Qeveria e Kosovës detyrohet të mos e njoh marrëveshjen për asociacionin të firmosur nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa!

Qeveria e Kosovës detyrohet të mos e njoh marrëveshjen për asociacionin të firmosur nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa!

Gani Qarri

  • 29 December 2021 - 07:43

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Deklarimet e fundit nga BE, për mos marrjen në konsideratë të letërkëmbimit të vitit 2015, ndërmjet ish kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa dhe ish- Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, për të mos i dhënë kompetenca ekzekutive Asociacionit një etnik të Komunave serbe, po bëhet edhe një argument tjetër edhe më i fuqishëm, në duart e Qeverisë së Kosovës, për hedhjen poshtë të kësaj marrëveshje në tërësi.

-Nëse BE nuk e njeh as zotimin e vet të dhënë edhe me shkrim, Qeveria e Kosovës detyrohet të mos e njohë marrëveshjen për asociacionin,në tërësi, dhe as që guxon të lëshojë pe, për asnjë milimetër në këtë drejtim, përkundër presionit që mund ti bëhet, si dhe të mos pranojë për asnjë çmim, formimin edhe të një "republika srpska" në truallin e shtetit të pavarur të Kosovës, por ta shfuqizojë dhe hedhë poshtë urgjentisht, në përputhje me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, si organi më i lartë në vend, për raste të tilla.

Për aq më tepër, BE edhe në një nga prononcimet e fundit për media në Kosovë, pa fije turpi, deklaron se “anulon” garancinë e Mogherinit, që asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive, duke zbuluar edhe një herë pafytyrësinë e saj të vërtetë, dhe sikur mos të mjaftonte gjithë ky anim i hapur pro Serbisë, Borell dhe Lajçak, kërkojnë që edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për hedhjen poshtë të asociacionit një etnik serb, i cili me mbi 23 nene, bie në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e shtetit, të mos përfillen?!

E jo!,-nëse vërtetë Garancia që vet BE, ia kishte dhënë me shkrim, ish-kryeministrit Isa Mustafa se Asociacioni një etnik i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, pas ndërrimit të përfaqësuesve, tani nuk vlejtka më, për Bashkimin Evropian, atëherë edhe Qeveria e Kosovës, e ka për obligim ligjor dhe kushtetues, që ta hedhë poshtë të gjithë marrëveshjen e viteve 2013 dhe 2015,për asociacionin dhe si të tillë, ta shpallë të pavlefshme për Kosovën.

Kështu që sa i takon minoritetit serb në Kosovë, duhet të kërkohet një dakordancë për të drejta të njëjta, të barabarta dhe reciproke me pjesëtarët e popullit shqiptar të Kosovës Lindore në trojet e veta, nën Serbi, për një marrëveshjen me zgjidhje të arsyeshme për të dy palët, dhe vetëm në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e shtetit të pavarur të Kosovës.

aq më tepër edhe vet zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se në këtë fazë të dialogut u takon palëve të merren vesh mes vete dhe nuk i takon BE-së të ndërhyjë as vendosë se çfarë kompetencash të ketë asociacioni i komunave me shumicë serbe, por në kuadër të diskutimeve të tyre duhet të akordohen vetëm Kosova dhe Serbia për këtë temë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".