Me ligjin për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme fillon çkapja historike e shtetit nga krimi

Me ligjin për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme fillon çkapja historike e shtetit nga krimi

Gani Qarri

  • 15 April 2021 - 07:33

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Fakti se kryeministri Albin Kurti përkundër të gjitha kritikave, vijon përkohësisht të qëndrojë i heshtur përballë kundërshtarëve politik, të cilët nga populli shihen më tepër si mafioz e plaçkitës, se sa si politikan të njëmendtë, është një lloj momentumi që nuk zgjat shumë dhe ka efekt të kundërt, nga ai që ata mendojnë. Siç u pa në mbledhjen e fundit të Qeverisë, së shpejti edhe në Kosovë do të fillojnë të flasin ligjet dhe sistemi i reformuar i drejtësisë, e jo më të bëjnë propagandë hajnat, kryeministrat e kriminalizuar as qeveritarët e korruptuar dhe prokuroria e gjyqësia e kapur prej tyre, si deri më tani.

Duke pasur parasysh se vet Prokuroria Speciale vazhdon që ta pengojë dhe pamundësojë në mënyrë tepër të pa skrupullt e skandaloze edhe angazhimin pozitiv e serioz të Agjencionit Kundër Korrupsionit, jo vetëm hetimin e zbulimin por edhe publikimin e detajuar të pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit dhe mënyrën sesi ata kanë ardhur deri të krijimi i gjithë asaj pasurie, Qeveria e re, pas dy dekadash korrupsioni e inkriminimi të ish qeverive dhe zyrtarëve më të lartë shtetëror, procedoi përfundimisht Ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Për aq më tepër, sipas njoftimeve zyrtare nga vetë AKK-ja, megjithëse Agjencia Kundër Korrupsionit po vazhdon të dërgojë pandërprerë kallëzime penale për korrupsion në prokuroritë e Kosovës, ato nuk po trajtohen me kohë as prioritet të duhur. Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, edhe pse Agjencia në fjalë, në bazë të kompetencave ligjore që ka, është përgjegjëse për zhvillimin e procedurave hetimore paraprake të rasteve të dyshimit për korrupsion, ndaj dhe pas hetimeve, ajo ngre edhe kallëzimet penale në prokurori, prokuroria e kapur, injoron edhe bashkëpunimin të cilin e ka obligativ sipas ligjit me AKK-në, duke lënë qëllimisht, këto kallëzime penale, të mbeten të deponuara në sirtarët e Prokurorisë.

Kështu që, për herë të par, pas më tepër se 21 viteve kaosi ligjor, politik e qeverisës, Qeveria e re, kryeministri dhe ministrat, përgatitën një ligj të veçantë, nga i cili , tash e tutje, jo vetëm se do të ndalohen korrupsioni, vjedhjet e plaçkitjet e mëtejme, siç veprohej në vitet e zymta të qeverisjeve të paligjshme, që nuk zgjatën hiq më pak, se rrafsh dy dekada, por nga ky ligj, do ti kapë sëmundja e zemrës, shumë ish zyrtar, qeveritar dhe ministra të involvuar në korrupsion e krim të organizuar, përmes të cilave kanë grumbulluar miliona gjatë 21 viteve të sallamerisë së qeverisjes së tyre të kriminalizuar.

Ndaj dhe është shumë e pakuptueshme se si këta njerëz ende nuk duan ta shohin, se ka kaluar koha e tyre, ishte populli i këtij vendi, që u lodhë nga kriminaliteti që ata mbollën kudo dhe nuk i deshi më në detyrë zyrtare as pushtet, por megjithatë sipas raportimeve nga PSRK-ja, edhe pas ardhjes së Qeverisë së re, janë disa raste të ish pushtetarëve të lartë të shtetit, në proces të punës që dyshohen për korrupsion, por nga zyrtarët e korruptuar, të cilët nuk janë zëvendësuar ende, nuk lejohet të zbulohen detajet, se kush janë ata ish pushtetarë të kriminalizuar, kur janë dorëzuar faktet dhe kur pritet ngritja e aktakuzave, kundër tyre.

Madje po kjo prokurori ka njoftuar se janë ngritur 10 aktakuza për shkak të rasteve të shenjëstruara vitin paraprak, kurse deri tash janë shenjëstruar edhe rreth 60 raste të reja, dhe prej tyre 35 sosh kanë të bëjnë me korrupsion, 25 me krimin e organizuar, kurse disa të tjera, tanimë janë në fazën e pezullimit, kinse në mungesë të fakteve.

Kështu që vet zvarritja dhe pezullimi i këtyre rasteve, flasin më së miri për lidhjen e ngushtë të prokurorisë speciale me krimin e organizuar, madje rastet e tilla, jo vetëm se nuk japin rezultate konkrete pozitive as negative për kohë të shkurtër, por minimalisht, edhe hetimet zyrtare duhet pritur të zgjasin për dy vjet.

Ndaj komplet ish kasta e kriminalizuar, dëshmuan se nuk e deshën pushtetin për të udhëhequr me vendin, por për tu martuar me shtetin dhe abuzuar me të mirat dhe pasuritë e tij, duke i përvetësuar të gjitha për veti dhe familjarët e vet, varfëruar Kosovën dhe mjeruar qytetarët e saj, të cilët më tepër se para lufte, u detyruan të iknin nga vendi, pas çlirimit nga Serbia, gjë që u bë shkak, që populli ti dënoi në atë masë dhe mënyrë të merituar, sa nuk ka ku të shkojë më përpiktë, dhe përveç dërgimit në opozitë, tani pritet të futet edhe VETING-u si dhe të merret edhe vet ligji me ta.

Dhe siç u dëshmua edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë së re, kryeministri i ri, së shpejti pritet të dal me një plan të fuqishëm, i cili fillimisht do ti çrrënjosë rrënjët e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, për të mundësuar ecjen e vendit përpara dhe nisjen nga stagnimi i gjatë i ish qeverive të kriminalizuara, drejt zhvillimit të mirëfilltë politik dhe pas 21 vitesh kaosi ligjor e politik, përfundimisht të krijoi stabilitet dhe mirëqenie, jo më vetëm për qeveritarët dhe familjet e tyre, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".