Të ndalohet financimi i mbrojtjes së të akuzuarve nga Gjykata Speciale për vrasjet e shqiptarëve!

Të ndalohet financimi i mbrojtjes së të akuzuarve nga Gjykata Speciale për vrasjet e shqiptarëve!

Gani Qarri

  • 11 April 2021 - 08:23

Shkruan: ANALIST- Gani Qarri

Duke pasur parasysh faktin se shteti, apriori ka marrë përsipër, të parapaguaj edhe mbrojtjen e multi-milionerëve të arrestuar nga Gjykata Speciale, urgjentisht, duhet të miratohet në Kuvend Ligji i Vettingut dhe ai i dekriminalizimit të pasurive të kundërligjshme të ish zyrtarëve të hierarkisë më të lartë shtetërore, në mënyrë që Qeveria e re e vendit, të mos lejojë, keqpërdorimin e mëtejmë të parave publike të buxhetit të varfër te Kosovës, për t’u pasuruar akoma më shumë ish pushtetarët, tani të akuzuar para Gjykatës Speciale për krime Lufte dhe vrasjen e qindra shqiptarëve.

 

Dështimi total i drejtësisë se manipuluar vendore, nga SHIK-u ilegal, sidomos në periudhën 13 vjeçare të pas shpalljes së pavarësisë, kur në emër të luftës, në krye të shtetit dhe pushtetit vendor erdhën njerëz me të kaluar kriminale, çdo gjë e mori të mbrapshtën, duke filluar që nga vrasjet e mijëra shqiptarëve e deri te kapja e gjykatave, sistemit të drejtësisë dhe vet shtetit të Kosovës, të cilët menjëherë pas marrjes së kompetencave nga ndërkombëtarët, në postet kryesore të institucioneve më të larta shtetërore, katapultuan njerëzit e vet më të dëgjueshëm që kishin për obligim, të vepronin sipas urdhrave të tyre, duke sunduar arbitrarisht vendin .

Ndaj dhe jo rastësisht, tash e mbi 13 vite , qysh kur të inkriminuarit erdhën në pushtet, gjyqësia, prokuroria dhe qindra gjyqtarë e prokuror të shitur e të shantazhuar nga mafio-politika, për vite të tëra, kanë ngritur duart dhe u janë dorëzuar plotësisht, para korrupsionit masiv dhe krimit të organizuar që e ka kapluar gjithë shtetin ne te gjitha segmentet e tij.

Kështu që, në vend të hetimit dhe ndjekjes së personave me pretendencë  kriminale, prokuroria dhe gjykatat, ende vazhdojnë t`ua bëjnë atyre avokatinë nga zyrat e prokurorise se shtetit dhe nga zyrat e te gjitha  Gjykatave ne Kosove  dhe i mbrojnë ne kundershtim me ligjet te gjithe zyrtarët e kriminalizuar deri në ish presidencën e kryesuar nga kuislingu Hashim Thaçi.                                                                                                                                                                                                                                      

Dhe megjithëse kryeprokurori i shtetit i katapultuar kundërligjshëm në pozitën e lartë që ende mbanë, nga Kadri Veseli dhe Klani kriminal Pronto, rrah gjoks në vazhdimësi se kinse, dikasteri shtetërorë që ai drejton, ka bërë shumë hetime, dalja para gjyqit dhe dënimet ndaj zyrtarëve të lartë shtetëror të inkriminuar në korrupsion e krim të organizuar, pothuajse është zero. Për aq më tepër, të gjitha të dhënat publike, dëshmojnë se, në gjykatat dhe prokuroritë e vendit, ka me mijëra lëndë të cilat jo vetëm se nuk gjykohen, por ato qellimisht BLLOKOHEN  e vjetërsohen dhe parashkruhen apriori, pa u shqyrtuar ligjërisht kurrë.

Madje edhe pse Agjencia Kundër Korrupsionit, në vijimësi dërgon në prokurori dhe gjykata, kallëzime penale, kur bëhet fjalë për ish zyrtar të lartë në institucionet shtetërore, ato as që trajtohen fare, apo merren në shqyrtim me vonesë, vetëm atëherë kur afati i tyre ligjor kalon dhe ato bien nga fuqia.

