Struktura ilegale të SHIK-ut janë të përfshirë në lista fiktive të të punësuarve nëpër institucionet e shtetit

Struktura ilegale të SHIK-ut janë të përfshirë në lista fiktive të të punësuarve nëpër institucionet e shtetit

Hajrullah Tërnava

  • 22 October 2021 - 13:08

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Me këtë kontingjent të të punësuarve fiktiv, po dëshmohet edhe një trashëgimi ilegale kriminale, e cila duhet të hetohet dhe auditohet, të zbulohen listat me emër dhe mbiemër, sepse nuk mundë të përjashtohet aspak dyshimi për financim të fshehtë dhe ilegal të militantëve të ish koalicionit PAN apo strukturave ilegale të SHIK-ut.

Edhe pse kanë kaluar vetëm tetë muaj që nga ardhja në pushtet të legjislaturës së re , akoma nuk ka ndonjë rezultat spektakular sa i takon çrrënjosjes së krimit të organizuar dhe të korrupsionit të formave të ndryshme, pavarësisht disa hapave të dukshëm pozitiv. Megjithatë edhe pse nuk është kohë e gjatë që po e qeverisë këtë vend, kjo përbërje e re popullata po i pret rezultatet më të shpejta, më të hershme sepse populli është lodhur dhe zhgënjyer shumë nga kapja e institucioneve me krim e korrupsion. Opinioni publik, por edhe ata që janë në institucione të ndryshme të shtetit, po i shohin të gjitha veprimet e mbrapshta të qeverive të kaluara, veprat kriminale që nga paslufta e këndej, e që janë emblema e të fortëve të këtij vendi.

Që nga ditët e para të pasluftës, ata i punësuan të afrimit e tyre aty ku deshën, dhe jo vetëm që i punësuan pa kritere, por një numër janë të regjistruar vetëm në letër si të punësuar dhe për çdo muaj marrin rroga të majme, dhe kurrë nuk duken që të shkojnë në punë, nuk i ka parë as nuk i njeh askush në ato ndërmarrje e institucione publike se kush janë dhe nga janë, edhe pe ka vite që të tillët marrin rroga të cilat arkës së shtetit i kushtojnë me miliona.

Prandaj për këta persona “NN” të punësuar, nuk duhet të pritet, të heshtet sikur nuk është duke ndodhur asgjë, duhet të ndërmerren veprime urgjente që të identifikohen dhe menjëherë të ngritët procedura penale ndaj tyre, por edhe ndaj atyre që i kanë punësuar, sikur edhe ndaj atyre të tjerëve të cilët kanë pasur njohuri për rastet e tilla dhe nuk i kanë lajmëruar rastet si të tilla. Siç po duket prapë po mbeten punësimet fiktive nga mandatet e kaluara të qeverisjes së inkriminuar, një segment i barrës së rëndë të financiare për buxhetin e shtetit, akoma i pa trajtuar dhe pa zbuluar në detaje edhe nga Qeveria Kurti, por i alarmuar nga ligjvënësit në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike.

Alarmi i ngritur në komision duhet të merret seriozisht dhe ti shërben qeverisë për veprim, shkëputje të kësaj lidhje kriminale, kurse prokurorisë për hetim. Në Komisionin e Mbikëqyrjes së Financave Publike është thënë se ekziston një numër i madh personash të evidentuar sit të punësuar në institucionet shtetërore dhe publike, që marrin paga të majme, por ata nuk i njeh as nuk i sheh askush nga të punësuarit aktiv në ato institucione, kurse të njëjtit janë në lista të pagave dhe për çdo muaj paguhen nga buxheti i shtetit.

Një fakt të tillë e ka bërë publik, por pa dhënë detaje, deputetja e LDK-s Hykmete Bajrami, ish ministre e financave në Qeverinë Hoti, e cila ka kërkuar raport të detajuar lidhur me këto lista nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe nga Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca. Një zbulim i menjëhershëm i këtyre strukturave të punësuarve ilegal, kësaj qeverie do t’ia ngriste reputacionin pozitiv dhe popullata do të ishte e kënaqur me veprime të tilla të kësaj qeverie. Me këto zbulime do të fillonin që në opinion të dalin edhe të tjera të këqija kriminale, që me këto veprime popullata do ta kuptonte seriozitetin e luftimit të krimit në përgjithësi.

Prandaj edhe këto zgjedhjet lokale që janë në zhvillim e sipër po na japin me kuptua se diçka s’po funksionon ashtu si është pritur nga kjo qeveri. Prandaj këtë situatë duhet ta shfrytëzoj kjo qeveri, sa është koha e përshtatshme të veprohet tani dhe të ndërmerren masa serioze, që të luftohet krimi në mënyrë të pamëshirshme sepse këtë po e pret ky popull i zhgënjyer në të gjitha qeverisjet e deritashme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".