VETING-u është mjeti i vetëm që e shëron sistemin e drejtësisë

VETING-u është mjeti i vetëm që e shëron sistemin e drejtësisë
VETING-u është mjeti i vetëm që e shëron sistemin e drejtësisë

Muhamet Kelmendi

  • 27 June 2021 - 08:32

Shkruan:Analist- Muhamet Kelmendi


Sistemi i drejtësisë vepron në Kosove si sistem komplet. Nuk mundë  të kemi gjykime ligjore, nëse nuk ka fakte, të cilat prokurorët dhe mekanizmat tjerë hetues, nuk i sjellin në shqyrtim. Akuza mund të bëhen ndaj këtij apo ati gjyqtari, prokurori, institucioni etj, por vetëm për vetëm nuk gjendet një që mbanë përgjegjësinë. Sistemi i drejtësisë si komplet funksionon vetëm me një veprimtari komplete shëruese në tërë sistemin. E kjo realizohet vetëm me VETING. Mirëpo, edhe këtu ka vështirësi.


Vetë fakti se në Republikë janë krijuar grupe të forta ekonomiko-financiare, kryesisht në sektorin privat të lidhur ngushtë me atë politik, është vështirë të luftohet krimi në mënyrë individuale. Lypset një fushatë spastruese dhe e drejtë ndaj strukturave në sistem dhe këtej edhe ndaj grupeve të mëdha të interesit, që kanë lidhje të forta informale me politikën. Shkarkimi i këtij a atij gjyqtari, prokurori etj., në sistem të tillë, nuk e shëron sistemin. Këtu lypsen masa të gjëra dhe të mbështetura në ligj që e shëron sistemin si tërësi. Deri në atë kohë dhe veprim është e qartë se shumë çka mundë të humbi. Do të humbin provat, dëshmitë dhe faktet që ngarkojnë të dyshuarit dhe ata që punojnë në sistem. Këtë e bëjnë vetë kompetentët. Po kështu do të kemi një çrregullim në konstatimin e prejardhjes së pasurisë. Kalimet nga një subjekt në tjetrin dhe bartja e saj jashtë vendit veç është duke ndodhur. Nuk mundë të mendohet se ata që kanë krijuar pasuri pas luftës mundë të rrinë të qetë dhe mos të kamuflojnë pasurinë e krijuar. E kjo realizohet me heqjen e titullarit të pasurisë në llogari të të tjerëve. Copëtimi i titullarëve të pronës është forma më e mirë e të maskuarit të pasurisë së krijuar. Në Kosovë ka shumë veprime që kryhen aktualisht e që janë antiligjore. Kjo është kryesisht në fushat e ndryshme ngarkuese dhe përgjegjëse. Sa më shumë që zgjatë ky dyshim pa masa juridike, përkatësisht pa nxjerrjen e Ligjit të spastrimit të sistemit juridik, aq më shumë bëhet i vështirë spastrimi. Koha nuk punon për spastrim të sistemit, por për të dyshuarit brenda dhe jashtë sistemit. Çdo ditë e humbur pa masa juridike shëruese është dështim për sistem. Ligji mbi VETING-u duhet të nxirret shpejt dhe urgjentisht të futet në zbatim. 


Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".