Kujdes...matrapazët nuk njohin rreziqe por vetëm fitimet për vetën e tyre!

Kujdes...matrapazët nuk njohin rreziqe por vetëm fitimet për vetën e tyre!
Kujdes...matrapazët nuk njohin rreziqe por vetëm fitimet për vetën e tyre!

Shefik Shkodra

  • 01 September 2021 - 07:56

Shkruan: ANALISTI - Shefik Shkodra

Atë (virusin) nuk e shkakton qeveria, individi e as shteti. Ikni prej këtyre akuzave, bashkëpunoni dhe, në një mënyrë indirekte apo direkt, pranojeni krejt çka keni vepruar deri më tash. Kthejuni veprimit të përbashkët, në kundërshtim me armikun. Mos kërkoni pushtet, mund të ndodhë që dikush të fitojë ndonjë karrige diku edhe në pushtetin lokal, por besoni jeni shumë pa të dëshiruar. Mos i ngacmoni njerëzit! Leni të bëjnë punën e tyre deri në fund të mandatit! U kemi parë ju. E dimë sa keni punuar. E dimë edhe përafërsisht sa pasuri keni bërë në këto vite të qeverisjes dhe sundimit nëpër institucionet e këtij vendi. E dimë edhe si është shpërndarë pasuria e buxheti nëpër të gjitha komunat. E dimë, përafërsisht se si është vepruar edhe në kryeqytet.

Rrjetet sociale të shumtën e herëve janë të mbushura me llafe. Më shumë sharje e etiketa, se sa diskutime me meritë. E keqja më e madhe, kur sot, të gjithë janë të “dijshëm”, të “arsyeshëm”, “llafazanë”, madje edhe kur nuk shikohet fare shkrimi i ndonjë njeriu, sa ka peshë. Sa është i arsyeshëm për gjendjen e përgjithshme. Për institucionet dhe Qeverinë e Kosovës. Nuk pranohen sharjet në diskutime publike. Nuk është punë e shëndetshme për askënd, nëse dikush flet për një temë, derisa ia përmend emrin ndonjë lideri të “adhurueshëm”, pa një pa dy, sharja i dedikohet autorit. Nuk pranohet që të bëhen ndarje me fjalë ngacmuese, pa fakte. Nuk është e pranueshme që të ofendohen edhe figurat nëpër institucione, sidomos atëherë kur nuk ke fakte. Kjo është me përmasa të mëdha në ditët e sotme te ne, falë një FB, por edhe disa portaleve. Kjo do të vlente për të gjithë, pozitë opozitë. Militantët nuk zgjedhin mënyra e mjete për të “deklasuar” palën tjetër. Pra, nuk posedojmë një kulturë elementare as tradicionale e as një sjellje të njerëzve bashkëkohorë.

As partitë në pushtet (elektorati i tyre) nuk kanë arsye që të zgjaten me secilin njeri dhe të fëlliqin edhe ato faqe të këtyre rrjeteve. Thjesht, duhet të tejkalohet dialogu i papastër. Të tregohet ajo që është vepruar pozitivisht. Ajo që është në interes të të gjithëve. Ajo që nuk mund të mohohet. Të potencohet ajo që e bën Qeveria e sotme, e që nuk kanë mundur, nuk kanë ditur apo nuk kanë dashur ta bëjnë për kaq kohë, qeveritë nga koalicionet tjera. Kjo shihet prej avionit, si thuhet, dhe është parë edhe në të kaluarën. Për këtë ka dëshmi. Ato fakte duhet të potencohen dhe të shfaqen për sa kohë ka nevojë e duhet, duke demantuar atë që e thotë tjetri pa bazë dhe arsye.

E përmendëm, e thanë edhe të tjerët, në qoftë se duamë të dëgjojmë e të shohim nga diskutimet apo shkrimet e njerëzve të paanshëm: është gabuar në kohë pandemie, që qytetarët janë liruar nga masat e pandemisë së këtij gripi, kur mërgimtarët nga vende të ndryshme e kanë vërshuar Kosovën. Vendi ka qenë i shfrenuar me tubime dasmash e ahengjesh tjera. Ata e kanë bërë nga malli për takime me njerëz të vet, për të kaluar sa më mirë në këto pushime pa pengesa. Por, kjo si duket po kushton më shtrenjtë. Në këtë kohë është shfrytëzuar rasti edhe për keqpërdorime, sikur që është përmendur se, dikush ka mundur të japë certifikata negative për virusin, veç me pagesë. Dihet, matrapazët tanë nuk njohin rreziqe, veç fitimet për vete. Mirëpo, ky shpengim ka qenë nga komisioni përkatës, me siguri edhe me pëlqimin e opozitës. Ndoshta edhe me insistime për hir të kësaj e asaj, do të thotë, që qytetarët e ardhur në pushime, të kalojnë sa më lirë e mirë.

