Paralajmëron analisti: Kosova gjatë këtij viti do të ketë edhe dy palë zgjedhje

Paralajmëron analisti: Kosova gjatë këtij viti do të ketë edhe dy palë zgjedhje
Paralajmëron analisti: Kosova gjatë këtij viti do të ketë edhe dy palë zgjedhje

Nue Oroshi

  • 23 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Ta them të drejtën, kësaj radhe Albin Kurti ka hyrë në bisedime se marrëveshje po bëjmë, por qysh të them unë. Pikërisht ashtu siç kishte ndodhur në një ndarje, ku vëllai i madh u kishte drejtuar vëllezërve të tij më të vegjël: “Bani qysh të bani, po livadhin e madh ma leni mu.” Edhe Albini i ka thënë partisë që ka qenë në bisedime, në këtë rast LDK-së, për çdo gjë mundemi me bisedu, por tri pozicionet më takojnë mua.

 

-Kjo është një etje e madhe për pushtet që e kanë bërë vetëm politikanët diktatorë për të marrë komplet pushtetin. Kjo është një papërgjegjësi e madhe politike që do t’i hakmerret në zgjedhjet e ardhshme Albin Kurtit. Madje është e çuditshme kur militantët e VV shpeshherë e përmendin 51%. Krejt kjo është në rregull, por ky 49% tjetër çka na qenka? A janë edhe këta votues të Kosovës? VV duhet ta ketë të qartë se populli ia ka dhënë 51%. Me këtë rezultat mund ta themelosh Parlamentin e Republikës së Kosovës, që e ke themelu dhe e ke Kryetaren e Parlamentit. Populli ta ka dhënë 51% që ta kesh mundësinë me themelu Qeverinë dhe VV e ka kryetarin e Qeverisë. Por populli nuk t’i ka dhanë 80 deputetë, që do të thotë se Presidentin duhet t’ia japësh partnerit qeverisës, pavarësisht a është ai partner PDK, LDK apo AAK.

Nëse ky dështim shkon deri në fund, Kosova gjatë këtij viti do të ketë edhe dy palë zgjedhje, me gjasë një palë në qershor e tjerat në tetor apo nëntor, kur i kalon afati ushtrueses së detyrës. Me një fjalë, anarki e plotë dhe lojë me votën e qytetarit. Albin Kurti kësaj radhe e ka pas një shans të mirë që përmes një koalicioni me njërën nga dy partitë e tjera politike, qoftë PDK apo qoftë LDK, të krijojë një stabilitet politik. Por një fjalë e urtë popullore e jona thotë se “kurr nuk banë me t’u ba njerëzit miza, ose kurr nuk banë me t’u rrit mendja.

” Se në momentin që të rritet mendja, e merr teposhtëzën. E ky po vepron sikurse ujku që ishte përmbi qengjin dhe ia tërhiqte vërejtjen se po ma turbullon ujin, se e kishte ndërmend ta hante. Edhe ky, si duket, e ka ba në mend ta shuajë LDK-në, por këto zgjedhjet e reja kanë mi dalë dardhë me bisht. E me shumë gjasë do të ketë vështirësi që t’i sigurojë numrat për zgjedhjen e Kryetarit të Parlamentit dhe Kryeministrin e ardhshëm pa një marrëveshje politike me ndonjë parti tjetër, e mos të flasim për zgjedhjen e Presidentit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".