Masa urgjente nga MMPI-ja, pas aksidentit tragjik në Kroaci

Masa urgjente nga MMPI-ja, pas aksidentit tragjik në Kroaci

Gani Qarri

  • 29 July 2021 - 07:51

Shkruan: Analist - Gani Qarri

Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës edhe aksidenti tragjik i autobusit në Kroaci, ku mbetën 10 mërgimtar të vdekur dhe dhjetëra tjerë të lënduar, duhet ti shërbejë si alarm serioz për të vendosur rregull në trafikun e transportit ajror dhe futur në ligj limitin e lejuar maksimale të çmimit të biletave, të cilat vetëm në destinacionin për Republikën e Kosovës janë ndër më të lartat dhe më të shtrenjtat në rajon mbarë gjithë Evropën, çmim i cili është më i lartë se ai për bileta për Nju Jork të SHBA.

Nuk është aspak befasi pse shumica e mërgimtarëve nga qytetet dhe fshatrat e Kosovës me punë dhe qëndrim në diasporë, po detyrohen të bëjnë zgjidhjen më të rrezikshme për shkak të çmimeve astronomike të biletave me aeroplan, duke përdorur transportin rrugor me autobus, nga kompani që për çdo sezon vere, po krijohen si kërpudhat pas shiut, të cilat nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli ligjor dhe përderisa kompanitë në fjalë, nuk kanë detyrim të inkorporohen në sistemin ligjor të Kosovës, i kanë duart e lira nga vet shteti, që të mos përfillin rregulla as standarde profesionale, duke synuar dhe shikuar vetëm përfitimet sa më të majme materiale, me kontra-konkurrencën e tyre tërësisht jo ligjore dhe lojale.

Kështu që Qeveria e re e Kosovës, duhet urgjentisht të vendos rregulla dhe përcaktojë modele të lejuara të çmimeve të përballueshme, siç veprohet tash e sa kohë në vendet fqinje ku biletat janë gati përgjysmë më lirë, për mërgimtarët e tyre, në krahasim me këto të kompanive të Kosovës, pa cenuar as ndërhyrë në ligjet e ekonomisë së lirë të tregut, me oferta joshëse për kompanitë operuese, në mënyrë që të stimulohet transporti ajror, i cili është më i shpejtë dhe më i sigurt në raport me atë rrugor. Ndaj pas aksidentit në Kroaci, Anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë, me të drejtë kanë propozuar kontrolle rigoroze ndaj kompanive turistike, që vërtetë janë shumë të nevojshme dhe me plot arsye, kanë vendosur ta vizitojnë edhe Ministrinë e Infrastrukturës në mënyrë që të informohen mbi rregullat dhe kriteret që duhet t’i plotësojnë kompanitë e autobusëve, gjë që duhet të veprohet edhe me avio kompanitë, të cilat që nga çlirimi i Kosovës, nuk njohin ligj as rregull dhe veprojnë pa asnjë kontroll sipas dëshirës, tekeve dhe qejfit të vet, gjë që bie ndesh edhe me ligjin përkatës të Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".