Tashmë dihet kush është në pozitë dhe kush në opozitë. Gabimet e trashura për njëzet vite u bënë shkas që PDK, LDK, AAK, AKR, etj. të fshihen nga pozita dhe qeverisja e deritashme e Kosovës. Gabimet e këtyre partive janë të shumta, si në planin e brendshëm e po ashtu edhe në atë të jashtëm. Numërimi i të gjitha lëshimeve, jo pa qëllim, janë të shumta e kudo, në secilin segment të jetës shoqërore, prandaj është vështirë të numërohen sa herë që nis biseda lidhur me këtë çështje. Po të vepronin si duhet me shëndetësinë, arsimin, ekonominë, po të zvogëlonin dhe të ndiçeshin personat e korruptuar nëpër vendet përgjegjëse institucionale, po të avanconin kulturën shtetërore e lokale, po të kishin pak ndjesi për të pastruar drejtësinë dhe të mbulohej me të drejta të barabarta popullata, pavarësisht cilit rang social e pozitë institucionale i takon personi e të sanksionoheshin veprimet kriminale të cilitdo, atëherë, LDK, PDK, AAK, AKR, NISMA edhe për njëzet (20) vite të tjera do ta mbanin e qeverisnin këtë vend.

Kjo nuk ka ndodhur në asnjë kënd të këtij vendi. Veç janë sa rritur aferat e skandalet në përditshmëri...Çdo kund ka qenë i pranishëm korrupsioni dhe krimi i organizuar, me disa përmasa, kund të mëdha – milionëshe, apo kund më të vogla, por pa to s’ka mbetur asnjë ditë. Kjo ka shkaktuar çarje dhe denoncim gjithë popullor në këtë vend, kundër këtyre partive, që më shumë kanë predikuar ligjërata boshe se sa që është ndërmarrë diç konkrete. Prandaj, ato duhet ta pranojnë se, nuk kanë qenë me aftësi dhe dashuri për t’i kryer punët shtetërore. Aferat e tyre janë të ndryshme duke filluar në ekonomi dhe pasuri të luajtshme e të paluajtshme, në Kosovën e varfër. Njëherë me shitjen e ndërmarrjeve, fabrikave, tokës dhe aseteve të tjera, me tenderët që nuk i dimë ende publikisht (jo për të gjitha pasuritë), pastaj vërshimin e institucioneve publike me njerëz familjarë të të gjithë atyre liderëve të të njëjtave parti.

Vendosja e sekserëve kudo që kanë pasur nevojë. Vendosja e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për mbrojtjen e tyre dhe asgjë tjetër. Në pamundësi e në zhgënjime të mëdha, që të shpërqendrohet rinia dhe ngutët sa më shpejt për të ikur nga “kah shohin sytë” prej vendit. Shkaku i një politike irrituese e të pa perspektivë. Degradimet kanë qenë shumë të mëdha. Dikush e llogarit lehtë këtë. Nuk kemi mundur të besojmë se, dikush prej nesh, shqiptarëve do të vepronte me një përgjegjësi shumë minimale apo fare, si të ishte i huaj. Edhe politika e jashtme është udhëhequr sipas dëshirës së këtyre partive dhe liderëve të tyre që e mbajtën pushtetin për njëzet vite. Për këtë shkak edhe vizat qytetarëve tanë nuk iu kanë hequr. Dhe askush nuk mund ta merr fajin mbi vete, pos partitë që ishin në pushtet, e sot janë opozitë. Është mirë dhe më se e domosdoshme, që këto parti të bëjë llogari të tjera.

Të largohen njerëzit me tendenca që destabilizojnë dhe degradojnë çdo gjë si deri në këto vitet e fundit. Të mobilizohen me një mentalitet të ri, të largohen nga parullat boshe dhe etiketat pa mbulesë për pozitën dhe qeverinë, e sidomos për liderët në pozitë. Ndryshe, ju vetëm sa e devijoni edhe më tutje kursin politik para qytetarëve. Me etiketa dhe llafe pa mbulesë s’do të ketë efekt kurrë veprimtaria e juaj, madje edhe atëherë kur do të jeni në rregull, s’do të ju pranohet se keni humbur besimin në masë. Ju nuk dini në çka të kundërshtoni qeverinë, lidheni për pandeminë, e cila është në gjithë botën. Kujdes, të nderuar nuk është Kosova pronë personale, partiake e as e grupeve mafioze. Ky vend duhet të merr pamje e përmbajtje të një shteti sovran e demokratik, me liri të barabarta të qytetarëve. Pastaj mund të flasim për të gjitha të tjerat.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".