Premtimet elektorale të zgjedhjeve lokale, edhe një mashtrim me fontanë dëshirash, askush nuk u zotua kundër korrupsionit!

Premtimet elektorale të zgjedhjeve lokale, edhe një mashtrim me fontanë dëshirash, askush nuk u zotua kundër korrupsionit!

Gani Qarri

  • 13 November 2021 - 07:57

Shkruan:  ANALISTI - Gani Qarri

Përgjatë dy muajve të fundit kemi dëgjuar në vijimësi nga politika,në pushtet dhe opozitë,vetëm fjalë të mëdha për zhvillim dhe ndryshime, duke u ngjitur në nivelet më të larta edhe jashtë përgjegjësisë lokale, ani pse këto votime mbahen vetëm për zgjedhjet komunale. Ndaj kur sheh pompozitetin e mbushur me premtime kaq megalomane, me të drejtë lind pyetja se çka dallojnë politikbërësit lokal nga ata qendror e çfarë ndryshimesh befasuese mundë të priten realisht prej tyre dhe garniturat e reja të qeverisjeve në nivelet komunale.

-Nëse bazohemi në zotimet e tyre elektorale, të premtuara përgjatë fazës së parë të fushatës që u përmbyll me asambletë komunale në disa komuna, ato janë dukshëm më të mëdha në fazën e dytë të fushatës për balotazh, nga kandidatët konkurrent për kryetar komunash. Kështu që përgjatë dy muajve të fundit, krijohet përshtypja se më tepër jemi konfrontuar me fontanë dëshirash duke dëgjuar në vijimësi nga politika pushteti dhe opozita,vetëm fjalë të mëdha për zhvillim dhe ndryshime të papara, e deri epokale.

Për aq më tepër, ata dalin edhe jashtë kompetencave të tyre komunale, duke provuar të ngjiten edhe në nivelet më të larta, jashtë përgjegjësive të tyre lokale,me hipoteza edhe për forcimin e subjektivitetit të shtetit, gjë që tejkalon kompetencat e tyre praktike dhe politike.

Premtime të tilla jashtë hapësirave dhe mundësive të tyre reale, nuk kemi dëgjuar edhe në raundin e parë, ndaj kjo nuk do duhej të ndodhte as në balotazh, në vend të zotimeve me vend, për zbardhjen e aferave të qeverisjeve të kaluara komunale dhe dërgimin e fajtorëve në institucionet e drejtësisë, rregullsi në proceset tenderuese,parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në mandatin në vijim, përderisa nuk kanë premtuar për ta hetuar atë që ka mbetur njollë e zezë nga mandati i kaluar.

Prandaj nuk është fare mirë as i pranueshëm për kryetarët e ri të komunave, anashkalimi i zotimit për ndëshkim dhe hetimin e së kaluarës së inkriminuar, blerja e paqes me ish qeveritarët e kaluar me të cilët do të detyrohen edhe përbërjet e reja të futen në pazare koalicioni lokal, duke ia mbuluar njeri tjetrit edhe të kaluarën edhe kur ka fakte me të cilat fajtorët mundë të ndiqeshin penalisht.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".