, familjarë e farefis dhe nuk mendojnë fare për qytetarin as për shtetin tonë të brishtë, që padrejtësisht ka rënë në duart e tyre mafioze.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".