Edhe 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë, zgjedhjet me ligjet e UNMIK-ut!

Edhe 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë, zgjedhjet me ligjet e UNMIK-ut!

Gani Qarri

  • 21 May 2021 - 07:38

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, formimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re, përfundimisht kjo legjislaturë , pritet të jetë vendimtare dhe duhet ti jap fund zvarritjes me dekada të lojës mbi Reformën zgjedhore në vend, kur tanimë, kërkesa për reformë është parashtruar edhe nga vet KQZ që kjo çështje kaq serioze, e zvarritur për një kohë kaq të gjatë, të marr formë dhe përmbyllet përfundimisht në këtë mandat legjislativ.

Mjerisht sa i takon përgatitjes së ligjeve, si dhe miratimit dhe plotësimit të tyre, në Kosovë jo vetëm se është zhagitur e zvarritur më tepër se që do ta paramendonte kush, por për turpin e qeverive të kaluara dhe gjithë legjislaturave me radhë, që nga viti 2008 e këndej, edhe ligjet aktuale me të cilat organizohen zgjedhjet, përfshi Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe atë për zgjedhje lokale, ende sot e atëherë, janë ligje të ish administratës së UNMIK-ut, të hartuara dhe miratuara qysh në vitin 2008, apo thënë shkurt dhe shqip, më se 13 vite më parë. Në fakt sa herë bëhet fjalë për ndryshime dhe reforma, pikësëpari në Kosovë do duhej të kishte reforma të thella e rrënjësore në drejtësinë e kalbur të dy dekadave të fundit në vend, e pastaj të flitet për reforma zgjedhore.

Kjo për vet faktin se pa reforma në drejtësi, sistemin gjyqësor e prokurorial, me kot do të realizoheshin reformat zgjedhore, nëse njëjtë si deri më tani, vijon të mos funksionojë drejtësia dhe ajo çalon edhe më tej në të gjitha drejtimet, siç ka ndodhur mbi dy dekada me radhë, gjë që apriori do të rrezikonte, që çdo nismë të shkojë sërish drejt dështimit, pavarësisht faktit se reformat bashkë me VETTING-un, janë prioritet i Qeverisë së re dhe legjislaturës aktuale të Kuvendit.

Për aq më tepër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përveçse ka dorëzuar raportin e punës për vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës, bashkë me raportin në fjalë, KQZ ka paraqitur edhe një shtojcë me kërkesë të veçantë për deputetët lidhur me reformën zgjedhore, përmes së cilës, KQZ kërkon urgjentisht nga Kuvendi i Kosovës, që procesi i reformës zgjedhore, i nisur prej vitesh, përfundimisht të përmbyllet brenda këtij mandati. Për aq më tepër, fatkeqësisht kjo gjendje është zhagitur aq shumë sa që edhe ligjet aktuale me të cilat organizohen zgjedhjet, përfshi ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe atë për zgjedhje lokale, janë edhe sot, ligje të ish administratës së UNMIK-ut, të hartuara dhe miratuara qysh në vitin 2008, apo thënë shkurt dhe shqip, mese 13 vite më parë.

Ndaj për të qenë legjislacioni i ri i gatshëm në zgjedhjet e reja, sipas kërkesës së KQZ-së, reforma zgjedhore duhet të përmbyllet sa më parë, sepse që nga miratimi i ligjeve aktuale para 13 vitesh janë organizuar 8 palë zgjedhje gjithsej, pesë procese zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, e tri të tjera për nivelin lokal, ndërsa KQZ-ja është përballur vazhdimisht me çështje të natyrave të ndryshme defektoze e problemore, që në raste të shumta kanë cenuar edhe besueshmërinë dhe integritetin e rezultatit të zgjedhjeve. Ndaj kjo kërkesë e arsyeshme e KQZ-së, duhet tu shërbejë Qeverisë dhe partive politike në Kuvend, si një argument shtesë që të zhbllokohet procesi në fjalë, pasi që siç dihet kaherë, Reforma zgjedhore ishte iniciuar qysh në vitin 2011, por deri më tani nuk është punuar kurrë për të mirëfilli dhe as që është finalizuar ndonjëherë.

Madje aso kohe kishte pasur edhe disa takime dhe propozime që përfshinin ndarjen e zonave zgjedhore në Kosovë, përcaktimin e numrit të këtyre zonave, numrin e deputetëve, rishikimi i mandateve të pakicave në Kuvend, votimi i diasporës e shumë çështje të tjera me interes për rritjen e besueshmërisë, avancimit të demokracisë dhe llogaridhënies për të zgjedhurit, por që nuk u realizuan asnjëherë. Dhe fajin për këto dështime e mbajnë vet ish liderët politik, të cilët për gjithë këto vite, nuk e mbajtën asnjëherë zotimin dhe premtimin e dhënë, pavarësisht asaj që shoqëria civile në vazhdimësi ka kërkuar nga subjektet politike, për gjetjen e gjuhës së përbashkët dhe përmbylljen e reformës zgjedhore, pasi që një gjë e tillë, ishte dhe mbetet e domosdoshme dhe imediate për gjithë vendin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".