Një rregullore e re për Kuvend, të sanksionohen deputetët e papërgjegjshëm

Një rregullore e re për Kuvend, të sanksionohen deputetët e papërgjegjshëm
Një rregullore e re për Kuvend, të sanksionohen deputetët e papërgjegjshëm

Shefik Shkodra

  • 05 May 2021 - 07:53

Shkruan: ANALISTI - Shefik Shkodra

Mungesa e çdo deputeti pa arsye duhet të sanksionohet me ndalesë në pagën mujore edhe atë në mënyrë të theksuar. Deputeti duhet ta dijë kush e ka dërguar aty, çfarë detyre ka dhe a bën punë për aq sa paguhet. Në fund të vitit, OJQ-t duhet të përcjellin dhe ta masin punën e grupeve parlamentare, të komisioneve, të Kryesisë së Kuvendit dhe të çdo deputeti veç e veç. 

Çdo organizatë, shoqatë e institucione tjera publike duhet të kenë (edhe i kanë) rregullore pune në mënyrë të detajuar, për të funksionuar sa më mirë e me efikasitet. Edhe Kuvendi i Kosovës është e domosdoshme që të bëjë një rregullore tjetër më të përshtatshme. Rregullorja e tashme e Kuvendit është e mirë, por për njerëz me vetëdije e të kulturuar, me përgjegjësi e vetëkritikë ndaj punës: ardhja (prezentimi) i domosdoshëm në seanca i grupeve partiake, por edhe i individëve; kujdesi në debate e kritika ndaj njëri-tjetrit, çfarë fjalori përdor secili që i teket me sulme; të ketë secili kujdes çka thotë dhe për çka duhet të bëhet fjalë; a është në funksion të rendit të ditës dhe interesit për çështjen, etj.

Koha prej dhjetë minutash për disa është e tepërt, kur kihet parasysh sa herë i përsërit fjalët e fjalitë gjatë diskutimit të ndonjërit (ndonjërës) për atë kohë, dhe veç dialogun e ka në mend, apriori të përgatitur (një pjesë), sidomos opozita për sulme, qoftë krejtësisht pa arsye. Kjo do të duhej të vlejë edhe për pozitën. Rregullorja e përpiktë do ta favorizonte punën e seancave parlamentare. Ndryshe, nuk po dihet se çka është drejtë e konform me qëllimin. Me një pagë mujore më mirë se çdo kush edhe me mëditje shtesë e pagës, nuk e meriton deputeti të flasë çka t'i teket kur është rendi i ditës i caktuar, e ka dhe të tillë që ju kërcënohen të tjerëve. Me atë fjalor që flet dikush në parlament, para shokëve të vet nuk do të guxonte ta përdorë. Komisionet parlamentare (ndoshta) kanë program për veprimtarinë e tyre. Ato programe të tyre duhet të shihen dhe të paraqiten në kuvend se çka kanë punuar e çka kanë realizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".