Tri mandatet e Qeverisjes me Thaçin, lejuan në heshtje kolonizimin me serb të veriut 

Tri mandatet e Qeverisjes me Thaçin, lejuan në heshtje kolonizimin me serb të veriut 

Gani Qarri

  • 21 July 2021 - 07:24

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Të tri qeveritë e kaluara të shtetit të Kosovës, duke nisur nga koalicionet PDK-AKR me minoritetet, LDK -PDK- dhe e fundit PDK-AAK, lejuan në heshtje realizimin e projektit më të madh dhe më të rrezikshëm, plotësisht antikushtetues dhe të kundërligjshëm serb, për tjetërsimin e veriut të vendit tonë, duke lejuar dëbimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve, sjelljen e mijëra serbëve të dyshimtë nga Bosnja e Kroacia, duke mos provuar asnjëherë as të reagojnë, se lëre më ta ndalojnë planin publik serb për kolonizimin masiv të Veriut të Kosovës, me ndërtimin e kundërligjshëm të lagjeve të tëra, sidomos në Rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe Komunës së Zveçanit.

Koha kur tradhtarët dhe shitësit e vendit numëroheshin në gishta dhe kufizoheshin vetëm me disa emra personash të caktuar, për Kosovën, ka kaluar dhe "fatkeqësisht" ka nisë edhe të harrohet, e them "fatkeqësisht" për vet faktin eklatant, se tradhtitë aktuale ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, mjerisht kanë marrë përmasa shumë më të mëdha e tragjike dhe janë bërë të pakrahasueshme, në Evropë e më gjerë. Madje, përmasat katastrofale të shfaqjes së fenomenit të pashembullt renegat në Kosovë, kanë arritur deri atje, sa parti të tëra janë shndërruar në ndërmarrje të përbashkët kriminale, të cilat në bashkëveprim me njëra tjetrën, shesin tokat tona autoktone dhe vulosin ndarjen e Vendit me ndërskambca konspirative politike dhe tradhti të hapura kombëtare, në mënyrë që pas tokave të dhuruara FYROM-it dhe Malit të Zi, t`ia falin edhe Serbisë okupatore, Veriun dhe pjesët më vitale të Kosovës, akte që po habisin gjithë botën. Këtë fenomen të pashembullt tradhtie, të padëgjuar në gjithë historinë e trojeve shqiptare, po vërtetohet me fakte dhe argumente autentike, para të gjithë shqiptarëve, se e sollën pikërisht, partitë e huliganëve, të vetëquajtura si parti të "dala" nga lufta.

Parti që përditë e më tepër po dëshmohet se janë shndërruar në ndërmarrjen më të rrezikshme kriminale, që ka ekzistuar ndonjëherë në këto troje, të cilat për mision të vetëm kanë shkatërrimin përfundimtar të ardhmërisë së shqiptarëve dhe shuarjen e shtetit të Kosovës. Pas kërkesës publike, të Hashim Thaçit drejtuar ndërkombëtareve, për ndarjen e Kosovës, dhe pagesat qeveritare nga Qeveria e PAN-it, me parat e taksapaguesve të varfër të Kosovës firmave të huaja, si ajo franceze “Majorelle PR & Events” për propagandimin e kësaj ndarje nëpër botë, fenomeni tragjik i tipit të tradhtisë më të lartë kombëtare dhe shtetërore, po bëhet akti i kryer edhe me kolonizimin e veriut të vendit tonë, të nisur nga Serbia qysh më 2015 dhe të lejuar nga të gjitha qeveritë dhe koalicionet e partive të ashtuquajtura të luftës me LDK-në dhe minoritarët.

Të gjithë së bashku e heshtën projektin Lugina e Diellit, projekt ky i cili, para syve tanë dhe pa asnjë leje zyrtare ndërtimi, nga ministritë përkatëse të Republikës së Kosovës, po bashkë financohet dhe ngritët pa asnjë pengesë, në mënyrë të egër dhe kundër të gjitha ligjeve të Kosovës, nga shteti i Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe, i cili tanimë është në përfundim të ndërtimit të këtij mega-kompleksi kolonizues të emëruar edhe si  “Lugina e Diellit”, lagje dhe mega-kompleks, dedikuar për ardhacak serb të sjellë si kolonizator modern edhe nga Bosnja e Kroacia, të cilët duke qenë të specializuar për kryerjen e krimeve të luftë kundër civilëve të pafajshëm, me urdhër të Serbisë shpopulluan pothuajse tërësisht nga shqiptarët edhe veriun e Kosovës, duke dëbuar para syve tanë, dhjetëra mijëra shqiptar nga pronat dhe shtëpitë e veta, në këtë pjesë të Kosovës. Kështu që duke pasur parasysh të gjitha këto veprime tradhtie të rëndë, ndaj vendit dhe popullsisë shqiptare, sidomos në Veri të Kosovës,

