Zbulohen rekord-skandali i dështimit të sistemit të drejtësisë!

Zbulohen rekord-skandali i dështimit të sistemit të drejtësisë!

Gani Qarri

  • 02 October 2021 - 07:40

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Mjerisht drejtësia (inekzistene) e Kosovës, po e përmbush edhe një vit me dështime rekorde në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe po shkon drejtë vitit tjetër, me trashje edhe më të madhe të dosjes së rasteve të grumbulluara dhe të pa zgjidhura të kësaj fushe. Madje grupi për Studime Juridike dhe Politike ka prezantuar së fundi një analizë të detajuar, në të cilën dëshmohet se jo vetëm Prokuroria Speciale, që ka ngritur numër të tepër vogël të lëndëve për krim të organizuar, por edhe gjykatat e Kosovës kanë arritur të zgjidhin numër edhe shumë më  të vogël të lëndëve të kësaj kategorie. 

Me mos punën dhe neglizhencën e saj të trishtë, (pa)drejtësia e Kosovës, mjerisht po e përmbush edhe një vit rekord të dështuar, konstatime që janë bërë publike edhe në një konferencë për medie të GLPS-së, veçanërisht lidhur me temën; “Trajtimi i rasteve të Krimit të Organizuar nga Prokuroria dhe Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës për periudhën qershor 2019-gusht 2021”. Përmes këtij hulumtimi është  analizuar baza ligjore për ndjekjen e veprës penale të krimit të organizuar, pastaj të dhënat statistikore të gjykatave dhe prokurorive të vendit, në luftimin e kësaj dukurie , e deri tek sfidat e institucioneve shtetërore në trajtimin e lëndëve në fjalë. 

Ndërsa gjatë analizimit, vëmendje e veçantë u është kushtuar efikasitetit të institucioneve të drejtësisë në zhvillimin e hetimeve dhe gjykimin e rasteve të krimit të organizuar, në procedimin e rasteve penale, e deri tek mangësitë ligjore të aktakuzave dhe aktgjykimeve nëpër gjykata. Për aq më tepër, analiza zbulon se nga periudha qershor 2019- gusht 2021, Prokuroria Speciale ka ngritur numër aq të vogël të aktakuzave për krim të organizuar, sa që janë dorëzuar vetëm 10 vepra penale dhe numri më i madh i tyre lidhet me narkotik. Ndërsa, për tu bërë gjendja në drejtësi edhe më e paqartë dhe kaotike, nga gjithsej 60 lëndë, gjykata ka zgjidhur vetëm 5 prej tyre, dhe ato të vitit 2019.

Kjo analizë jep vërejtje serioze, sidomos në procedurën e parashtrimit të rasteve sepse konstatohet që gjatë procedimit të rasteve të krimit të organizuar, ato as nuk përshkruajnë qartë veprimet inkriminuese të të akuzuarve, prandaj të akuzuarit i shpëtojnë me lehtësi masës ndëshkuese, pa marrë gati asnjëherë dënime. Kështu që gjatë periudhës qershor 2019 – gusht 2021, Prokuroria Speciale (PSRK) ka dorëzuar  në gjykatë vetëm 10 aktakuza për këto lloje të veprës penale. Dhe siç del nga periudha raportuese, PSRK luftën e saj ndaj krimit të organizuar e ka fokusuar kryesisht në lëndët narkotike ndaj duke analizuar numrin e rasteve të trashëguara, të pranuara dhe ato në punë në gjykatat e Kosovës, vërehet  se gjykatat kanë arritur të zgjidhin një numër tejet të vogël të rasteve të krimit të organizuar. Kështu që përgjatë gjithë gjashtë mujorit të dytë të vitit 2019 (janar – qershor), sipas të dhënave zyrtare, janë zgjidhur vetëm 5 lëndë, prej gjithsej 60 lëndëve të cilat kanë qenë të proceduara dhe për aq më keq, gjykatat po ashtu, nuk kanë treguar efikasitet të kënaqshëm as përgjatë vitit 2020, prandaj nga 59 lëndë të trashëguara dhe 6 të pranuara, kanë arritur të zgjidhin vetëm 5 raste të krimit të organizuar, gjë që është turp për gjithë sistemin e drejtësisë në vend. 

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2021, është përfunduar vetëm një lëndë në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kurse gjykatat tjera që kanë në punë raste të tilla nuk kanë arritur të zgjidhin asnjë prej tyre.  Gjatë monitorimit është vërejtur se të gjitha gjykatat, e në veçanti Gjykata Themelore në Prishtinë, pavarësisht numrit më të madh të rasteve, nuk ka caktuar seanca në formë konsistente ndaj personave që janë duke u gjykuar për këto vepra penale në mënyrë që lëndët e tyre të përfundojnë brenda një kohe të arsyeshme.

 Në bazë të të dhënave të monitorimit nga IKD, për periudhën raportuese qershor 2019- dhjetor 2020, nga 27 raste të krimit të organizuar që kanë qenë në punë janë mbajtur vetëm 80 seanca, ndërsa përgjatë vitit 2021, gjithsej 79 seanca, prej të cilave 55 janë proceduar me rregull kurse 24 seanca kanë dështuar tërësisht të mbahen. Kjo analizë ngrit shqetësimin më të madh, sidomos për mos mbajtjen e seancave për rastet e krimit të organizuar, veçanërisht në disa raste për të cilat aktakuzat janë ngritur para 5 viteve apo më shumë, siç është rasti “TOKA apo rasti VIZAT” dhe  sipas vlerësimit të bërë në analizën e pa varur, del se ky veprim është tejet shqetësues pasi shpërfaq neglizhencën e madhe të kësaj gjykate në luftimin dhe sanksionimin e krimit të organizuar, i cili pothuajse nuk ndodhë kurrë. 

Mungesë efikasiteti në këtë fushë përgjatë monitorimit sistematik të sistemit prokurorial dhe gjyqësor, është hasur edhe te Gjykata Themelore në Mitrovicë e cila  ka një mungesë pothuajse absolute të efikasitetit në zgjidhjen e rasteve të krimit të organizuar, madje përkundër faktit se kjo gjykatë në këtë periudhë ka pasur në punë 16 lëndë të krimit të organizuar, ka përfunduar vetëm një të tillë, kur dihet se në këtë gjykatë, gjatë periudhës raportuese janë caktuar vetëm 8 seanca, prej të cilave 2 janë mbajtur, 3 janë anuluar dhe 3 kanë dështuar tërësisht. Nga krejt kjo del se analizat e tilla janë edhe një argument akoma më i fuqishëm që duhet ti shërbejë procesit të vlerësimit dhe pastrimit të drejtësisë në të ardhmen, me ligjin Vetting sepse nuk do mend që shumë raste të rënda neglizhohen në marrëveshje të thella korruptive me grupet kriminale, si dhe lidhjet e fshehta prokuror, gjykatës dhe avokat, raste që blihen e shiten me  qindra e mijëra euro, për tu parashkruar apo edhe për tu zhdukur e zhvlerësuar tërësisht provat dhe dëshmitë akuzuese. 

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".