Lëndët mrizojnë në sirtarët e gjykatave të përgjumura!

Lëndët mrizojnë në sirtarët e gjykatave të përgjumura!

Hajrullah Tërnava

  • 25 May 2021 - 07:37

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Ternava 

Sipas raportit të tremujorit të parë të këtij viti të publikuar nga  KGJK-ja dhe,  edhe këtë fillim të punës në vitin 2021 po vazhdohet me traditën e grumbullimit të lëndëve dhe zvarritjes së qëllimshme për mos zgjidhjen e tyre, pa lëvizur aspak nga praktikat e kaluar dështake e mashtruese të 13 viteve të mëparshme gjithnjë pa drejtësi të qytetareve, sepse e thëna popullore çka piqet vështirë hiqet,  e ka kuptimin e kësaj situate të krijuar tani e sa vite. Sipas raportit zyrtar të KGJK-së për lëndët që kanë poseduar në punë gjykatat e vendit në tremujorin e parë, raportohet për fillimin e vitit me 208039, prej tyre  lëndë të trashëguara nga viti paraprak 2020 kanë qenë173962, kurse gjatë tremujorit të këtij viti janë pranuar edhe 34077, janë zgjidhur vetëm 24824, kurse kanë ngelur akoma nëpër sirtar edhe 183215 lëndë të tjera.

Praktikat e deritanishme në gjyqësorin e Kosovës është e pa pranueshme, tani e në të ardhmen duhet të ketë ndryshime, sidomos identifikimin të atyre që kanë qenë të atillë që  me qëllime të caktuara i kanë zvarritë zgjidhjet e lëndëve, sipas interesit të shefave në shërbim të të cilave kanë qenë  individët e caktuar brenda gjykatave në Kosovës, derisa ata “shefat” ishin në pushtet. Loja e tillë  është luajtur duke i zhagitur, ngadalësuar lëndët deri në vjetërsim, prandaj pa një pastrim të gjyqësorit  nga të tillët është e kuptueshme se tradita  e mos punës do të vazhdon, sikur që  po e shohim edhe nga raportimet e statistikave për këtë vit në vazhdim.  

Kjo praktikë tani duhet të ndryshoj me mënyrën e identifikimit të atyre që i stërzgjatin apo anashkalojnë shqyrtimet e lëndëve dhe procedurat gjyqësore, me që deri më tani edhe ashtu ata që kanë punuar nën direktivat e të “mëdhenjve” dhe si të tillë e të dëgjueshëm edhe janë paguar mirë dhe janë avancuar në poste më të larta, prandaj janë shpërblyer edhe me rroga të mira e besa edhe kanë pasur edhe disa vende tjera të punës, prandaj në të ardhmen duhet që kësaj mënyre ti jepet fund. A ata që punojnë në institucionin e gjyqësorit, gjyqtarët,  duhet të japin llogari në mënyrë hierarkike për efikasitetin e lëndëve të kryera, dhe në të kundërtën arsyen e ngecjeve dhe pengesave të mos kryerjes së  gjykimeve.

Prandaj në të ardhmen  duhet të vlerësohet dhe gjykohet mos efikasiteti i tyre, e  në të kundërtën, të shpërblehen ata që dëshmohen efikas dhe  punëtor të pa anshëm e të pa ndikuar.  Vlerësimi duhet të jetë edhe i nivelit material edhe profesional, prandaj efikasiteti i tyre duhet të shpërblehet për dallim të atyre që kanë pengesa,  si me pagat e tyre apo edhe me ndërrimin e vendeve të punës, e jo të shpërblehen dembelet e gjyqësorit të Kosovës me paga të majme, të cilat fillojnë nga paga më e ulët, 2150 euro dhe arrijnë̈ deri në 2655,  për asgjë punë e pa asnjë rezultat, që edhe përkundër mos punës së tyre që po  reflektojnë̈ me “plakjen’ dhe parashkrimet enorme të lëndëve. Kjo Ministri e Drejtësisë duhet që në të ardhmen ta gjej metodën e avancimeve dhe të shpërblimeve të gjykatësve të suksesshëm por edhe sanksionimin me normim etik e profesional të lëndëve.

Puna e gjykatësve të dështuar e bllokues  dhe stafit të tyre mbështetës nëpër të gjitha nivelet e gjykatave, duhet të  analizohet dhe konstatohet,  për t’u shpërblyer secili sipas meritës dhe punës që kryen. Në nivel vendi, sipas statistikave zyrtare, raportohet për numrin total të gjyqtarëve i cili është 413 gjyqtar të cilët ndihmohen nga një staf mbështetës prej 1507 vetash-zyrtar, që i bije rreth 4 zyrtar të stafit mbështetës për një gjyqtar, por rezultatet mungojnë dhe janë gjithnjë e më keq, ngase në sistemin e drejtësisë së kapur edhe kriminalisht vetëm “DREJTESI” për qytetarët e palidhur me krimin deri me sot nuk ka pasur. Me që deri më tani gjyqësori në tërësi  ka çaluar  me veprimet e veta, është një gjendje kaotike, prandaj duhet të bëhen hulumtimet dhe të gjendet metoda se si të përshpejtohen mënyrat e gjykimeve ashtu që mos të parashkruhen-vjetërsohen lëndët, dhe mos të dyfishohen lëndët qe me vite janë në pritje për gjykim, pa një gjykim efikas dhe të pastër nuk mundë të  kemi edhe shtet të fortë dhe të ligjshëm. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".