Po dialogut, por paguani dëmet dhe ndëshkoni kriminelët e luftës!

Po dialogut, por paguani dëmet dhe ndëshkoni kriminelët e luftës!

Gani Qarri

  • 17 April 2021 - 09:03

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Para se të rifillojë dialogu me këtë shtet skajshmërisht arrogant dhe ish okupator, Qeveria e re, duhet ta mbaj me vendosmëri dhe të pandryshuar po këtë kurs të deklaruar nga zonja Donika Gërvalla para KS të OKB-së për dialog me Serbinë, pavarësisht numrit dhe niveleve të presioneve që mundë ti vijnë asaj nga jashtë me mesazhe diplomatike, pasi që regjimi serb ishte ai që dogji e shkrumboi dhe masakroi një popull të tërë në shtëpitë dhe vatrat e veta stërgjyshore me dhunë masive dhe gjenocid të pashembullt kriminal e antinjerëzor.

Se populli fatlum i Kosovës më 14 shkurt, përfundimisht goditi mu në kokë kriminelët dhe realizoi synimin e tij të shumëpritur me sukses të plotë, duke përcaktuar fituesit e zgjedhjeve dhe dërguar në pensionim të merituar partitë tanime te inkriminuara, e dëshmoi më së miri vet përfaqësuesja e sapo zgjedhur e Kosovës, Ministrja e Punëve të Jashtme, të shtetit tonë, Donika Gërvalla, e cila shkëlqeu 100 % edhe në përballje me Rusinë dhe Serbinë, duke i mundur që të dyja, në ballafaqimin e hapur publik në KS të OKB-së. Por mjerisht, me këtë rast duhet kujtuar faktin se, që nga vendosja e fusnotës së famshme nga kuislingu Hashim Thaçi mbi statusin e shtetit të Kosovës, dhe fillimi i bisedimeve me Serbinë, para mese 10 vitesh, duke e kthyer nga Thaçi me shokë, Kosovën e pavarur  në krahinë të Serbisë, kundërshtimi i krimeve dhe gjenocidit si dhe kërkim falja dhe dëmshpërblimi për to, jo vetëm që janë hequr tërësisht nga rendi i ditës, por Serbia vazhdon të kërkojë edhe hise në pasuritë dhe tokat e pakta të Kosovës, të shpallura edhe nga renegati me nam Hashim Thaçi si toka të Rankoviqit, i cili u hapi të gjitha dyert pretendimeve territoriale të Serbisë, duke kërkuar vet publikisht edhe ndihmën e ndërkombëtarëve në Alpbach të Austrisë, për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës.

Ndaj vetëm në këtë rast, Serbia mori goditjen e parë të fuqishme, si asnjëherë më parë në KS të OKB-së, nga Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, si dhe paralajmërimin më serioz të deritanishëm, se Kosova nuk i frikësohet fare dialogut, por nuk mundë të ketë pajtim dhe bisedime me këtë shtet kriminal, derisa  qeveria e Serbisë okupatore, nuk e pranon krimin dhe gjenocidin e shkaktuar, në mënyrë të organizuar shtetërore kundër shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës, nuk kthen mbi 1763 trupat e të kidnapuarve që tash e mbi 21 vite i mbanë peng në Serbi, nuk shfaq kërkim falje publike dhe nuk pranon te gjykohen kriminelët e saj, si dhe të kompensohen të gjitha dëmet e luftës, në njerëz, pasuri, dëmet morale dhe materiale të shkaktuara, në mënyrë të organizuar shtetërore në Kosovë. 

 Për aq më tepër, edhe vet presidenti aktual Vuqiq i këtij shteti agresor, ishte ministër Gebelsian i informatave të kasapit Millosheviq, që në vitet e okupimit klasik të Kosovës nga Serbia, kur ushtria dhe policia pushtuese serbe dogji e shkatërroi gjithçka para vetes, shkaktoi  terrin e plotë informativ duke mbyllur me dhunë dhe djegur e shkrumbuar të gjitha mediat e asaj kohe të cilat edhe në atë gjendje tragjike sfidonin okupatorin serb dhe informonin aq sa dhe si mundnin e arrinin, qytetarët e robëruar të Kosovës. 

 Madje në shenjë hakmarrje ndaj  raportimit besnik dhe mbështetjes kontinuitive të aleatëve të NATOS për liri, ndër viktimat e zgjedhura nga mediat më 24 mars 1999 ishin pikërisht objektet e gazetës kombëtare "Kosova Sot" si dhe shtypshkronja e saj që u sulmuan  si cakun  e parë te tyre në Prishtinë ku në fakt nuk kishte luftë të hapur, por megjithatë vetëm pse ishte media shqiptare, u dogj me urdher te Vuqiqit dhe u bë shkrumb e hi nga forcat okupatore militare serbe, duke ndarë fatin e njëjtë me qytetarët e vendit, në shërbim të të cilëve ishte vënë atëhere, mision i njëjtë i kësaj gazete, e të cilin mision po e  vijon edhe këto 22 vite në liri, por tanimë i kufizuar dhe bllokuar nga vet “hienat vendore” dhe mbetjet kriminale të regjimit të atëhershëm dhe të tashëm të Aleksandër Vuçiqit, edhe në Kosovën e pasluftës.

 Kështu që vendosja e kriminelëve e kryeseve të krimit dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, kthimi i mijëra trupave të kidnapuara që Serbia fashiste edhe mbi 21 vite pas lufte, vazhdon ti mbajë peng, fatura e dëmeve të luftës, përdhunimeve, masakrave etj, duhet të mbetet përfundimisht kushti numër një, për t’i hapur rrugë pajtimit dhe dialogut për marrëveshje finale dhe njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".