Pushteti në Kosovë urgjentisht duhet të shërohet, terapia është ligji VETING!

Pushteti në Kosovë urgjentisht duhet të shërohet, terapia është ligji VETING!
Pushteti në Kosovë urgjentisht duhet të shërohet, terapia është ligji VETING!

Muhamet Kelmendi

  • 15 March 2021 - 07:42

Shkruan: ANALIST - Muhamet Kelmendi

Tashmë dihet se pa një VETTING në sistemin prokurorial dhe gjyqësor nuk vihen në binar juridiko-ligjor prokurorët dhe gjyqtarët, sikundër edhe bashkëpunëtor e tyre etj. Në sistemin e tillë është shkuar larg me keqpërdorime dhe shkelje ligjore. Ato duhet të luftohen me masa penale. Mirëpo Kosovës i duhen masa të drejta edhe në politikë. I tërë sistemi politik është i degraduar. Partitë politike kanë humbur busullën e brendshme dhe të subjektit politik demokratik. Ato janë shndërruar në mekanizma të kënaqjes së orekseve të profiterëve të pandërgjegjshëm. KQZ është degraduar shumë. Reforma zgjedhore është e domosdoshme të bëhet për të pasur një organ funksional siç është KQZ dhe që votat të jenë adekuate me vullnetin e votuesve.

-Kosova është duke kaluar një gjendje të rëndë në fushën e se drejtës dhe funksionimit të ligjit. Ajo po ballafaqohet me probleme të shumta dhe të nduarduarshme. Ajo gjendje është keqësuar kudo, në sektorin publik dhe në sektorin privat. Kriza ka kapluar Republikën. Këto probleme janë në sistemin e drejtësisë, si në prokuroritë e Kosovës dhe nëpër gjykata, të të gjitha niveleve. Po kaq e rëndë është gjendja në organet komanduese të policisë, si dhe nëpër administratën e vendit dhe në të dy nivelet e pushtetit. Gjendja po shkon për çdo ditë duke u përshkallëzuar në përmasa të rënda. Nuk zgjidhet çështja e votës me rinumërim të disa qendrave të votimit dhe të një subjekti.

Vjedhje janë bërë në të gjitha subjektet, andaj është e domosdoshme rinumërimi i të gjitha votave dhe atë nën prezencën e prokurorisë dhe policisë kompetente, sikundër edhe të OSBE-së, të BE-së dhe të organeve nga SHBA-të. Pavarësisht kësaj dhe, edhe nëse rinumërohen votat ose edhe tërë sistemi votues përsëritet, sistemi i drejtësisë dhe ai administrativo-politik e shoqëror nuk zgjidhet me atë rinumërim. Kosovës i duhen masa të ndryshme juridike për të zgjidhur situatën. Dhe nga gjendja e krijuar është vështire të besohet se pa një ndihmë të SHBA-ve mundë të zgjidhen çështjet që e preokupojnë vendin. Kosovës i duhet edhe një spastrim i thellë në administratën e Kuvendit, nëpër ministri e në administratën komunale. Po kështu duhet të përcjellë me besueshmëri dhe në bazë të ligjit i tërë sektori privat në vend. Ai është shumë i kriminalizuar dhe ka kapur shtetin në tërësi.

Sektori privat i tillë nuk po e lë vendin të merr frymë. Çdo tender dhe në çdo nivel është objekt i hetimeve prokuroriale. Është turp ku e kanë sjellë vendin individët politikanë të papërgjegjshëm dhe skrupulloz. Natyrisht se mua më vjen shumë rëndë të shprehem për këto çështje dhe shtetin tim ta kritikoj, mirëpo me dëmet që ju kanë bërë shtetit nga partitë politike, nuk ecet përpara pa masa radikale dhe të dhimbshme penale. Vendi është dëmtuar shumë. Atë duhet shëruar. E shërimi vjen vetëm me masa juridiko-penale. Mjete tjera nuk kanë mbetur.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".