Përmes VETTING-ut, të spastrohen lidhjet me krimin e organizuar në prokurori, në gjyqësi dhe në polici të shtetit!

Përmes VETTING-ut, të spastrohen lidhjet me krimin e organizuar në prokurori, në gjyqësi dhe në polici të shtetit!

Gani Qarri

  • 16 April 2021 - 07:52

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Duke ditur se pasurimi antiligjor, përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar janë veprime që dëmtojnë rëndë jo vetëm ekonominë, por varfërojnë qytetarët dhe pengojnë edhe zhvillimin dhe ecjen përpara të vendit, për të gjitha rastet e dyshimta, është e nevojshme dhe e domosdoshme, që të zhvillohet ndjekja edhe "ex offico" dhe të hetohen deri në detaje, të gjitha dyshimet për çfarëdo vepre penale të pasurimit të kundërligjshëm për të ndaluar përfundimisht zhvatjen e mëtejme të pasurive dhe parasë publike, si dhe çrrënjosur krimin dhe korrupsionin në vend.

Duke pasur parasysh faktin se sistemi i kalbur i drejtësisë, ka dështuar plotësisht në konfiskimin e pasurive të paligjshme të grumbulluar përmes aktiviteteve kriminale të zyrtarëve të profilit të lartë shtetëror e politik në dy dekadat e fundit në vend, kjo iniciativë e Qeverisë, megjithëse plotësisht e qëlluar, pothuajse është "terra integnita", apo fushë tërësisht e panjohur për sistemin e kapur të drejtësisë në Kosovë, pasi që deri më tani ende nuk kemi asnjë zyrtar shtetëror të cilit i është konfiskuar pasuria nga ajo,nuk jana hetuar as dënuar me burgim efektiv dhe dërguar në vuajtje të dënimit.

Madje me aq sa jemi të informuar ne dhe mbarë opinioni i gjerë vendor, deri më sot nuk është hetuar shuma as vendndodhja e pasurive të paligjshme të asnjë politikani të inkriminuar dhe siç kemi theksuar edhe para dy tre vitesh në gazetën "Kosova Sot", një pjesë e madhe e pasurisë së paligjshme monetare, është transferuar me kohë, nga mafio-politikanët, jashtë vendit dhe te qindra miliona eurove të vjedhura për më tepër se 22-23 vite, duke filluar qysh nga fondet e luftës për Kosovën, kanë përfunduar masivisht në parajsat fiskale evropiane dhe botërore, që nga Zvicra, Gjermania, Austria, Malta, Dubai,”Virgin British” e deri në Panama dhe ishujt "Island" Kështu që konfiskimi i pasurisë së grumbulluar në mënyrë të paligjshme, nga politikanët dhe mafio oligarkët e kriminalizuar, përbën një nga problemet kryesore në luftimin e krimit të organizuar.

Dhe, në mënyrë që kjo iniciativë, të mos mbetet vetëm në letër, por të zbatohet edhe në praktikë, pikë së pari duhet të spastrohen rrënjësisht Prokuroria, Policia e Gjyqësori, si dhe përveç hyrjes në fuqi të ligjit përkatës, duhet të përdoren edhe praktika stimuluese për të suksesshmit dhe ata që tregohen më të mirët, praktika këto të ofruara edhe në shtetet e BE-së, për të quar një iniciativë përpara dhe kurorëzuar me sukses atë, deri në fund. Ndaj është fatkeqësi e pajustifikueshme jo vetëm juridike, por edhe politike e shtetërore, se pse deri më tani nuk është hetuar asnjë pasuri e politikanëve të inkriminuar, brenda as jashtë vendit, kështu që është koha vendimtare që të veprohet me urgjencë në këtë drejtim, për vet faktin se pasuritë e tilla janë krijuar me hajni, plaçkitje e zhvatje të buxhetit të varfër të Kosovës, i  mbledhur nga taksapaguesit e ndershëm të shtetit tonë të brishtë. Pasi që Qeveria e re, e ka filluar punën shpejt e mjaft seriozisht, me të drejtë pritet, që ky vit të sjellë shumë ndryshime domethënëse në rivendosjen e rendit e të ligjit si dhe çuarjen e drejtësisë në fushat më të rëndësishme, e veçanërisht sa u takon pasurive të pajustifikueshme dhe korrupsionit e krimit të organizuar, në vend.

