Deri kur “hetimet vazhdojnë”?!

Deri kur “hetimet vazhdojnë”?!
Deri kur “hetimet vazhdojnë”?!

Florim Zeqa

  • 03 dhjetor 2021 - 09:47

Shkruan: Florim Zeqa 

Përderisa vrasjet ngarendin njëri pas tjetrit, hetimet mbesin në gjysmë të rrugës, kurse krimet mbesin të pazbulura! Edhe pas një jave nga krimi makabër në Gllogjan të Deçanit ende nuk u gjetë asnjë gjurmë e kryerësit të veprës së trefisht kriminale!

Vrasësit nuk zbulohen me ultimatume

Nuk mjaftojë as ultimatumi 24 orësh i ministrit të punëve të brendshme për dorëzimin e vrasësit! Ultimatumi i ministrit Sfeçla përveqse papjekuri politike, ishte nënshtrim i shtetit përballë vrasësit ordiner. Po të kishte vetëm pak moral politik, pas kalimit të afatit 24 orësh të mosdorëzimit të vrasësit të trefisht, ministri Sfeçla do duhej që brenda 24 orëve pasuese ta arrestojë vrasësin ose të dorëzojë mandatin politik.

Në këtë mënyrë do të krijohej një standard të ri në politik-bërjen kosovare si dhe do të motivoheshin ndryshimet e thella dhe rrënjësore në sistemin e drejtësisë.

Një javë pas rastit në Gllogjan, informacionet e fundit nga prokuroria dhe policia janë ato të zakonshmet-“hetimet vazhdojnë”, që i bie, hetimet përfundojnë!

Por, megjithatë ky ngushëllim për familjarët e viktimave në Gllogjan do të vazhdojë deri në vrasjen e radhës, për t’u harruar përgjithmonë siq janë harruar me qindra vrasje të pasluftës në Kosovë.

Këtë që e themë e bazoj në faktin se, pas çdo krimi mundësitë e zbullimit janë të mëdha derisa gjurmët janë të freskëta, mëpastaj çdo gjë shkon duke u zbehur, zhduken gjurmët dhe dalëngadalë edhe kujtesa popullore…

Intervenimi i shpejtë i policisë hetimore dhe prokurorisë në vendin e ngjarjes gjersa gjurmët e krimit janë të freskëta janë mundësi e artë e zbulimit të dëshmive dhe fakteve, por nuk janë të mjaftueshme.

Në rastet kur nuk ka dëshmitar të vrasjes, prokuroria dhe policia hetimore duhet të hulumtojnë rrethanat paraprake, kontaktet, lidhjet apo kundërthënjet shoqërore të viktimës (viktimave), të cilat në të shumtën e rasteve e dizajnojnë rrugën e zbulimit të vrasësit apo vrasëvse.

Vrasjet plagë e vjetër kombëtare

Dukuria e vrasjes së shqiptarëve me njëri-tjetrin nuk është dukuri e re dhe e pazakontë. Shqiptarët janë vrarë mes vete edhe përgjatë periudhës së pushteteve të huaja, por koha e zbulimit të vrasjeve ka qenë e shkurtër.

Bie fjala, gjatë pushtetit jugosllav, e madje edhe gjatë pushtimit klasik të Serbisë, kryerësit e veprave kriminale janë zbuluar pa kaluar as 24 orë nga kryerja e veprës.

Për dallim nga koha e pushtimit serbosllav, në Kosovën e pasluftës kemi shtim enorm të vrasjeve ndërshqiptare dhe numër simbolik ose fare të zbulimit të vrasjeve politike dhe të atyre me motive të ulëta. Të vetmet krime që janë zbuluar janë ato me dëshmitarë dhe ato për të cilat ka qenë i njohur shkaku apo burimi i hakmarrjes.

Zbulimi i vrasjeve pa dëshmitar shkon nëpërmjet disa hapave fillestarë. Hapi i parë është zbulimi i motivit apo shkakut të vrasjes, hapi i dytë janë provat materiale në vendin e ngjarjes dhe e treta kapja apo arrestimi i të dyshuarit për vrasje.

Në momentin e arrestimit të dyshuarit për vrasje, fillon faza e grumbullimit të dëshmive dhe dëshmitarëve që mund ta vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit për vrasje. Por, siq e thotë kodi penal, çdo i dyshuar për vepër kriminale deri në momentin e dënimit është i pafajshëm.

Stabiliteti i një populli është në drejtësi

“Për të gjykuar drejtë, gjyqtari duhet t’i ketë të dy veshët e njëjtë” e thotë një proverb gjerman, mirëpo tek ne shpeshëherë drejtësia e merrë anën e parasë, gjyqtarët mbyllin njërin vesh e njërin sy. Për ketë arsye qytetarët gjithnjë e më pak i besojnë drejtësisë, jo pse ia kanë frikën ligjit, por gjyqtarit!

Një gjyqtar i mirë për të qenë në gjendje të gjykojë drejtë dhe me finsikëri, duhet ta ketë një shpirtë të pastër dhe fisnik. Një drejtësi e gabuar shkakton probleme të gjata dhe zinxhirore në shoqëri.

Fakti se për qindra vrasje në Kosovën e pasluftës nuk e kemi asnjë të arrestuar nën dyshimin për vrasje, flet shumë për mungesën e guximit të prokurorëve dhe policisë hetimore, mungesën e guximit qytetar, në radhë të familjarëve për të ngre padi ndaj të dyshuarëve!

Edhe pse nëpër koluare, kafene e rrugë përfolen emrat e vrasësve, askush nuk shkon në prokurori. Pse të shkojnë qytetarët në prokurori kur familjaret e të vrarëve hedhin valle me kriminelët!

Kjo po ndodhë për shkak se paraja po ia merrë anën familjarëve të viktimës! Një dukuri e tillë nuk ka qenë asnjëherë prezente tek shqiptarët. Kjo ka bërë që në shumë raste hetimet të mbyllen dhe vrasesit të mos zbulohen asnjëherë!

Edhe pse në periudha të caktuara historike disa herë ka ndodhur falja e gjaqeve (e fundit në vitin 1990), megjithatë plaga e vjetër nuk gjeti shërim, vrasjet ndërshqiptare prapë po vazhdojnë…! Kështu po ndodhë në vendin e paradokseve të quajtur Kosovë, ku ligjin e diktojnë të fortët e politikës, qofshin në pushtet apo opozitë!

Aty ku sundon forca dhe paraja, drejtësia nuk shkon asnjëherë në vend!

P.S. Sqarim për lexuesit, edhe pse e nisa me rastin e Gllogjanit, pjesa e mëpasme analitike e shkrimit nga pasuesi “Vrasjet plagë e vjetër kombëtare” nuk ndërlidhet me rastin në fjalë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".