Thaçi kishte bërë marrëveshje “renegate” me Vuçiqin, për faljen e krimeve të luftës

Thaçi kishte bërë marrëveshje “renegate” me Vuçiqin, për faljen e krimeve të luftës

Gani Qarri

  • 09 May 2021 - 08:19

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

I gjithë ky diletantizëm antikombëtar kombëtar dhe kundërshtetëror i renegatëve si Thaçit & Co, ishte anashkalimi më i pajustifikueshëm dhe i bërë vetëm për interesa kriminale të individëve dhe politikanëve të shantazhuar e të tej kriminalizuar, si Thaçi me shokë, ku prijës dhe udhëzues i të gjitha këtyre akteve tradhtare ishte vetë kuislingu Thaçi me vartësit e tij.

Heshtja e turpshme dhe e gjatë, për plot dy dekada e gjenocidit dhe krimeve serbe të luftës në Kosovë, mungesa e guximit për padi ndërkombëtare kundër Serbisë okupatore, si dhe ndalimi i shqyrtimit edhe të aktpadive private të shqiptarëve në gjykatat e vendit, nga kuislingu Hashim Thaçi & Co, po dëshmojnë katërçipërisht se një veprim i tillë monstruoz nuk ishte asgjë tjetër, përpos edhe një marrëveshje renegate, e heshtur dhe tinëzare e qeverive të kaluara që e filluan dialogun me fusnotë dhe nën kushte nënçmuese për Kosovën, si dhe anashkaluan qëllimisht çështjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës kundër shqiptarëve nga Serbia okupatore në Kosovë. Madje, kjo ndodhi në dy të mandatet e tij si kryeministër 2007-2010 e 2010-2014 dhe në një mandat të shkurtuar zëvendëskryeministër i Isa Mustafës e ministër i punëve te jashtme, si dhe një mandat gati të plotë i katapultuar në pozitën e presidentit nga 2016-2020 ,apo thënë më troç dhe qartë, gjithsejtë pothuajse rreth 14 vite qëndrimi të tij, në majat e pushtetit, gjithmonë në kooketim të afërt dhe të pandërprerë me politikanët serb përgjegjës për krime lufte në Kosovë, me funksione të larta në qeverinë e Serbisë deri te vet presidenti kriminel serb Aleksandër Vuçiqi.

Pikërisht kjo mënyrë e të sjellurit dhe qëndrimit renegat, dëshmon katërçipërisht se anashkalimi i temës së gjenocidit dhe mos vënia e krimeve dhe dëmeve të luftës në tavolinën e dialogut të deritashëm me Serbinë, ishte një pazar i turpshëm e kriminal i kuislingut me damkë Hashim Thaçit me shpresën, për amnistimin e tij nga Gjykata Speciale, dhe jo vetëm!? Për aq më tepër, këtë akt tradhtie të lart e të paprecedent ndaj shtetit të Kosovës, qytetarëve dhe gjithë familjeve të të vrarëve e të kidnapuarve shqiptar, nga kuislingu Hashim Thaçi tanimë, po e vërteton edhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq i cili, pas më tepër se dy dekadash të kaluara me Thaçin në krye, nuk kishte nevojë të brengosej fare, tani ka filluar ti lutet Qeverisë Kurti publikisht që të tërhiqet nga vendimi për ngritjen e padisë nga Republika e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për gjenocid dhe krime lufte të shtetit serb në Kosovë, me mbështetje të Shqipërisë. Madje Vuçiq, paralajmërimin e Qeverisë Kurti për ngritjen e padisë kundër gjenocidit dhe krimeve të luftës të shkaktuara nga Serbia okupatore në Kosovë, po përpiqet ta përdor në analogji të gabueshme dhe tërësisht të panatyrshme për ti dhënë dimension dhe kahe krejt tjetër, me aludimin e qëllimshëm se kinse padia për krimet serbe të luftës në Kosovë, në Gjykatën Ndërkombëtare nuk përdoret për dënimin e Serbisë, por për krijimin e "Shqipërisë së Madhe". Kështu që reagimi fashizoid i kriminelit Aleksandër Vuçiq, duhet t’i shërbej edhe si një motiv shtesë Qeverisë Kurti, për të mos e vonuar dhe ngritur sa më shpejtë këtë padi në Gjykatën Ndërkombëtarë të Drejtësisë dhe për të mos hezituar që fillimi i bisedimeve me Serbinë të kushtëzohet me marrjen e përgjegjësisë për krimet dhe gjenocidin e shkaktuar mbi popullin e Kosovës si dhe koston disa miliardëshe të dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia, të vendos ndër temat e para mbi tavolinën e dialogut me këtë shtet okupator, në Bruksel.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".