Lexoni edhe:
Ndryshimi i dekadës në qeverisjen e shtetit e çliron edhe drejtësinë për ta filluar ndjekjen e kriminelëve për krimet e luftës
Shkruan: ANALIST- Ragip Guraziu
Është e pa kuptimtë të arsyetohen aq lehtë sot mekanizmat e drejtësisë, prokuroria dhe policia, kinse po luftojnë me efikasitet e me këmbëngulje dukuritë kriminale në vend, duke luajtur këto skena të shpeshtuara teatrale. Ne si analist dhe qytetar nuk po shohim rezultate të prekshme, Peshqit e mëdhenj të krimit e të korrupsionit po mbeten nën hijen e këtyre aksioneve mashtruese prandaj e them me plot të drejtë se me spektakle të tilla jemi lodhur dhe jemi bërë monoton qe plot 22 vjet.
- Me aksionet e tilla që po paraqiten tani, nuk është se po bëhet ndonjë prerje e madhe mes politikës dhe krimit të organizuar. Përmes këtyre aksioneve po bëhen përpjekje për mbulesë të aferave të së vjedhjes së pa ndashme të pasurisë së shtetit nga ata që janë në pushtet. Në këtë rast do duhet të përmendim vetëm këto aferat që ndodhën në mandatin e fundit qeverisës, derisa Kryeministër ishte Avdullah Hoti. Tash me këto aksione po tentohet të mbulohet hajnia e madhe e arkës së shtetit dhe skandalit të fundit në Ministrinë e Bujqësisë raste për të cilat nuk ka raportime të reja.
Qytetari nuk i harron aq lehtë sepse është mësuar me improvizime pas skandaleve. Këto veprimet e fundit që po paraqiten përmes konferencave të shtypit, për aksione të policisë dhe disa arrestime të pa rëndësishme janë tentativë të pastra që të mbulohen vjedhjet bombastike të muajve të kaluar. Edhe pse veprime të tilla kundër të krimit të zakonshëm ordiner duhet të ketë në vazhdimësi, pra atë nuk duhet nënçmuar, nuk është edhe për tu mbivlerësuar dhe shfrytëzuar atë për vjedhjet milionëshe e miliardëshe të buxhetit të shtetit nga lidhjet mafioze me politiken, që nuk po hetohen, nuk po ndiqen e nuk po ndëshkohen.
Besimi i humbur te qytetarët në institucionet e sundimit të ligjit nuk mundë të kthehet pa arrestimin dhe gjykimin e peshqve të mëdhenj, të pushtetarëve që me vite të tëra janë vendosur në kupolën e shtetit dhe kanë zhvatur me mjeshtëri, sepse për ta nuk ka hetim, nuk ka aktakuza dhe nuk ka fare drejtësi as polici. Pra, të gjitha këto aksione të fundit të Drejtorisë për Hetimin e Krimit ne po i shohim me sy skeptik, si një përpjekje për ta mashtruar qytetarin e zhgënjyer në drejtësi, si fushatë të zhurmshme kinse për luftimin e krimit të organizuar, derisa janë harruar milionerët që u pasuruan kriminalisht në të gjitha format e mundshme të abuzimit me pushtetin.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".