Beteja e partive politike të inkriminuara, me sondazhe të manipuluara

Beteja e partive politike të inkriminuara, me sondazhe të manipuluara

Gani Qarri

  • 13 October 2021 - 07:45

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Ish-partitë e inkriminuara, nga frika e madhe për thellimin e humbjes edhe në nivelet komunale, janë duke manipuluar skajshëm me sondazhe të porositura, jo për matjen reale të disponimit qytetar, por për kalkulime me rezultate të rregulluara rrejshëm për hijeshimin e gjendjes së parazgjedhjeve lokale të 17 tetorit nëpër komunat e vendit.

Mjegulla që partitë e inkriminuara po e krijojnë me porositjen e sondazheve të rrejshme, mbetet mjeti i vetëm i vetë-ngushëllimit të tyre, para një debakli tjetër të madh që do ta pësojnë edhe në zgjedhjet lokale, me ndëshkim të votës së qytetarëve për shkak të kapjes së shtetit dhe zhytjes së vendit, në krim e korrupsion për më tepër se 20 vite në dy dekadat e kaluara. Kështu që edhe sondazhet që ata porositin, janë matje jo-reale të cilat paguhen shumë shtrenjtë me paranë e pistë të korrupsionit galopant dhe krimit të organizuar, që po përdoren si kartë e fundit për ti mobilizuar, apo aq më keq edhe për ti demoralizuar një pjesë të elektoratit të oponencës politike në zgjedhjet komunale të 17 Tetorit.

Për aq më tepër, kohët e fundit, sondazhet e rrejshme, janë bërë pjesë integrale e partive të degjeneruara si mjet mbijetese politike, në fushatat zgjedhore për ta mbuluar mungesën e ofertës dhe mangësitë e programeve gjysmake elektorale, që vrasin besimin e qytetarëve. Ditëve të fundit jemi duke parë vazhdimisht publikim të sondazheve të paguara shtrenjtë me parat e taksapaguesve, me rezultate të rregulluara sipas porosive dhe fuqisë së pagesës nëpër media dhe rrjete sociale, sondazhe të cilat jo vetëm që nuk shprehin të vërtetën, por po e humbin gjithnjë e më tepër edhe kuptimin dhe vetëm sa po i acarojnë edhe më keq raportet mes subjekteve politike në gjithë vendin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".