Është koha për penalizmin ndërkombëtar të gjithë skenës politike

Është koha për penalizmin ndërkombëtar të gjithë skenës politike
Është koha për penalizmin ndërkombëtar të gjithë skenës politike

Dr. Hysni Aliu

  • 22 May 2021 - 09:06

Shkruan: ANALIST - Hysni Aliu

Personalisht, kohë të gjatë kam kërkuar që skena politike shqiptare të pastrohet nga njerëzit që i përkasin krimit të organizuar dhe nëntokës së Ballkanit, sepse për dekada të tëra, ka qenë shumë e qartë që armiku i shqiptarëve janë vetë shqiptarët, e posaçërisht udhëheqësit tanë, në të dy anët e kufirit. Unë kam thënë, që dialogu me Serbinë do të ketë sukses, tek pasi që kombi shqiptar si tërësi do të ngritët në nivelin e shtetit Izraelit, dhe ajo kurrë nuk do të mund të bëhet me këta politikan që kanë robëruar popullin e vet për dekada.

-Kam thënë shumë herë që logjika e funksionimit të kriminelëve është krimi, logjika e të korruptuarit është korrupsioni, i shantazhuesit është shantazhi, si rrjedhojë, tendenca dhe besimi i gabuar i deritanishëm i faktorit ndërkombëtar që me kriminelët që janë robërues të popullit të vetë, të bënë marrëveshje për të mirën e Ballkanit dhe shteteve ballkanike veç e veç ka qenë e dëmshme dhe nuk ka sjellë fryte. Kosova si shtet ende i pa konsoliduar, por ka një popullatë sakrifikuese dhe liridashëse dhe me një mërgatë me dy zemra, ja arriti që duke ju falënderuar edhe përkrahjes së miqve ndërkombëtar ta përmbysë robërinë 20 vjeçare, dhe të sjell në pushtet një kryeministër që nuk është i korruptuar, nuk është i shantazhushëm, dhe që interesin e shtetit e kombit e ka mbi të gjitha. Tani, kemi një presidente që ka dinjitet njerëzorë dhe intelektual, dhe që ka një të kaluar të pastër. Kanë filluar të kthehet truri nga perëndimi, shembull konkret e kemi ministrin e mbrojtjes, dhe si rrjedhojë Kosova ka filluar të merr frymë lirshëm.

Gjersa me këta politikanët e mëhershëm, Vuçiq u përshëndetke, e madje edhe përqafohej, krejt tjetër është duke vepruar me z. Kurti dhe znj. Osmani, ku as përshëndetjen nuk e përdorë, kjo tregon shumë se kush na ka përfaqësuar më herët dhe kush na përfaqëson sot. Unë besoj që fryma e ndryshimit që ka filluar në Kosove, duhet të vazhdoj edhe në Shqipëri e Maqedoni, dhe në çdo vend tjetër ku jetojnë shqiptarët. Diaspora e Shqipërisë dhe e Maqedonisë, duhet të filloj ta bëjë të njëjtën detyrë ashtu siç bëri diaspora e Kosovës. Faktori ndërkombëtar, është motori kryesore i këtyre ndryshimeve.

SHBA të dhe BE duhet të ua mbyllin dyert të gjithë udhëheqësve që gjysmën e trurit e kanë të dirigjuar nga mbi toka e gjysmën nga nëntoka. Kjo që udhëheqësit tan kanë bërë për dekada, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është një krim i rëndë, andaj krimi dhe kriminelët duhet të dënohen, pa marr parasysh se cilës parti politike i takon, çfarë funksioni mban, apo çfarë orientimi politik e gjeostrategjik ka. Veçimi dhe fokusimi vetëm tek një individ, duke e trajtuar si dele të zezë, dhe bashkëpunimi me ujqit që janë në mesin e të njëjtës tufë, është shumë e dëmshme.

Populli nuk i harron aeroplanët të mbushur me drogë që ateronin në bregdetin shqiptare, shndërrimin e Shqipërisë në një qendër për shpërndarjen e drogës, dhe dërgesat e drogës që lirshëm hyjnë në portin e Durrësit, e fundit disa ditë më herët, gjersa kryeministri shqiptar rrah gjoksin si një demokrat dhe bashkëpunëtorë i mirë me aleatët perëndimore.

Një qasje jo e baraspeshuar, ku dikush shpallet si i padëshiruar dhe ndaj tjetrit mbyllen sytë, vetëm sepse është bashkëpunues, për mendimin tim, është një veprim që i ul në një nivel shqetësues vlerat e perëndimit, ku edhe krimineli i drogës, është i përshtatshëm me kushtin që të jetë bashkëpunues me ta. Kjo është politikë e gabuar, dhe që kthehet bumerang në afat më të gjatë. Një qasje e tillë, e pa balancuar, për mendimin tim, dëmton edhe orientimin properëndimor të popullit shqiptare, nxitë rryma radikale, dhe për pasojë mundet të forcoj pikërisht ato grupe politike ndaj të cilave është ndërmarr një sulm i pa balancuar.

Populli i dënoj veprimet e gabuara në Kosovë, ku u përmbys qeveria Kurti 1 me dirigjime nga jashtë e bashkëpunëtor nga brenda, duke e votuar në zgjedhjet tjera me mbi 50%, e njëjta mundë të ju ndodh edhe me Shqipërinë nëse veproni në bazë të emocioneve e pa e përdorur mendjen. Administrata Biden, nuk besoj që është mirë që të përdor metodën e Grenellit e Trumpit, ku Tviteri ishte aj që lajmëronte gjithçka. Nëse ashtu veprojnë, atëherë, kjo do merret si një shenjë e pa pjekurisë dhe destabilitetit politik në qeverisje, gjë e cila do të jete e dëmshme për demokracinë në botë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".