Qeveria Kurti të veproj e të mos hezitoj, beteja antikrim e ka mbështetjen qytetare

Qeveria Kurti të veproj e të mos hezitoj, beteja antikrim e ka mbështetjen qytetare

Gani Qarri

  • 18 October 2021 - 07:40

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Është momenti vendimtar, që Qeveria Kurti të kërkojë nga institucionet e drejtësisë, veprim urgjent edhe në zinxhirin kriminal brenda vet institucioneve të shtetit dhe jo të orientohet vetëm në përndjekjen e krimit e të kontrabandës në veri dhe përgjatë kufijve me Serbinë.

Siç e dëshmoi edhe veprimi i fundit i institucioneve të drejtësisë, të cilat morën aksion antikrim në tri rajone të Kosovës, kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, kur ekziston vullneti politik, askush nuk mundë të jetë mbi ligjin, dhe për më tepër, përveç mbështetjes në opinionin publik, nuk mungon as mbështetja ndërkombëtare, sikur që ishte rasti i aksionit të zhvilluar kundër krimit dhe kontrabandës në veri të Kosovës.

Për aq më tepër, në këtë trevë të banuar kryesisht me pjesëtarë të pakicës serbe, për mbi 20 vjet me radhë, për shkak të kooketimit të pareshtur të vet politikanëve dhe pushtetarëve të kriminalizuar shqipfolës, me udhëheqësit e bandave kriminale në Veri, si Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojqiq me shokë, krimi i organizuar dhe kontrabanda, në këtë pjesë të vendit, kurrë nuk janë ndaluar dhe janë zhvilluar lirshëm e të pa penguar, asnjëherë. Është momenti vendimtar, që Qeveria Kurti të kërkojë nga institucionet e drejtësisë, veprim urgjent edhe në zinxhirin kriminal brenda vet institucioneve të shtetit dhe jo të orientohet vetëm në përndjekjen e krimit e të kontrabandës në veri dhe përgjatë kufijve me Serbinë.

Madje pa asnjë vonesë të mëtejme, duhet të kërkohet nxjerrja nga pluhuri edhe i dosjeve të mëdha, që kanë të bëjnë me të fortit e politikës dhe vet peshqve të mëdhenj, atyre që njihen si “nëna” dhe “babai” i korrupsionit dhe krimit të organizuar, tash e mbi dy dekada në Kosovë! Ata që këtë vend e bënë të pa jetueshëm për shqiptarët e pa krah dhe pa lidhje me politikën dhe krimin e organizuar, prej të cilëve shteti ynë për hiq më pak se dy dekada me radhë, po rrezikohet seriozisht me zbrazje totale nga të rinjtë, truri dhe e ardhmja e vendit! Madje, fatkeqësisht të gjitha raportet e progresit po flasin gjithmonë vetëm për peshqit e mëdhenj, si dhe ata që kanë privatizuar pasuritë dhe tokat e shtetit për vetëm 0,50 cent, deri në 1 euro për një ari, të cilat pastaj kur ka "rastisur" të bie autostrada nëpër to, të njëjtën tokë, ia kanë shitë shtetit për 7000 Euro arin!!! Kjo dëshmon se është koha dhe momenti përfundimtar, që qeveria aktuale, me këtë mbështetje të madhe qytetare që ka, të inicioi edhe ndjekjen antikrim, të bosëve të korrupsionit e krimit të organizuar që deri më tani i ka mbrojtur vet kuazi "drejtësia" e kapur, këmbë e kokë nga politika e inkriminuar, pasi që edhe votat nga qytetarët, Qeveria Kurti i ka marrë me zotimin për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Dhe në vend që të veprohej me kohë e përkushtim të duhur ndaj secilit politikan të inkriminuar, të lidhur me krimin dhe rrjetet e nëntokës kriminale deri në cepin e fundit të veriut të vendit tonë, nga peshqit e mëdhenj, kanë “lindur” edhe shumë peshq më të vegjël që përditë e më tepër e vjedhin në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme, shtetin tonë të brishtë dhe trashin krimin e korrupsionin duke zhvatur edhe me harraq zyrtar pasuri, toka e biznese, për t`ua bërë jetën ferr qytetareve të ndershëm të këtij vendi dhe detyruar ata, të ikin dhe lënë Kosovën.

Prandaj është koha kur duhet hedhur grepin e sundimit të ligjit për të peshkuar dhe pastruar edhe vet “peshqit e mëdhenj”, që tanimë janë rritë aq shumë dhe kthyer në peshkaqenë të vërtetë, të cilët një ditë, mund ti rrezikojnë jo më, vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe vet institucionet e shtetit për ti “ngrënë" me gjithë Republikën e Kosovës, pa kursyer as vet qeverinë aktuale, nëse arrijnë ta zënë në befasi.Kështu që, o tash o kurrë, duhet urgjentisht të veprohet, përndryshe nëse as tani, nuk përdoren mekanizmat adekuat për pastrimin, parandalimin dhe ndëshkimin e tyre meritor sipas ligjit, edhe mbështetja ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë kombëtare, nga qytetarët, si dhe besimi dhe mbështetje ndërkombëtare, shpejt mund të luhaten dhe bien.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".