Qeveria duhet ta zë hapin e humbur me ligjin Vetting gjatë këtij viti, në vitin që vjen

Qeveria duhet ta zë hapin e humbur me ligjin Vetting gjatë këtij viti, në vitin që vjen

Hajrullah Tërnava

  • 18 October 2021 - 18:47

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Situata në institucionet e drejtësisë,  sikur që është tani, na e imponon nevojën që sa më parë të miratohet ligji i Vetting-ut. Mirëpo vonesat po bëjnë që gjatë këtij viti të mos fillon së zbatuari ky ligj i rëndësishëm i premtuar nga ana e Qeverisë Kurti dhe Ministria e drejtësisë. Me që miratimi  i ligjit Vettingut po vonohet,  sepse  tashmë është i planifikuar së fundi nga ana e Qeverisë që të vazhdon të përmbyllet si proces ligjor gjatë këtij viti, së bashku me amendamentet kushtetuese, ai  përfundimisht ka mbetur të fillon së  zbatuari në vitin vijues 2022, mirëpo në këtë vit duhet angazhuar me dinamikë të shtuar në mënyrë që të  kompensohet koha e humbur deri më tani.

Ligji Veting nuk guxon kurrsesi të mbetet një nismë e dështuar, sikur ka ndodhur me shumë  ligje me peshë në kohën e kaluar. Është në interesin e institucioneve juridike që ky ligj duhet përshpejtuar,  se pakut në vitin vijues. Ky është edhe një zotim i radhës  nga Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila tha pas votimit në Qeveri të konceptit si dokumentit për finalizimin e ligjit Vetting dhe hartimit të amendamenteve për ndryshim të Kushtetutës, se Vettingu në drejtësi nis vitin e ardhshëm dhe do të zgjatë së pakut 5 vite, por paraprakisht kërkohet një koordinim politik gjithëpërfshirës për procesin. Ajo tha se gjatë kësaj periudhe kohore planifikon të ju  bëjë ftesë të gjitha grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës për takim, me qëllim të ndërtimin e konsensusit për reformën e thellë në drejtësi dhe anën tjetër me qëllim të mbështetjes së tyre për amendamentet kushtetuese për Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Kjo është një përpjekje serioze dhe shpresëdhënëse  për ta quar përpara dhe pa vonesë një projekt të tillë. Duke marrë parasysh se grupet parlamentare në Kuvend e kanë pasur edhe në fushatën zgjedhore Vettingun në sistemin e drejtësisë, ministrja, duhet të   besojmë  që do arrihet një pajtim opozitë  dhe qeveri që do ta kenë mbështetjen e e plotë politike, dhe kështu të krijohen parakushtet  që i gjithë ky proces të nis në vitin e ardhshëm dhe të përfundojë brenda periudhës pesë vjeçare. Është shumë e rëndësishme, madje jetësore, finalizimi i ligjit dhe fillimi i zbatimit, pasi që për këtë u deklarua edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili ka deklaruar se  e konsideron ditë të veçantë, kalimin e koncept dokumentit për Vettingun në Qeveri, sepse ky ligj gjatë zbatimit më së miri do ta tregojë gjendjen aktuale të institucioneve të drejtësisë, sepse nëse ka diçka që na ka munguar më së shumti këto 20 vite është mungesa e drejtësisë, sepse  shpeshherë nuk është ndarë si drejtësi e mirëfilltë.

Sipas Kryeministrit, lirinë e kemi fituar, por tash duhet ta institucionalizojmë përmes drejtësisë, e ku gjyqësor duhet të jetë i pavarur në përmbajtje, sepse gjyqësor është gardiani më i mirë i çfarëdo tendencë demokratike të vendit. Politika në tërësi, opozita dhe qeveria duhet ta kenë në prioritet të përbashkët reformimin e sistemit të drejtësisë, sepse  në mënyrë që sistemin prokurorial të veprojë drejtë dhe është e domosdoshme që të ketë njerëz profesional. Me jetësimin e ligjit  Vetting puna ne institucionet e drejtësisë do të jetë shumë më efikase sepse në ato institucione tani do të gjinden njerëz të pastër me duar të pastra dhe tani Kosova do ti përngjaj shteteve ligjore evropiane dhe rrugëtimi i saje për në BE do të jetë pa pengesa.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".