Hetimi serioz e profesional i të inkriminuarve në dosjen e përgjimeve të fundit një provim serioz për Prokurorinë Speciale!

Hetimi serioz e profesional i të inkriminuarve në dosjen e përgjimeve të fundit një provim serioz për Prokurorinë Speciale!

Gani Qarri

  • 22 August 2021 - 08:49

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Partitë e kriminalizuara të cilat mbi dy dekada me radhë sunduan këtë vend në mënyrë kriminalo-mafioze, përveçse ishin të lidhura vet këmbë e krye me kriminelin Aleksandër Vuçiq dhe Serbinë okupatore, gjendja katastrofale në sistemin e drejtësisë, dëshmon se ata kishin kapur e nenshtruar 100% edhe prokurorinë dhe të gjitha gjykatat e vendit, nga ato themelore, deri te Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës.

-Kështu që edhe mbi 21 vite pas kinse çlirimit të Kosovës nga Serbia, në kundërshtim me të gjitha rregullat juridike e ligjore të vendit dhe ato ndërkombëtare, mbajtën të fshehura të gjithë veprimet kriminale dhe aktet kundërligjore të kriminelëve të niveleve më të larta, duke mos lejuar asnjëherë hetim të mirëfilltë, drejtësi e as gjykim të pavarur! Madje këtë më së miri e dëshmuan dosjet më të reja, të publikuara në mënyrë audiovizive në media, ku vetëm pas publikimit të burimeve të sakta e autentike, dosja e publikuar ditëve të fundit me përgjime të zyrtarve të sistemit të drejtësisë dhe të Qeverisë së Kosovës, përfundimisht këtë fundjavë, ka kaluar në duart e Prokurorisë Speciale për hetim, i cili hetim serioz  shpresojmë se edhe të ndodhë realisht!

Sepse duke njohur inkriminimin e madh dhe korrupsionin masiv në sistemin e drejtësisë, serish shtohen dyshimet e bazuara publike kudo në Kosovë, se edhe nëse  hapet çështja, a do të trajtohet vërtetë seriozisht e besnikërisht, dhe tërësisht sipas ligjit, inkriminimi i aktorëve "superlativ" emrat e të cilëve figurojnë në këtë dosje? Publikimi i audio incizimeve në fjalë, mbetet provimi më serioz i deritanishëm, para të cilit po vendoset për herë të parë Prokuroria Speciale e Kosovës, nga e cila duhet të kërkohet të veprojë me shpejtësi dhe transparencë të madhe për interesin publik, fillimin sa më shpejt të hetimeve dhe arrestimin e aktorëve të dyshuar në dosje, për përfshirjen e tyre në veprimet e kundërligjshme, të cilat tashmë janë bërë publike dhe nuk mund të mohohen e as fshihen e mbulohen më nga askush. 


Për aq më tepër, këto janë dosjet e para të dëgjuara publikisht, megjithëse nuk janë të pa njohura për publikun, tanimë të servuara nga mediat edhe për secilin qytetar të Kosovës që është i interesuar t’i dëgjojë dhe analizojë veprimet dhe sjelljet kriminale të aktorëve të inkriminuar në këtë dosje. Duke filluar nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Shemsije Asllani, Drejtori i Inteligjencës financiare Dardan Nuhiu që nuk mundë të jetë i vetmi në aktet e zbuluara, por përreth tij ka edhe një armatë të tërë të rrjetit kriminal, si dhe bashkëaktori tjetër i radhës po në këtë dosje i cili është hiq më pak se edhe Gjyqtar i Gjykatës së Apelit, Driton Muharremi, çuditërisht në gusht të vitit të kaluar, i zgjedhur nga ish pushtetarët e inkriminuar edhe në pozitën e anëtarit të  Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pozitë nga e cila u detyrua të jep dorëheqje, menjëherë pas paralajmërimit për shkarkim nga ana e Kuvendit të Kosovës.
 
Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, duke pasur parasysh se nga çfarë njerëzish të inkriminuar udhëhiqen institucionet tona juridike te drejtesise , tani në opinion lind pyetja se a është mjaftueshëm e denjë, e besueshme, e pavarur dhe e paanshme vet Prokuroria Speciale e Kosovës që t’i hetojë audio incizimet si, e sa duhet dhe t’i nxjerr konstatimet e sakta për adresimin e njëmend të të përgjegjësisë së autorëve të krimit. Për aq më keq, përveç bllokimit nga gjykatat e kapura të Kosovës, të hetimit të akteve të korrupsionit e krimit të organizuar, fatkeqësisht edhe vet Gjykata e Apelit, si njëra nga entet më të rëndësishme juridike të shtetit tonë, në vend se tu jap zgjidhje të drejtë, nga nënshtrimi që duket se ende ka ndaj ish pushtetarëve të kriminalizuar, jo vetëm që vazhdon ti mbaj peng pa asnjë të drejtë ligjore dhe shpjegim juridik, por ende vijon të mos i trajtoj, aktet e krimit të organizuar, pa fije turpi dhe tërësisht pa përgjegjësi profesionale, morale as njerëzore.

 Ndaj dosjet e publikuara, dhe emrat e përmendur në to, e bëjnë të patejkalueshëm dhe akt të domosdoshëm zgjerimin e hetimeve përtej rrjetit kriminal në fjalë, për vet faktin se, si KPK-ja, ashtu edhe KGJK-ja, vazhdimisht janë parë dhe vlerësuar si institucione thellësisht të kapura e te ndikuara dhe të kontrolluara në vijimësi nga politika e partive të inkriminuara, grupeve të caktuara të interesit dhe krimit të organizuar në vend, për çka Qeveria e Kosovës, pas publikimit të dosjeve kriminale, institucionet dhe entet juridike, prokuroriale e gjyqësore, duhet t’i spastrojë rrënjësisht nga figurat e inkriminuara, të lidhura tash e mbi dy dekada me krimin dhe vetëm pas kësaj, të filloj gjykimi i njëmendtë i të gjithë të inkriminuarve dhe kriminelëve e kryekrimineleve të paprekur e te padënuar asnjëherë, për më tepër se 21 vite me radhë.


Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"