Kandidatura e Vjosa Osmanit e fundit për pozitën e presidentit që kërkon vota në parlament, të ndryshohet ligji të zgjidhet nga populli!

Kandidatura e Vjosa Osmanit e fundit për pozitën e presidentit që kërkon vota në parlament, të ndryshohet ligji të zgjidhet nga populli!

Gani Qarri

  • 18 March 2021 - 13:05

Shkruan: ANALIST- Gani Qarri

Është nevojë e domosdoshme e kohës dhe momenti vendimtar, që tanimë përfundimisht, të dilte një iniciativë e tillë nga vet Presidentja Osmani, në rast se ajo zgjidhet në këtë pozitë, pasi që edhe vet ka qenë bashkë kryesuese e komisionit i cili ka punuar në hartimin e amendamenteve përkatëse dhe bërjen e ligjit për zgjedhjen e të parit të shtetit nga populli, si dhe kompetencat dhe pozitën e Presidentit të vendit.

-Zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, megjithëse ishin zgjedhje parlamentare dhe jo presidenciale, me besimin që qytetarët e Kosovës i shprehën Dr. Vjosa Osmanit, përveç përcaktimit të partisë fituese, ata konfirmuan me votë edhe vullnetin e tyre për presidenten e ardhshme të vendit. Madje qoftë Dr. Vjosa Osmani apo kushdo tjetër edhe po të startonte që nga fillimi i fushatës me kandidaturën për presidente të vendit, nëse përpjesëtohen votat e dy-tre apo më tepër kandidatëve të mundshëm për këtë post, ndoshta vetëm pak vota më tepër, nga mbi 300 mijë, sa ajo fitoi në zgjedhjet parlamentare, mund të merrte edhe në kandidimin për të parën e vendit.

Ndaj sidomos pas certifikimit ligjor të rezultateve të 14 shkurtit, nga KQZ, ku u vërtetua edhe zyrtarisht se zonja Dr. Vjosa Osmani ishte kandidatja më e votuar në vend dhe e vetme mori mbi 300 mijë vota të qytetarëve, vet kjo mënyrë e besimit kaq masiv të shprehur ndaj saj, obligon apriori, të gjitha partitë, në pozitë dhe opozitë, që të respektojnë vullnetin e një shumice të tillë të madhe elektorale, të shprehur në përmasa kaq masive e mënyrë plebishitare dhe të sillen deri në fund me konstruktivitet ndaj vullnetit të qytetarit dhe votës së besuar Dr. Vjosa Osmanit. Kështu që shikuar në kontestet normale dhe kushte të një demokracie të mirëfilltë, një përcaktim i tillë i fuqishëm i elektoratit nuk ka lënë më vend për kalkulime destruktive politike as hapësirë për manipulime dhe pazare të ndyta të partive të kriminalizuara, por që të gjitha segmentet të cilat kanë arrit të jenë serish pjesë e legjislaturës dhe Kuvendit të ri, duhet medoemos të sigurojnë jo vetëm kuorumin por edhe të votojnë unanimisht për Vjosën presidente të vendit.

Përndryshe çdo veprim i kundërt apo sjellje ndryshe, do të ishte jo vetëm papërgjegjësi e plotë politike, por edhe shkelje totale e vullnetit të qytetarëve, të shprehur në mënyrë plebishitare, me votën e tyre të lirë, ndaj Dr. Vjosa Osmanit. Por megjithatë, duke parë sjelljet dyfytyrëshe sidomos të udhëheqësit aktual në detyrë të klanit Pronto Enver Hoxhajt dhe paqartësitë në qëndrime, si të LDK-së, ashtu edhe të AAK-së, po bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm ndryshimi i ligjit elektoral dhe formës së zgjedhjes së Presidentit të shtetit, që më në fund i pari i vendit të votohet drejtpërsëdrejti nga populli dhe kjo pozitë e lartë shtetërore, të nxirret përfundimisht nga kthetrat e kushtëzimeve dhe pazareve të pista të partive të kriminalizuara politike, të cilat po tregojnë përsëri, se interesimi i vetëm i tyre, është që serish ta rrezikojnë stabilitetin e vendit dhe pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës.

Koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve, doemos duhet bërë më shumë presion ndaj të gjitha partive politike, që pikërisht në këtë legjislaturë, mandati aktual, të jetë mandati i fundit i zgjedhjes së Presidentit nga vota e deputetëve në parlament, dhe ti kthehet e drejta qytetarit që të deklarohet, e përcaktojë me votën e tij, si dhe ta vlerësojë vetë se kush e meriton këtë pozitë kaq të lartë shtetërore. Vetëm sovrani e di më së miri se cila është figura me e pranueshme e përfaqësimit të unitetit politik dhe qytetar në vend, kusht që e thekson qartë edhe vet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por që në praktikë, mjerisht nuk u lejua të jetësohet asnjëherë, pikërisht për shkak të egos karrieriste e preferencave mafioze të individëve të inkriminuar e liderëve fallco brenda partive të kriminalizuara politike.

Madje partitë e inkriminuara me politikën e tyre të degjeneruar dhe tërësisht të papërgjegjshme, të cilat tash e mbi një dekadë e mbajnë të kapur nga çdo anë shtetin dhe kanë mbërthyer cilindo institucion të tij zyrtar, vazhdojnë ta mbajnë peng edhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit duke degraduar për vite të tëra ndryshimin e gatshëm të Kushtetutës për të cilin është punuar dhe investuar gjatë, që zgjedhja e Presidentit të vjen drejtpërsëdrejti nga vota e qytetarëve dhe jo nga pazaret kriminale politike që për qëllim kanë, vetëm kapjen sa më të fuqishme të shtetit dhe institucioneve e posteve më të larta shtetërore. Është nevojë e domosdoshme e kohës dhe momenti vendimtar, që tanimë përfundimisht, të dilte një iniciativë e tillë nga vet Presidentja Osmani, në rast se ajo zgjidhet në këtë pozitë, pasi që edhe vet ka qenë bashkë kryesuese e komisionit i cili ka punuar në hartimin e amendamenteve përkatëse dhe bërjen e ligjit për zgjedhjen e të parit të shtetit nga populli, si dhe kompetencat dhe pozitën e Presidentit të vendit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".