Gjykata Speciale në funksion të zbardhjes së krimit politik dhe instalimit të drejtësisë për shtetin demokratik

Gjykata Speciale në funksion të zbardhjes së krimit politik dhe instalimit të drejtësisë për shtetin demokratik

Hajrullah Tërnava

  • 11 October 2021 - 07:46

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Kur në një shtet fillohet luftimi i vërtetë i krimit në përgjithësi, në atë shtet ndërrohet edhe mentaliteti i deri atëhershëm, që dëshmon se fare nuk janë luftuar ato të këqija. Prandaj tani jemi katandisur dhe gjendemi këtu ku jemi në këtë gjendje sepse kemi dështuar totalisht me sistemin e drejtësisë. Është dashur që institucionet tona të jenë pa kompromis për ti luftuar të gjitha veprimet kriminale e jo të na imponohet një formulë e pa dëshiruar ndërkombëtare, e krijimit të një Gjykate Speciale.

Kushdo që e kritikon dhe kundërshton tani formimin dhe veprimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, që po merret me krimet e dyshuara të luftës, gabon, sepse është dashur me kohë të hetohen dhe luftohen të gjitha veprimet kriminale, dyshimet për ato krime të hetohen e të zbardhen si dhe sa janë të dëshmuara e të argumentuara, dhe sot do të ishim më ndryshe, dhe madje moti do të gjendeshim edhe më afër BE-së. Prandaj edhe procesi i filluar i luftimit gjyqësor të krimeve të luftës në Gjykatën Specialë, domosdo do të ndikoj si një faktor i dorës së parë me ndikim për pastrim dhe dekriminalizim, por edhe demokratizim, të klasës politike, pastrimit të hipotekës me akuza për vrasjet e pa zbuluara dhe krimet me karakter politik, proces i “pushuar” dhunshëm e dështuar nga drejtësia e pushtuar dhe kapur nga politika e inkriminuar për plot 20 vite rrugëtim në shtet ndërtim.

Proceset e para gjyqësore të filluara nga Gjykata Speciale, tani më shihet ashiqare që nuk kanë të bëjnë me akuza për krime lufte në baza etnike, por janë akuza dhe aktakuza të konfirmuara për vrasjet e pa zbuluara politike, të cilat e kanë ngarkuar por edhe deformuar shumë skenën politike të Kosovës në këto 20 vite që po mbeten, pas për shkak të dështimit dështimit të plotë sistemit të drejtësisë së instaluar nga administrata e ndërkombëtare e UNMIK-ut dhe EULEX-it, dhe mungesë së guximit për veprim nga drejtësia vendore, qoftë në fazën tranzitore të marrjes së kompetencave, qoftë na fazën përfundimtare të instalimit dhe pavarësimit, pas shpalljes së pavarësisë.

Nëse luftohen ato te këqija te atyre kohërave te luftës që i kanë krye njerëzit e pandërgjegjshëm, duke i vra njerëzit për shkaqe jo të kuptueshme, apo edhe pse kanë qenë të një partie tjetër, nga një logjike e tyre e pakuptimtë, ma në fund tani është koha që këto raste gjithsesi të zbardhen, dhe kjo provoj e deritashme të iu shërbej gjeneratave në ardhje si mësim, se askush nuk e ka atë të drejt me e vra dikën pse i takon tjetrës parti apo pse ka tjera mendime për çështje të ndryshme, qofshin politike, patriotike, shkencore, apo të tjera. Për të gjitha veprimet e një popullate të një shteti, vlejnë ligjet në përputhshmëri me kushtetutën e atij shtetit për të cilin bëhet fjalë, dhe konfrom këtyre akteve juridike që janë në fuçi duhet të sillen qytetarët e atij shteti pavarësisht kohës në të cilën gjendemi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".