 Dhe megjithëse viteve të fundit, numri i prokurorëve në Kosovë, është rritur ne rreth 200 sish , në vend se të ulet numri i lëndëve të krimeve të rënda, ato sa vije e shtohen edhe më tepër duke u bartur, lëndët nga viti në vit, për shkak se, rastet kundër zyrtarëve të nivelit të lartë, nuk kane as vullnet dhe as guxim t’i trajtojë askush. Qeveria e sapo-zgjedhur e votuar me shumicë absolute nga Populli i Kosovës, duhet ta kontrollojë me rigorozitet të madh, secilin shpenzim të parave të buxhetit të shtetit, të cilat së fundi kanë filluar të ndahen dhe paguhen zyrtarisht në emër të mbrojtjes së grupit të parë të të akuzuarve të prirë nga HashimThaçi, në Gjykatën Speciale, kur dihet mirëfilli nga mbarë opinioni publik, se ata janë zhvatesit e multimilionerët më të mëdhenj, ndoshta jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë. Madje përkundër faktit se pikërisht ata, janë pasanikët më të mëdhenj të pasluftës, burimet e pasurisë së tyre, ende nuk i di askush saktësisht.  Por megjithatë, sipas raportimeve zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, deri më tani, shteti ka paguar rreth gjysmë milioni euro, vetëm për avokatët e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, avokatët më të shtrenjtë që vetë të akuzuarit i kanë përzgjedhur, përkundër faktit se nga ana tjetër, janë vënë në funksionim edhe Fondet e themeluara private për mbrojtjen e Thaçit dhe të Kadri Veselit me të tjerët, fonde që nuk i japin llogari askujt, nuk i bëjnë transparente shumat e mbledhura financiare dhe as emrat e donatorëve të mundshëm. Pra çdo gjë, vazhdon të zhvillohet në mënyrë plotësisht konspirative, sikur ata edhe nga Haga, ta sundojnë vendin si mbretër.  Kështu që në një gjendje të tillë kaosi e mos-transparence totale, është tepër e pa drejtë dhe plotësisht e pa arsyeshme marrja përsipër nga shteti , e mbulimit të të gjitha shpenzimeve për mbrojtje të të akuzuarve, kur dihet mirëfilli pasuria e tyre shumëmilionëshe që ata kanë grumbulluar në mënyrë të kundërligjshme, gjatë udhëheqjes së tyre mafioze në dy dekadat e pasluftës, pasuri tërësisht e dyshimtë e krijuar me zhvatje e plaçkitje të buxhetit të shtetit, e pa-hetuar asnjëherë në detaje dhe e pa verifikuar kurrë nga organet shtetërore të drejtësisë, së kapur të Kosovës.  Madje ka informacioine të sigurta që, pikërisht të akuzuarit kryesor për krime lufte nga Gjykata Speciale, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, kanë edhe biznese të fuqishme në pronësi të vet personale, por që për të humbur gjurmë,  i kanë të regjistruara dhe menaxhuara formalisht nga njerëz të besuar në shërbimin e tyre, kështu që ata jo vetëm se nuk janë të rrezikuar për mungesë të financimit të mbrojtjes së tyre, por përkundrazi, bizneset që i kontrollojnë, gjirojnë 10 fish më shumë të ardhura milionëshe, sesa shpenzimet brenda krejt vitit. Ndaj, ndihma nga shteti dhe fondet private, janë vetëm mbulesë për kamuflimin e pasurive të tyre të grumbulluara në mënyrë të paligjshme, dhe nisur nga kjo, mbrojtja nuk është aspak e varur nga buxheti i varfër i shtetit të Kosovës, të cilin në vend se ta ndihmonin sa ishin në pushtet, ata e zhvatën e shkatërruan dhe e varfëruan pa asnjë mëshirë, deri në momentin e arrestimit të tyre, nga Gjykata Speciale.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".