Kujdes presionit për ringjalljen e dialogut me Serbinë, kamuflimi i Asociacionit tema me e rrezikshme në tavolinën diplomatike!

Kujdes presionit për ringjalljen e dialogut me Serbinë, kamuflimi i Asociacionit tema me e rrezikshme në tavolinën diplomatike!

Gani Qarri

  • 02 December 2021 - 07:42

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Sado që Pahor deklaroi se pjesë me rëndësi e dialogut duhet të jetë edhe çështja e personave të zhdukur dhe se Sllovenia mbështet perspektivën euroatlantike të Kosovës, brengosë shumë fakti se edhe Borut Pahor, vazhdon t`ia mbajë ison Mirosllav Lajçakut e Josep Borellit dhe kërkon që në emër të sprovës së besueshmërisë së dakordimeve personale të kuislingut Thaçi me kriminelin Vuçiq, të jetësohet edhe marrëveshja tradhtare e asociacionit një etnik serb, në Kosovën e shpallur nga vet BE, si multi-etnike.

-Ajo që brengosë serish Kosovën edhe me vizitën e fundit të presidentit slloven Borut Pahor, është fakti se ai vazhdon t`ia mbajë ison Mirosllav Lajçakut e Josep Borellit dhe kërkon që në emër të sprovës së besueshmërisë ndaj dakordimeve të kundërligjshme (private) të kuislingut Hashim Thaçi dhe kriminelit Aleksandër Vuçiq, të jetësohen edhe marrëveshjet tradhtare, të hedhura poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, si asociacioni një etnik serb, në Kosovën e shpallur multi-etnike, nga vet BE!

Për aq më tepër nuk duhet harruar se ishte vet presidenti Borut Pahor ai i cili edhe para rreth tri viteve, vizitoi Kosovën dhe njëjtë siç vepron tani, atëbotë iu drejtua edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me një fjalim ku kërkoi nga ata, që ta miratojnë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, me trumbetimet e rrejshme të përfaqësuesve të BE-së, se kinse pas miratimit të Demarkacionit, BE do ti liberalizonte vizat për qytetarët e Kosovës, gjë që, sot e atëherë, nuk ka ndodhur kurrë.

Madje megjithëse Lajçak dhe Borell e kanë humbur plotësisht besimin, për paanshmëri, te shqiptarët, Pahor sjell përsëri mesazhe në Kosovë, që palët të përgatiten për vazhdimin e dialogut “me rezultate” për ta tejkaluar agjendën shterpe të diskutimeve mbi dhjet vjeçare me tema të konsumuara të nivelit teknik dhe arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse, e ligjërisht obligative nga palët nënshkruese, me ndërmjetësim të sforcuar nga SHBA-të dhe BE, sikur kjo të varej vetëm nga Kosova, ani pse, për arritjen e një marrëveshje, duhen të paktën dy palë.

Po ashtu, presidenti Pahor, u mundua të na bindë edhe me deklaratat e dëgjuara tash e mbi një dekadë, se Sllovenia vazhdon ta mbështes dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për ngushëllimin e shqiptarëve, tha se si fillimisht Bashkimi Evropian duhet të tregojë vullnet më serioz e ti liberalizojë vizat edhe për Kosovën, të cilin ai e quan si veprim që hapë rrugën e tejkalimit të mospajtimeve dhe vazhdimit të dialogut për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

Kështu që, një insistim i tillë vërtetë është për keqardhje, kur tanimë botërisht dihet, se asociacioni një-etnik serb është nënshkruar kundërligjshëm nga renegatët Hashim Thaçi e Isa Mustafa dhe është hedhur poshtë si akt i pa zbatueshme, nga vet Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Prandaj politika kosovare, pozitë dhe opozitë, pa dallim, duhet ti marrë seriozisht këto insistime dhe me një konsensus të përbashkët politik, të deklarohet për temat që do të shtrohen, si dhe ti përcaktojë vijat e kuqe për çështjet që rrezikojnë shtetin e Kosovës dhe nuk do të negociohen, tash as në të ardhmen, për tu kuptuar me kohë dhe qartësuar detajisht edhe para ndërkombëtarëve, në mënyrë që të mos keqpërdoret rasti, e ti vishet Kosovës barra e fajësisë, apo të konsiderohet edhe si bllokuese e procesit të bisedimeve, nga shpifjet cinike dhe propaganda e vazhdueshme, e arishtë dhe shumë aktive serbo-ruse.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".