Morali nuk po i ndalë “kapedanët” e partive politike të bëhen deputet, le të ndalohen me fuqinë e ligjit

Morali nuk po i ndalë “kapedanët” e partive politike të bëhen deputet, le të ndalohen me fuqinë e ligjit
Morali nuk po i ndalë “kapedanët” e partive politike të bëhen deputet, le të ndalohen me fuqinë e ligjit

Muhamet Kelmendi

  • 11 January 2021 - 07:56

Shkruan: Muhamet Kelmendi

Nga partitë politike varet lista, dhe nga lista varet Kuvendi dhe kualiteti i Kuvendit. Me këtë dua të them se edhe kandidatët e përgjumur në Kuvend nuk duhet lejuar nga partitë të ri kandidohen e të futen në lista. Nuk i duhen të tillët Kuvendit. Ata kështu i hyjnë në punë vetëm politikës së partisë, kur duhet të jenë servil dhe të dëgjueshëm sepse me këtë mbahet nën kontroll deputeti, por dëmtohet kualiteti i punës në Kuvend. Po shihet se ka shumë punë. Dhe, është e domosdoshme kjo tash të kryhet, kemi shumë nevoja të fuqizimit të legjislacionit në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave substanciale në drejtësi, që mos të kemi vështirësi. Kjo ndikon pozitivisht edhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

A do të realizohet shteti ligjor? Çështja e tille nuk varet vetëm nga pushteti dhe nga ligjet që kanë në fuqi. Ajo varet para se gjithash nga partitë politike. Nëse partitë politike i respektojnë normat morale, jo ligjore, normat demokratike të ndërtimit të pushtetit, sikundër edhe ideologjinë e ndërtimit të shtetit, nuk do të kemi fare kundërligjshmëri. Por, kjo është shumë larg. Larg sepse interesat individuale, ato të interesit karrierist dhe pasuror, janë evidente dhe kjo përsëri do të mbizotëroj. Partitë politike do të paraqesin kandidatët nëpër lista që janë në hetime dhe me siguri edhe të dënuar, por jo në formë të prerë me aktgjykim.

Pavarësisht asaj se çka është morale, njerëzore dhe logjike dhe tipike demokratike, vendimet e organeve duhet të zbatohen me forcë. Morali nuk po i ndalë “kapedanët” e partive politike. Dhe, aty ku nuk ndalet me vullnet, duhet norma imperative detyruese. Këtu Këshilli Qendror Zgjedhor ka rolin dominant. Ku i merr informatat mbi kandidatët KQZ është detyrë e brendshme. Por, informatat duhet të merren dhe të mos lejoj asnjë kandidat për të konkurruar për deputet nëse është i dënuar në formën e prerë nga gjykata mbi një vit burgim. Mirëpo, çështja shtrohet, çka me ata kandidatë që janë të akuzuar për vepra penale , e ku dënimet shkojnë nga 1 e deri në 10 vite burgim. Sipas ligjit, këto nuk mundë të largohen nga KQZ nga lista, sepse me ligj ende nuk janë dënuar në formë të prerë. Këtu është e domosdoshme të veprojnë partitë politike. Ato nuk duhet lejuar këta njerëz të konkurrojnë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".