Të hetohet e ndëshkohet vjedhja klasike e 2.1 milion euro që ndodhën para syve të botës!

Të hetohet e ndëshkohet vjedhja klasike e 2.1 milion euro që ndodhën para syve të botës!
Të hetohet e ndëshkohet vjedhja klasike e 2.1 milion euro që ndodhën para syve të botës!

Shefik Shkodra

  • 14 May 2021 - 07:35

Shkruan:ANALISTI: Shefik Shkodra

Do të duhej të përgjigjej para gjyqi edhe Qeveria, përkatësisht ministrja dhe kryeministri. Për këtë ndodhi të fëlliqtë, as kryeministri Hoti e as ministrja e financave, Bajrami, nuk e zgjatën këtë punë. Kurrgjë kurrkujt. E kush do të duhej tjetër të jepte përgjegjësi?

-Është pak problem që drejtësia e sotme të rregullohet dhe të respektohet ligji. Megjithatë kjo çështje është e patjetërsueshme, nuk ka alternativë tjetër pos Vettingut, ngase gjendja është alarmante me keqpërdorimet e pasurisë shoqërore po edhe buxhetin shtetëror. Iniciativa për Vetting duhet të bëhet realitet. Veç duhet të shkohet me kujdes e saktësi, me ligj, pa mundur askush e asgjë të ndikojë në të kundërtën. Mori faktesh keqpërdorimesh ka, si duket edhe nëpër komuna, sigurisht me lidhje dhe në mbrojtje nga gjykatat, që sot gjykimet për afera të mëdha i kanë shndërruar, si thuhet, në dënime si për kundërvajtje. Tash po bëhet vjedhja publike e si "zyrtare". Merreni vesh këtë punë!

Dëshmia më markant dhe më e freskët është rasti i vitit të kaluar, në mandatin e LDK-s, u vodhën 2.1 milion nga vetë punëtorët e financave. Pas dy-tri dite llafe u hesht. Kurrfarë rezultati i publikuar. Asnjë njoftim para qytetarëve. As nuk u tha se parat u kthyen në vend, as nuk u gjykuan protagonistët e kësaj afere para krejt botës. Pastaj, kjo mbetet vërtet si vepër "për kundërvajtje", apo harrohet, sepse ka gjasa që të vazhdohet me afera të ngjashme apo edhe më të rënda. Cubat e Kosovës i mbron "ligji e gjyqi", sigurisht nga ndonjë dorë, me gjasë i ngarkuar nga ndonjë bajraktar. Dhe as pozitë as opozitë nuk po e përmendë më plaçkën nga kusarët tanë. Po për t'u ngërdheshë në Parlament ndaj shpikjes së ndonjë armiku, lehtë e bëjnë. Po 2.1 milion nuk ka lidhje pse janë plaçkitur. Ato janë mjete të qytetarëve. S'është hera e parë. Ka: "hala (ma) terr e bela" në Kosovën tonë të qeverisur prej Cubave të shek. XVIII, XIX, hajduq e plaçkatar, të moralshëm e "zullumçar", të klasit të parë në Ballkan. Në shtetin e ri e shumë të varfër. Këta është dashur të kthejnë parat dhe të dënohen me shumë vite burg. Një ligj i nevojshëm për mbrojtjen e jetëve e të pasurisë shoqërore, menjëherë për këtë do të duhej të përgjigjeshin edhe ministrja edhe kryeministri, së paku të na njoftonin për krejt ecurinë e ndodhisë dhe ku mbeten parat e shtetit.

Krahas ligjeve rigoroze për çështje të tilla, do të duhej Vettingu, sa më shpejt që është e mundur. Ndoshta edhe ndonjë prokuror dhe gjykatës do të duhej që të paguaj për papunën e tyre, apo ndoshta lidhjet janë të forta në relacionin: Hajduk- Oligark - Politikan. Ky trekëndësh mbetet me emrin e Cubave të Kosovës si para njëqind vite. Dhe thonë jemi në shek. XXI, po e bëjmë shtetin tonë, pasi jemi çliruar. E si mund ta bëjnë shtetin plaçkatarët dhe hajdutët? Diçka e pamundur! Diçka absurde!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".