Këta janë “pronarët” e vjetër të partive politike që nuk po lejojnë ndryshime, aderimet mashtruese për konsum elektoral

Këta janë “pronarët” e vjetër të partive politike që nuk po lejojnë ndryshime, aderimet mashtruese për konsum elektoral

Gani Qarri

  • 04 January 2021 - 07:43

Shkruan: Gani Qarri

Definitivisht mundë të thuhet se aderimet e reja, shumica prej të cilave nuk mund të quhen më as aderime, por thjeshtë riciklim tepricash, nga një grupim në grupimin tjetër politik, janë shpëtimi i vetëm për partitë e inkriminuara, të cilat megjithatë, njëjtë si në të kaluarën edhe tani, do ti përdorin të ashtuquajturat aderime, vetëm për konsum elektoral, pasi që edhe praktika e deritashme e ka dëshmuar se monopolin në lista dhe në drejtim të fushatës, e kanë mbajtur gjithmonë dhe do ta mbajnë serish edhe tani, “pronarët” e vjetër të partive politike.

-Në një vend me nivelin më të ulët të besimit të qytetarëve ndaj të gjitha institucioneve shtetërore dhe politike, si dhe mungesa e kushteve jo vetëm për një jetë normale por edhe për mbijetesë të thjeshtë ku mungon drejtësia dhe nga fillimi deri në fund, puna e prokurorisë dhe gjyqësorit, ndikohet komplet nga politika, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar i nivelit të lartë, jo vetëm që nuk luftohen, por tanimë janë përhapur gjerësisht në gjithë sistemin shtetëror, aty nuk mbetet më shpresë për të jetuar. Kështu që duke parë se çdo vit e më tepër ka rënie të madhe të besimit të qytetarëve në institucionet publike, integritetin e pushtetarëve të kriminalizuar dhe pandershmërinë publike të politikanëve të degjeneruar, partitë e inkriminuara po mundohen që imazhin e tyre të dëmtuar dhe besimin e humbur tek qytetarët në vend, ta riparojnë rrejshëm përmes fushatës së të ashtuquajturave aderime të reja nëpër parti, të figurave shumë herë, fare të parëndësishme, që edhe ashtu përfshihen në lista, vetëm sa për sy e faqe.

Për aq më tepër, në një vend ku puna e gjyqësorit, nga fillimi deri në fund, dirigjohet nga politika, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar i nivelit të lartë, tanimë janë bërë dukuri "normale" dhe natyralizuar edhe në shoqërinë kosovare, ku më të korruptuarat ndër vite, mbeten shëndetësia, drejtësia dhe vet institucionet shtetërore të vendit, aty për qytetarët e rëndomtë, të varfër dhe pa përkrahje, nuk mund të flitet më për një jetë normale, por për pamundësi mbijetese, ndaj dhe pjesa më e madhe e popullsisë i kanë humbur të gjitha shpresat dhe mendojnë vetëm si të ikin një orë e më parë nga vendi i vet, gjë që nuk ka ndodhur as në kohën e Millosheviqit dhe okupimit klasik të Kosovës nga Serbia.

Në një shtet ku edhe mbi 21 vite pas lufte, prokuroria dhe gjykatat mbeten gjithmonë të kapura nga politika dhe angazhimi për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar shënojnë nivelin-zero, ku vazhdon rënia e transparencës dhe llogari-dhënies, ku politikanët shohin vetëm interesat e tyre personale, familjare e partiake, pa menduar për nevojat e komunitetit, ku jo vetëm qytetarët por edhe vet anëtarët e partive politike nuk kanë më besim tek udhëheqësit e tyre, ai vend bëhet i pa-eptueshëm për banorët e vet.

Në një shtet ku qytetarët kanë më shumë besim te institucionet e huaja ndërkombëtare se tek ato vendore, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar diktojnë vendimmarrjen dhe vendosin mbi çdo gjë, të cilat janë bërë burim i të gjitha të këqijave dhe shkaku kryesor i ikjes masive të të rinjve nga Kosova, ku rreth 60 % e popullsisë janë të gatshëm të emigrojnë jashtë vendit, pikërisht për shkak të faktit se korrupsioni dhe krimi i organizuar, jo vetëm që nuk pëson rënie, por sa vijnë e rriten edhe më shumë, duke ua pamundësuar edhe mbijetesën qytetarëve të vet, aty nuk mund të flitet më për jetë normale, sundim të ligjit as shtet të së drejtës, por për shtet-banane të zhytur në pa ligjësi, krim dhe kaos.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".