Dhe ashtu siç ka bërë së fundi me dije vet kryeministri Kurti, nga tash e tutje, do të ndodhin ndryshme të rëndësishme në vend, ku sidomos pas votimit të Ligjit në Kuvend, pritet që gjatë vitit në vijim,  të realizohen konfiskimet e para të pasurisë së oligarkëve dhe mafio politikanëve që u pasuruan në kurriz të shtetit e qytetarëve të Kosovës brenda natës dhe u bënë biznesmen me para të pista, të përvetësuara në mënyra të kundërligjshme.

Për këto dhe qindra shkaqe tjera të pa cekura me këtë rast, Qeveria e re e Kosovës po e trajton me procedurë të shpejtë Ligjin për konfiskim të pasurisë së pa justifikueshme, duke i dhënë në mbledhjen e fundit të Qeveris, dritë të gjelbër edhe hapjes së rrugës për draftimin e shpejtë të ligjit për miratim në Kuvend dhe hapur të gjitha rrugët sistemit të kapur të drejtësisë, të cilit deri më tani, i mungonte vullneti për veprim, për të hetuar rrënjësisht dhe konfiskuar pasuritë e paligjshme të zyrtarëve të lartë të shtetit, si një nga pasojat më serioze të lidhjes së drejtësisë me krimin dhe kapjen e këtij sistemi nga rrjetet kriminale dhe politika kromogjene.

Dhe tash e tutje, asgjë nuk e pengon më Prokurorinë Speciale që të hetojë pasuritë e pafund të politikanëve te inkriminuar dhe të të ashtuquajturve "peshq të mëdhenj" edhe në shtetet e huaja, përderisa si shtet i pavarur, Kosova tanimë ka të drejtë bashkëveprimi të gjerë edhe me drejtësitë e vendeve të tjera, pasi që siç dihet edhe publikisht, destinacioni i qindra miliona eurove të vjedhura për dy dekada me radhë, përveç një pjese të vogël në Kosovë, pjesa më e madhe e tyre, kanë përfunduar masivisht në shtete të huaja dhe parajsat fiskale jashtë Kosovës. Mirëpo ajo që brengosë ende mbar opinionin dhe qytetarët e Kosovës, është fakti se përkundër nismës së mirë dhe veprimit të qëlluar të Qeverisë së re, me prokurorinë dhe gjyqësinë e vjetër, përfaqësuesit e të cilave janë edhe vet, të zhytur thellë në korrupsion e krim  të organizuar,  aksion i shenjtë i konfiskimit të pasurisë së kundërligjshme, mund vetëm të fillojë, por jo edhe të vazhdohet gjatë dhe zhvillohet e kryhet me sukses deri në fund.

Ndaj pa një reformë të thellë dhe Vetting rrënjësor, është shumë e vështirë të zbardhet e tërë skema kriminale e mafio politikës së kaluar të lidhur këmbë e krye me krimin e organizuar, nismë nga e cila do të tronditen keq edhe vetë partitë e kriminalizuara politike me liderët e tyre të inkriminuar, qysh në fillimin e zbatimit të këtij ligji dhe nisjes së konfiskimit të pasurisë së paligjshme, e cila me doemos duhet ti kthehet buxhetit të shtetit dhe popullit të Kosovës, ndërsa fajtorët të dënohen sipas ligjit dhe dërgohen në burg, për vuajtjen e dënimit të kërkuar e merituar që moti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".