Gjyqësia dhe prokuroria duhet të funksionoj në çdo aspekt të sundimit të ligjit

Gjyqësia dhe prokuroria duhet të funksionoj në çdo aspekt të sundimit të ligjit
Gjyqësia dhe prokuroria duhet të funksionoj në çdo aspekt të sundimit të ligjit

Dr. Hysni Aliu

  • 16 October 2021 - 07:53

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

Aksioni i fundit kundër kontrabandës dhe krimit te organizuar në veri të Kosovës, por edhe në disa komuna në jug, ishte gjëja më e mirë e mundshme  që bëri kjo qeveri në krye me kryeministrin Kurti. Jo vetëm ky, por edhe aksionet e mëhershme në gjithë Kosovën, e po ashtu edhe aksioni i parafundit në veri të Kosovës, po ia ndalin frymën krimit dhe korrupsionit që e kishte ngulfatur Kosovën, dhe që e qoj deri në situatën që Serbisë i ofrohej pothuajse gjysma e Kosovës, vetëm e vetëm që bosët e krimit të mbijetojnë.

Albin Kurti, ashtu siç kam besuar gjithmonë, teorinë e tij është duke e kthyer në praktikë, dhe një shtet të kriminalizuar nga bosët e krimit shqiptarë e serb të komanduar nga Vuçiq, po e shndërron në një shtet që ka dinjitet, që frymon lirshëm, q respektohet ligji dhe ku vendi nuk kategorizohet në veri e jug,  por ku gjithkund frymon emri Kosovë, dhe ku ligji është mbi të gjithë dhe për të gjithë i njëjtë.  Z. Kurti, nuk ka devijuar nga premtimet e veta që i beri para zgjedhjeve në asnjë milimetër.

Unë për herë të parë në jetën time, krenohem me kryeministrin e vendit tim, i cili filloi të shkruaj një faqe të re krenarie për Kosovën dhe mbarë shqiptarët. Unë, jo rastësisht i kam quajtur ish-pushtetarët robërues, sepse e kam ditur që ata janë duke robëruar këtë popull.  Ata që ishin në pushtet deri dje, e bënë jetën në Kosovë aq të vështirë për njerëzit e rëndomtë, sa që  nga viti 2012, 30% e popullatës e lëshuan Kosovën, mos të flasim prej vitit 2000, ku me siguri përqindja është edhe më e madhe. 

Gjyqësia dhe prokuroria duhet të funksionoj, jo vetëm kundër kontrabandës në kufi, por në çdo aspekt të sundimit të ligjit në Kosovë. Përkrahje e drejtpërdrejtë, për aksionin e fundit kundër krimit të organizuar, përkrahje që u bë si rrallë herë  më parë, nga vendet e perëndimit, e veçanërisht SHBA, Gjermania e Britania e Madhe, ishte shumë mbresëlënëse, dhe ma mbushi zemrën me optimizëm, që gjërat kanë ndryshuar për të mirë, dhe se edhe perëndimi, nuk do ta trajton Kosovën e kosovarët në bazë të përkatësisë etnike, por do ta trajton si tërësi, si shtet, ku ligji duhet të funksionon në çdo cep të vendit. Kjo tregon, që problemi, nuk ka qenë te perëndimi, por problemi ka qenë tek ish pushtetarët, që gërryen dheun ndër këmbë gjithë këtij populli, duke u shitur si patriot e çlirimtarë, e disa si demokrat rugovian. 

Aksioni kundër krimit të organizuar, duhet të vazhdon, duke u drejtuar drejt tek kokat e krimit, pra tek ”peshqit e mëdhenjtë” që gjinden gjithandej Kosovës, dhe të cilët natën e qonin në veri  apo në Bruksel e Romë,  e që para popullit,  ata që ditën i quanin armiq, natën  i bënin miq. ”Peshqit e mëdhenj ” në jug i ushqejnë peshqit e vegjël në veri, e të cilët pothuajse u bën peshkaqenë për shtetin e Kosovës, andaj forcën e ligjit duhet ta ndjejnë, edhe ata që tokën e shtetit e blenë për 50 cent , ndërsa e shiten për 7000 euro. Këtë forcë të ligjit, duhet ta ndjejnë, edhe ata që për 20 vite vodhën buxhetin  e shtetit në mënyrat më të sofistikuara të mundshme, dhe që me marrëveshjet e Brukselit e shitën Kosovën duke nënshkruar  në Bruksel marrëveshje kundër kushtetuese.

Kryeministri Albin Kurti dhe VV ja, mori votën e më shumë se 50 % të popullatës, pikërisht për të shembur piramidën e krimit, andaj atë duhet të bën sa më shpejtë që është e mundur.  Z. Kurti, tha që ” me aksionin e fundit është goditur nervi i krimi” , e unë si mjek po i them që tani është radha që të goditet edhe truri i krimit. Gjate verës, unë pata kërkuar që buxheti i Kosovës për vitin tjetër të ngritët në 3.5 miliardë, dhe besoj shumë që nëse përmbyset krimi në Kosove, edhe ëndrra ime do të bëhet realitet. Kosova do të kishte; 250 milion euro më shumë për shëndetësinë, 250 mil euro më shumë për punësimin, 250 milion euro më shumë për arsimin dhe 250 milion më shumë për ushtrinë e Kosovës. Ky do të ishte bilanci i një Kosove pa peshqit e mëdhenj. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".