Qeveria Kurti duhet të kërkoj urgjentisht përgjegjësi penale dhe politike e ligjore nga  ish qeveritarët e kaluar të cilët kanë lënë shqiptarët e pambrojtur në duar të kriminelëve serb të veriut dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë, jo vetëm për kthimin e tyre në tokat e veta në veri, por as për parandalimin e ndërtimeve të egra të projekteve të kundërligjshme kolonizuese të Serbisë, të menduara dhe dizajnuara me qëllime të caktuara nga Serbia, për tjetërsimin e zbrazjen e veriut nga shqiptarët dhe krijimin e parakushteve faktike për ndarjen e Kosovës, duke e shtrirë atje tërësisht pushtetin e Serbisë. Ky akt monstruoz i bashkë realizuar nga Serbia dhe qeveritë e udhëhequra nga partitë e ashtuquajtura "të dala nga lufta", në këtë pjesë të territorit të Kosovës, ndodhë për tradhëtimin e shqiptarëve, jo vetëm në veri, dhe për ta imponuar planin e ndarjes si akt të kryer, në tavolinë të bisedimeve, që ishte edhe qëllimi kryesor i Serbisë, në formulën e deklarimeve të kriminelit Aleksandër Vuçiq, për të ashtuquajturin kompromis serb! Jetësimi i këtij mega-projekti të kundërligjshëm kolonizues e kriminal, ka filluar me ndërtim qysh nga viti 2015, kur edhe u nënshkrua për të dytën herë, krijimi i asociacionit një etnik serb, me kompetenca ekzekutive nga Isa Mustafa, në një sipërfaqe prej 20 hektarësh gjerësi gjeografike të gjithë lagjes, kurse në sipërfaqen prej 15 hektarësh, tanimë ka arritur në fazën përfundimtare ndërtimi i mese 300 shtëpive një banesore, të një para lagje të tërë të ashtuquajtur “Lugina e Diellit”. 

Ndaj megjithëse Qeveria Kurti, e ka gjetur këtë projekt si akt të kryer, që qeveritë e kaluara renegate, ia lanë si patate të nxehtë në duar,  përkundër të gjithave ajo duhet të sfidohet seriozisht me këtë veprim renegat, dhe ndërmarr urgjentisht të gjitha masat e mundshme, për parandalimin e akteve të tradhtisë, nga qeveritë e kaluara, të cilat me këto aventura, po dëshmojnë hapur, se në mënyrë të fshehtë apo edhe publike, prapa shpinës së qytetarëve të Kosovës, pas faljes së 2500 hektarëve tokë FYROM-it dhe 8300 tjerë Malit të Zi, ia kanë shitur, apo falur edhe Serbisë okupatore, veriun e vendit tonë. Se akte të tilla të kundërligjshme kanë ndodhur, e dëshmoi këto ditë edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, i cili në parlament deklaroi publikisht se ndërtimi i vendbanimit “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, është krejtësisht  i paligjshëm, ndaj dhe po shikohet ana ligjore, se si ka mundur të lejohet ndërtimi i egër i projekteve të tilla të kundërligjshme kolonizuese serbe, me lejen e qeverive të kaluara, të udhëhequra nga të ashtuquajturat "parti të dala nga lufta", për ndërmarrjen e masave ligjore të veprimit kundër tyre.  Për aq më tepër ai shtoi se kjo Ministri është duke punuar intensivisht për t’i mbledhur të gjitha informatat e mundshme për aktivitetet e kundërligjshme në veri të Kosovës dhe për mosveprimet e qeverive të kaluara dhe punëtorëve të kësaj Ministrie në veri, e cila pastaj do ta informojë Kuvendin dhe Qeverinë aktuale lidhur me to, për të parë se cilat mund të jenë veprimet e duhura politike për vendosjen e ligjit dhe të rendit edhe në këtë pjesë të Kosovës, të cilat janë çështje që duhet të diskutohen seriozisht edhe në Kuvend. 

Të gjitha këto fakte, flasin hapur dhe në mënyrë mjaft domethënëse për planin monstruoz të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, se ata, qysh moti, prapa shpinës së opinionit, ishin akorduar për ndarjen e Kosovës, gjë që e vërteton edhe lejimi nga qeveritë e kaluara, i ndërtimeve të egra serbe, spastrimi total i veriut nga shqiptarët dhe mos pengimi i projekteve kolonizuese të Serbisë në këtë pjesë të Kosovës, për tjetërsimin komplet të popullsisë, duke ndërtuar në mënyrë të egër, lagje të tëra serbe, që ato të mund të përdoren si argument nga Serbia edhe në negociatat në Bruksel, për ndarjen e Kosovës.  

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".