Qeveria në dialog me Serbinë, pa projektin e ndarjes të nisur nga Thaçi

Qeveria në dialog me Serbinë, pa projektin e ndarjes të nisur nga Thaçi
Qeveria në dialog me Serbinë, pa projektin e ndarjes të nisur nga Thaçi

Dr. Hysni Aliu

  • 25 April 2021 - 07:33

Shkruan: ANALIST- Hysni Aliu

Kosova, më në fund ka një kryetare shteti  dhe një kryeministër në të cilët mundë të besoj, si në aspektet e politikës së brendshme ashtu edhe të jashtme, gjeostrategjike  por edhe në çështjen e dialogut me Serbine. Më herët, thuhej që bisedimet janë ngritë  në nivelin e kryetarëve të shtetit, dhe kjo ishte edhe arsyeja që z. Thaçi dhunshëm u zgjodh për kryetar, vetëm e vetëm që Vuçiq ta ketë përballë, njeriun që është i shantazhueshëm për shkak të kaluarës së tij, ndërsa tash kur z. Thaçi gjendet në Hagë, si duket nuk na qenka më dialog në nivel presidentesh. 

 Deklarimet e  PDK- së se nuk do të marrin pjesë në dialog, dhe gjoja se po e mbrojtkan shtetin e Kosovës nga lëshimet e mundshme në  këtë dialog, janë neveritëse. Kjo i bije që ja lërmëni mua të vjedhë ja nuk e lejoj askënd të veproj,  madje as në mënyrë normale. Këta që ishin të gatshëm të bëjnë kompromise, deri në një masë që ta ndajnë vendin e vetë, të falin krejt krimet e luftës sepse ato qenkan vjetruar, janë të privuar nga e drejta e moralizimit të tjerëve. Këtu në Finlandë, vetëm borxhet ndaj shtetit vjetërsohen, ndërsa krimet dhe kriminelët kërkohen deri në pafundësi. Unë besoj që Znj. Osmani dhe Z. Kurti, duhet ta formojnë grupin negociues më të mirin të mundshmin, grup i cili integron në vetvete, njerëzit më të dijshëm të kësaj  lëmie,  ekspertët më të njohur për çdo temë që diskutohet në atë dialog, duke përfshirë këtu, edhe njerëzit këshillëdhënës nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermanisë e Franca. 

Përvoja e Britanisë së madhe duhet të shfrytëzohet, për shkak të negociatave që patën me BE-në për shkëputje. Në këtë grup negociues, duhet të përfshihen njerëzit që janë largpamës, që nuk janë të shantazhushëm e as të manipulueshëm.  Pra, e kaluara e secilit nga anëtarët e grupit negociues si ekspert apo politikan duhet të hulumtohet nga AKI dhe ambasadat mike në Kosovë.  Tek pastaj të emërohen në funksione të caktuara. Në këtë mënyrë, populli do qëndronte lirshëm në vendin e vetë sepse përfaqësohet nga njerëzit që me të vërtetë e sakrifikojnë vetveten për shtetin. Përmendja e z. Blerim Shalës, si njeri  nga njerëzit e këtij grupi negociues, për mua ishte teper  tronditëse. 

Unë po vërej një luftë të ndytë e dashakeqe mediale  ndaj kësaj qeverie dhe presidentes, andaj shpresoj që edhe ky lajm të mos jetë i vërtetë. Blerim Shala, është i pabesueshëm, labilitetin e tij e ka treguar në çdo nivel, por edhe lojalitetin ndaj të keqes që vinte nëpërmes ish presidentit të vendit Thaqi. 

Si rrjedhojë, përfshirja e njerëzve të përlyer, ose në rastin më të lehtë, njerëzve që nuk kanë dal publikisht për ta kundërshtuar një plan shkatërrues për shtetin, do të ishte përlyerje apo infektim i grupit negociues që në start, me figura që njërën këmbë e kanë në shërbimet sekrete të huaja, si në  Beograd, ndërsa tjetrën këmbë brenda Kosovës duke infektuar me “Covid” grupin në të cilin punon. Personalisht, jam shumë skeptik  që në këto bisedime do arrihet diçka, përderisa Kosova është e dobët ndërsa Serbia është forcuar tej mase.

SHBA dhe miqtë tjerë ndërkombëtar, duhet së pari ti ndryshojnë raportet në teren, duke forcuar Kosovën dhe Shqipërinë, e tek pastaj Serbia do të jetë e mbështetur për muri ku në mes të këqijave do vendosë për një më pak të keqe. Kurrë në të kaluarën, nuk mbaj mend që është ndrequr diçka me Serbinë nëpërmes negociatave.  Faktori ndërkombëtar, duhet të ndihmoj në hapjen e urës së Ibrit, në zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë, duhet ti mundësoje  presidentes dhe kryeministrit që të vizitojnë lirshëm çdo cep të vendit, duhet të ri-ndërtohen shtëpitë e shqiptarëve në veri, duhet të lirohen pronat e uzurpuara nga serbët në veri të Mitrovicës, e edhe të tjerëve në viset tjera të Kosovës nëse ka të tilla, duhet të ndërtohen rrugët dhe autostradat që lidhin tërë vendin veri juglindje perëndim, ku të gjitha këto së bashku  me shumë të tjera që do pasonin, do e bënin kompromisin  në dialog të besueshëm dhe të mundshëm.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".