Mos luani me fatin e shtetit dhe të qytetarëve, buxheti për vitin në vijim të miratohet para shpalljes së zgjedhjeve

Mos luani me fatin e shtetit dhe të qytetarëve, buxheti për vitin në vijim të miratohet para shpalljes së zgjedhjeve
Mos luani me fatin e shtetit dhe të qytetarëve, buxheti për vitin në vijim të miratohet para shpalljes së zgjedhjeve

Dardan Grapci

  • 27 December 2020 - 07:40

Shkruan: Dardan Grapci

Nëse të gjitha partitë politike që aktualisht janë në Kuvendin e Kosovës, dhe që po pretendojnë ta udhëheqin Kosovën nuk e marrin iniciativën e përbashkët për seancë të shpejtë të Kuvendit për miratimin e buxhetit në të dyja leximet, por bëjnë fushatë duke akuzuar qeverinë në largim pse e ka vonuar deri tash dërgimin në Kuvend, sa për të fituar disa poenë politike nga fushata kritike, do të gabojnë rëndë dhe do ta pësojnë akoma më shumë, me ndëshkim vote. Prandaj nga vështrimi i ekspertit të ekonomisë ju bëjë thirrje grupeve parlamentare që në fillim të javës që po hyjmë të mblidhen në seancë të Kuvendit dhe ta votojnë buxhetin për vitin 2021, dhe pastaj le të lirohen nga obligimet e legjislativit, ta shpërndajnë Kuvendin e të rifillojnë me fushatën.

Partitë politike në vend kanë bërë edhe po bëjnë lojë tepër të pistë duke mos i akorduar me urgjencë për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, për miratimin e buxhetit të vitit 2021, pasi koha nuk pret, jemi në ikje të afatit ligjor për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga ana e U.d. të Presidentes Vjosa Osmani. Loja që po luhet është tepër e pistë, por një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë ata dhe ato që pretendojnë të garojnë përsëri në zgjedhje për mandatin e deputetit, që me zvarritjen e seancës për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, janë duke humbur akoma më shumë besimin te qytetarët, janë duke fituar zhgënjim dhe urrejtje sepse fare lehtë mundë të ndodhë që duke e gjuajtur topin e përgjegjësisë nga njëri krah tek tjetri, shteti të shkoj në kolaps të thellë ekonomik.



Prandaj derisa ju kane mbetur edhe pak kohë në qeverisje dhe janë në fund të mandatit të tyre, partitë politike dhe deputetët do të duhej që me procedurë të përshpejtuar ta votojnë këtë buxhet për vitin që po vjen, e jo qysh tani të fillojnë me akuza të ndërsjella e të bëjnë fushata se kush ishte më i korruptuar e kush më i pastër, kush do ta merr pozitën e kryeministrit e kush të Presidentit. Këto lojëra të pista që ju vjen era fushatë e parakohshme zgjedhore duhet të lihen anash, në pushim edhe për disa ditë, sepse edhe ashtu fushatat zgjedhore ende nuk është shpallur nga KQZ-ja.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".