Po i vjen fundi kapjes së KQZ-së nga Valdete Daka, dorë e zgjatur me vite e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit!

Po i vjen fundi kapjes së KQZ-së nga Valdete Daka, dorë e zgjatur me vite e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit!

Gani Qarri

  • 06 March 2021 - 09:05

Shkruan: Gani Qarri

Zgjedhjet e 14 shkurtit, u mbajtën në një situatë tejet të rëndë pandemie, krize politike dhe tensioneve institucionale e partiake, ndaj nëse edhe në këto votimet, të cilat megjithëse nga shumë anë u konsideruan si shembull i shprehjes së vullnetit të lirë politik, u bënë vjedhje dhe shpërdorim i votave, ashtu siç bëhen akuzime, pas formimit të Qeverisë së re, nuk duhet për asnjë ditë më tepër të tolerohet një KQZ-me përbërjen aktuale. Për të mbrojtur votën e lirë dhe pluralizmin demokratik në votime, sidomos nëse vërtetohet abuzimi skandaloz dhe tjetërsimi i dhunshëm i vullnetit të qytetarëve edhe në këto votime dhe serish vërtetohet abuzimi skandaloz e tjetërsimi i dhunshëm i vullnetit të qytetarëve, ndërsa megjithatë ky veprim vijon të mos ndiqet e hetohet edhe më tej nga askush, si dhe të mos gjykohen asnjë nga kundërvajtësit sipas ligjit, për këtë vepër të rëndë penale, Qeveria në ardhje, menjëherë pas marrjes së mandatit duhet përfundimisht ta qojë në “pushim “ komplet KQZ-në, për ta reformuar dhe çliruar nga politika.

-Mjerisht në Kosovë ka vite që mbizotëron një antagonizëm i vazhdueshëm politik e organizativ ku vazhdojnë të mbahen zgjedhje farsë dhe pa konsideratë për vullnetin e lirë të votuesit. Madje megjithëse shpesh thuhet që votimi u zhvillua i qetë e në mënyrë të rregullt dhe numërimi u vlerësua në përgjithësi pozitivisht, përderisa shumë akte dhe procedura nuk ndiqen gjithmonë në formë plotësisht të rregullt, lindin pretendime të besueshme për vjedhje e tjetërsim të hapur të votave të qytetarëve, pa marrë parasysh përcaktimin e tyre dhe vullnetin ndaj segmentit të preferuar politik në vend.

Dhe deri në zgjedhjet e vjeshtës, legjislatura e re e Kuvendit duhet të iniciojë me prioritet reformën e ligjit zgjedhor, si dhe reformimin e plotë të KQZ-së, për të krijuar një institucion të pa varur nga politika, pasi që, ky i deritanishmi me në krye vasalen e Thaçit Valdete Daka, edhe në këto zgjedhje arriti kulmin e manipulimit, animit dhe të pozicionimit ndaj klaneve politike me qëllim të devijimit dhe degradimit të vullnetit të qytetarëve. Për aq më tepër anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, deklaroi publikisht që pavarësisht dukjes sipërfaqësore, të procesit zgjedhor të 14 shkurtit, se kinse është zhvilluar i qetë, pa incidente a shumë reagime, si dhe pa probleme të tjera, vjedhja dhe manipulimi i votës ka qenë më i madh se kurrë ndonjëherë më parë, madje edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit ka pasur vjedhje industriale të votave.

Kështu që Qeveria e re, për të dëshmuar legjitimitetin e zgjedhjeve, medoemos duhet të inicioi menjëherë, një procedurë të hollësishme hetimore dhe në rast fajësie, ta shkarkoi urgjentisht nga detyra e kryetares së KQZ-së Valdete Dakën si dhe anëtarin e inkriminuar të KQZ-së Sami Hamiti të burgosur edhe më parë, për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare, për të mënjanuar përfundimisht, pasigurinë juridike të votës dhe shkatërrimin e besimit të qytetarëve për pjesëmarrje në votime. Vet z. Kurteshi si anëtar i KQZ-së, ka konstatuar se në këtë proces zgjedhor janë kryer vepra të rënda penale për të cilat duhet të futen në burg ata që i kanë kryer ato, zbulimi i të cilëve nuk është ndonjë problem, vetëm kërkohet vullnet për veprim dhe hetim sipas ligjeve të vendit, por megjithëse ne në vijimësi po e tërheqim vërejtjen dhe themi hapur se ka shkelje të vazhdueshme, ka manipulim, ka vjedhje industriale të votave, ka korrupsion, mosdije, e jo- profesionalizëm, atyre nuk po u pëlqen e vërteta dhe në vend të sqarimit, ikin dhe e lënë mbledhjen.

Por edhe përkundër fakteve ekzistuese rreth gjithë atyre sa po ndodhin edhe pse sipas Kurteshit brenda KQZ-së janë marrë vendime të kundërligjshme, prej vet kryetares Valdete Daka, anëtarët e KQZ- nga subjektet politike të ish pushtetarëve, që e dominojnë shumicën në KQZ, e deri te udhëheqësit e sekretariatit të KQZ-së të kontrolluar nga ish pushteti dhe arbitrariteti i Valdete Dakës, të gjithë së bashku e kanë shndërruar KQZ-n, në “makineri” perfide të abuzimit të votës së qytetarëve.

Ndaj në mënyrë që pikësëpari të bëhet depolitizimi i plotë i vet KQZ-së dhe administratës zgjedhore, të punohet me transparencë dhe efikasitet për mbrojtjen e votës së lirë dhe respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve, përderisa edhe në këtë kohë, në Kosovë vazhdon ende të ketë prokurori, gjyqësi dhe polici të kapur dhe asnjëra prej tyre, nuk janë në gjendje t’i kryejnë punët e veta ligjore e institucionale, me ardhjen e Qeverisë së re, përfundimisht duhet të futet reformë e thellë e rrënjësore në të gjitha institucionet përfshi edhe KQZ-në e deformuar, që të vihet çdo gjë në binarët e vet dhe funksionojë vetëm si pas ligjit dhe shtetit të së drejtës, që në vendin tonë tash e mbi dy dekada, mjerisht janë mbytur me qëllim nga partitë e inkriminuara dhe krimi i organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".