Si do ta bëjnë Qeverinë tani, partitë mashtruan gjatë fushatës pa platformë për program qeverisës

Si do ta bëjnë Qeverinë tani, partitë mashtruan gjatë fushatës pa platformë për program qeverisës

Gani Qarri

  • 16 February 2021 - 07:42

Shkruan: Gani Qarri

Partitë e inkriminuara, të cilat edhe e kanë sjellë vendin në këtë gjendje, as që morën mundimin ta ofrojnë, qoftë edhe një platformë e cila vërtetë sjellë ndryshime në vend dhe se nuk do të vazhdohet më, me avazin e vjetër të kapjes së shtetit, sundimit arbitrar të vendit nga të inkriminuarit dhe mafia politike, duke bërë serish vetëm premtime mashtruese, kopjuar dhe imituar, pa fije turpi njëra-tjetrën.

-Njëjtë si të gjitha zgjedhjet e deritanishme, edhe zgjedhjet e parakohshme aktuale, që nga fillimi, përveç kohës së shkurtër për përgatitjen dhe zhvillimin e fushatës elektorale, u ndikua drejtpërsëdrejti nga shumë dukuri negative dhe numër i madh mangësish serioze, të cilat në Kosovë janë të pranishme që prej kohësh, dhe nuk përkojnë as për së afërmi me standardet evropiane të zgjedhjeve.

Përveç listave të pasakta të numrit të votuesve, vërehen edhe "barrikadime" të tepërta të ngritura direkt nga KQZ, për pengimin e votimit të mërgimtarëve, sistemi enkas i vështirësuar për votimin nga ta dhe pengesat e drejtpërdrejta për pamundësimin e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje, proceset jo-plotësisht të sigurta të numërimit dhe mungesën e transparencës në nxjerrjen e Rezultateve, në fund të votimit. Në anën tjetër, sidomos në pjesën veriore të vendit, në vendbanimet ku jeton pakica serbe, jo vetëm që nuk lejohet të kalojnë as këmbë, partitë politike shqiptare, por ende vazhdon pa asnjë pengesë, përzierja e drejtpërdrejtë e Aleksandër Vuçiqit dhe frikësimi i popullsisë lokale, nga kriminelët e BIA-së, të përqendruar në atë pjesë të vendit, të cilët me urdhër të Vuçiqit detyrojnë me forcë serbët lokal, të votojë për dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, Listën serbe.

Madje në veriun ( e “egër) të Kosovës, njëjtë si në Korenë e Veriut, vazhdon të mos lejohet fare konkurrenca as frekuentimi i ndonjë partie apo subjekti tjetër politik, përveç Listës serbe, siç e parashohin në gjithë botën, normat demokratike të zgjedhjeve. Para këtyre akteve të turpshme, ashtu si edhe qeveritë e më parme, vijon të hesht edhe qeveria inekzistente, si dhe të gjitha subjektet politike të vendit, qëndrim dorëzues para kriminelëve dhe pafundësisht poshtërues e i turpshëm për shtetin tonë dhe të gjitha institucionet e tij, i cili medoemos dhe në mënyrë urgjente, duhet të ndryshohet, sapo të vije në pushtet qeveria e re dhe udhëheqja e ardhshme e Kosovës.

Për aq më tepër në këtë fushatë, as nga partitë shqiptare nuk u shpalos ndonjë program për të thënë, i cili do ti ofronte popullit të Kosovës shpresë për jetë më të mirë, zhvillim ekonomik, vende të reja të punës, prosperitet, arsim dhe sistem më cilësor të shëndetësisë, luftë më të vendosur kundër korrupsionit e krimit të organizuar, reformim të thellë të sistemit prokurorial e gjyqësor, konfiskim të pasurisë së paligjshme dhe vendosjen e kriminelëve para drejtësisë. Ndaj pikërisht kjo edhe është dobësia më e madhe e partive të inkriminuara, siç është dëshmi e paaftësisë dhe mungesës së profilizimit, që vije si pasojë e mbylljes së tyre në klane dhe grupe të interesit, pa ekspertë të fushave të caktuara, të cilat vazhdojnë të jenë të mbushura me militantë e familjarë që vrapojnë, veçanërisht në kohë fushate, për ta siguruar ndonjë benefit me rëndësi, apo edhe tender për bizneset e veta, pas marrjes së pushtetit.

Mjerisht këto lidhje kaq të forta klienteliste brenda partive politike, janë pasojë e drejtpërdrejtë krimit të organizuar dhe e vazhdimit të sistemit të papërshtatshëm zgjedhor me vetëm një zonë të vetme në gjithë vendin, ku votohet gjithandej nën diktime nga klientela e rehatuar politike dhe grupet e interesit të partive të inkriminuara, por jo, drejtpërsëdrejti vet kandidati i zonës që bashkëjeton dhe bashkë ndjen problemet e përditshme dhe nevojat e domosdoshme të qytetarëve në vendin përkatës, prej nga edhe ai vet vije.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".