Gjyqësori i kapur nga lidhjet mafioze merr vendime skandaloze, amniston kokat kryesore të krimit të organizuar!

Gjyqësori i kapur nga lidhjet mafioze merr vendime skandaloze, amniston kokat kryesore të krimit të organizuar!

Gani Qarri

  • 24 September 2021 - 07:30

 Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Mjerisht gjyqësori i kalbur i Kosovës, e tregoi edhe njëherë fytyrën e vetë të vërtetë, dhe kapjen e këmbë e krye nga mafio politika, si dhe strukturat kriminale të SHIK-ut ilegal, duke e rivendosur rastin pompoz të grupit të krimit të organizuar “Pronto”, për të cilin Apeli, pa fije turpi merr vendim për lirimin e të gjithë të inkriminuarve  nga të gjitha akuzat, përfshi edhe vet krye protagonistin kryesor të aferës, ish deputetin, shefin e Grupit parlamentar dhe nënkryetarin e PDK-së Adem Grabovci.



Madje pas ushtrimit të ankesës dhe kthimit në rivendosje nga Supremja, Gjykata e Apelit pa pritur gjatë, ka liruar menjëherë si me porosi nga të gjitha  akuzat prijësin e “Pronto-s me shokë” ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, pavarësisht se në bazë të provave që janë bërë edhe publike, në ato audioincizimet e famshme, Grabovci ka pasur rolin kryesor të telekomandimit të të gjitha vendimmarrjeve për emërime të njerëzve të PDK-së dhe të SHIK-ut, në  institucionet publike shtetërorë, madje edhe në vetë sistemin komplet të kapur të drejtësisë nga SHIK-u dhe PDK. Për aq më tepër sikur që dihet për odisejadën e këtij procesi,  Gjykata Supreme e Kosovës më datë 19 prill 2021, kishte  marrë vendim për kthim të lëndës në rivendosje në Gjykatën e Apelit, për rastin e njohur si ‘Pronto’. Me anë të këtij vendimi kjo gjykatë ka miratuar kërkesat për “mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarve Adem Grabovci dhe Sadat Gashi”, kurse sipas detyrës zyrtare edhe për të dënuarin Ilhami Gashi, duke anuluar kështu të gjitha pjesët dënuese të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë.



Duke rrëzuar kështu vendimet e Departamenti Special APS.nr.17/2020 të datës 30.06.2020 dhe aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PA.II.nr.3/2020 të datës 29.09.2020 dhe kthyer kështu çështjen penale shkallës së dytë Gjykatës së Apelit në rigjykim. Për aq më tepër në vendimin e saj Gjykata Supreme e Kosovës, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së dytë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.1.12 lidhur me nenin 370 par. 7 të KPPK-së për shkak se kinse nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete që konsistojnë si shkelje në pjesën e arsyetimit për ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të dënuarve sa i përket elementeve të veprave penale për të cilat janë shpallur fajtor të dënuarit. Prandaj sikur që dihet, vet Gjykata e Apelit, më 30 qershor 2020, kishte marr aktgjykim me të cilin kishte dënuar Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës se Kosovës” nga neni 193 par. 4 të KPRK-së. Sipas këtij vendimi, Adem Grabovcit, si dënim unik i ka shqiptuar dënim prej 1 viti e 2 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në raste se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Por përkundër të gjithave, pas kthimit në rivendosje nga Supremja, Gjykata e Apelit ka liruar Grabovcin nga akuzat për rastin “Pronto”  duke e nxjerr atë tërësisht të “pastër” dhe të pafajshëm, kurse  Ilhami Gashi është dënuar me gjithsej 1 vit e 4 muaj burgim me kusht, lidhur me veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilit gjithashtu i është ndaluar edhe ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Kështu që vet konstruktimi artificial i lirimit përfundimtar të strumbullarit të të gjitha këtyre veprave kundërligjore  si Grabovcit me shokë, dhe vendimi për zbutjen e aktgjykimeve dënuese në këtë rast,  flet më së miri për nevojën urgjente të futjes së fshesës së VETTING-ut në gjithë sistemin e kalbur të drejtësisë inekzistente të shtetit të Kosovës, pasi që kohën e mbetur deri në miratimin e këtij ligji, do të shfrytëzojë dhe keqpërdor mafio politika në opozitë dhe grupet tjera kriminale që me procese të shpejta të gjykimit dhe ankimimit, të lirohen , pastrohen dhe shpallen të lirë e të pafajshëm të gjithë të inkriminuarit nën padi akuzuese për krimet e llojeve të ndryshme rastet e të cilëve janë vonuar qëllimisht për lirimin arbitrar të tyre, njëjtë si Grabovci &Co.

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"