Rasti veteranët zbuloi të vërtetën lakuriqe të kapjes së sistemit të drejtësisë kosovare nga nëntoka kriminale

Rasti veteranët zbuloi të vërtetën lakuriqe të kapjes së sistemit të drejtësisë kosovare nga nëntoka kriminale

Gani Qarri

  • 25 January 2021 - 07:46

Shkruan: Gani Qarri

Epilogu i shpalljes së pafajësisë, kundër përgjegjësve kryesor abuzues me listat e veteranëve të rrejshëm ndodhi ashtu sepse prokuroria as gjyqësia e shkërmoqur, nuk ka fuqi të veprojë kundër tyre. Kjo edhe për faktin se të gjithë këta, jo vetëm që ishin anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por i kanë në duart e veta edhe prokurorinë, drejtësinë, policinë dhe gjithë rrjetin e mafisë politike që kontrollon çdo institucion dhe mbanë nën sundim të hekurt të gjithë shtetin e Kosovës.

-Përfundimisht edhe rasti "Veteranët" tregoi fytyrën e vërtetë të gjyqësorit dhe dëshmoi se sa fuqishëm është e kapur drejtësia inekzistente, nga politika e kriminalizuar vendore e cila tash e mbi një dekadë po sundon egërsisht çdo institucion dhe pore të shtetit, me ç ‘rast në trajtimin farsë të këtij rasti, vet përgjegjësit kryesor për abuzimin me listat e veteranëve, u shpallën ne kundërshtim të plotë me ligjin, 100% të pa fajshëm. Madje të gjithë të akuzuarit në rastin “Veteranët” janë liruar tërësisht nga aktakuza në procesin gjyqësor që është mbajtur ditën e martë dhe rreth dy vjet nga seanca e parë gjyqësore, sot është përmbyllur edhe gjykimi në rastin e njohur si “Veteranet e rrejshëm”.

Për aq më tepër, kur kihet parasysh fakti, se për cilët emra të akuzuarish bëhej fjalë, në listën e gjatë të të cilëve ishin përfshirë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, të cilët edhe pse ngarkoheshin me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nuk kishte sesi të pritej një vendim ndryshe.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".