Filozofia e mjerimit utopik e “kapuçit universal”!

Filozofia e mjerimit utopik e “kapuçit universal”!
Filozofia e mjerimit utopik e “kapuçit universal”!

Mehdi Hyseni

  • 01 January 2022 - 17:18

Prof. Dr.Mehdi HYSENI

 Filozofia e mjerimit utopik e  “kapuçit universal” !

*** Deri më sot (XXI, viti 2022) asnjë industri në botë nuk ka prodhuar ndonjë “kapuç universal” për shkak se njerëzit  kanë kokat me dimensione  të ndryshme. Prandaj, firmat dhe rrobaqepësit  në mbarë botën prodhojnë kapuça të madhësive të ndryshme ( me numra të ndryshëm, ashtu sikurse për veshmbathje të njerëzëve), jouniversalë. Ndërkaq, shfrytëzimi, skllavërimi, shtypja, tirania, tradhtia, robëria, mercenarizmi, plaçka, hajnia, vrasja, terrorizmi, gjenocidi, korrupsioni, krimi i organizuar… etj. kanë një “ kapuç universal”-vrasjen e lirisë(individuale dhe kolektive), të pavarësisë, të demokracisë, të humanizmit, të mirëqenies, të solidarësisë, të sigurisë dhe të paqes së përbotshme.

 ***Demokracia nuk e “pjell” lirinë, as drejtësinë, por lufta, liria, drejtësia, humanizmi  dhe barazia e sjellin demokracinë e mirëfulltë të një populli të shtypur dhe të kolonizuar.

   ***    ***   **Shkencërisht, koncepti i vetëdijes së mjerimit është përkufizuar në këtë formë: “Vetëdija e mjerë është një sintezë temporale e koncepteve të stoicizimit dhe të skepticizmit, e lirisë abstrakte dhe e vetëdijes së relativizuar në tërësi, e papërcaktimit të saj formal dhe e papërcaktmueshmërisë konkrete”.

 Edhe në fillimshekullin XXI(2000-2022) Kombin Shqiptar dhe Shqipërinë Etnike e rrezikon jo vetëm kolonializmi shekullor serbosllav-bizantin, por edhe vetëdija fatkeqe përbrendashqiptare e strukturave të ndryshme politiko-ideologjike dhe partiake, e cila ipso facto pranon dhe njeh çdo gjë që është me përmbajtje të panjohur, të përkohshme, të paverifikuar, të dëmshme, artificiale dhe të papranueshme për shëndetin e identitetit etnik, politik, kulturor, kombëtar dhe shtetëror shqiptar, në vend të asaj, që është e pranueshme, e dëshmuar dhe e verifikuar si vlerë e natyrshme, origjinale dhe e padiskutueshme si në sfondin e përditshmërisë sonë, ashtu edhe në atë të historisë sonë të derisotme etnike, kulturore, politike, kombëtare dhe atdhetare shqiptare.

 S'ka dilemë se para 30 vitesh ëndërrat dhe shpresat e popujve të Evropës Lindore (të shkëputur nga vargonjtë e revizionizmit të Bashkimit Sovjetik) ishin të mëdha, se pas reformave ekonomiko-politike dhe demokratike, të paktën do të fitonin një siguri më të madhe individuale dhe kolektive; të paktën do të zinin “një vend pune” sa për të mbijetuar me nder në kuptimin individual dhe familiar, e jo si lypësarë të përbuzur, të kushtëzuar dhe të frikësuar nga “demokracia e re” dhe nga “demokratët e rinj” me teka të vjetra fashistoide dhe mafioze (krim, dhunë, plaçkë, shfrytëzim të njeriut prej njeriut).

  Mirëpo, praktika e reformave transicionale të BE-së, provoi të kundërtën: Me qindra, mijëra, miliona njerëz ngelën pa punë, pa strehë, pa përkujdesje mjekësore, pa bukë, pa arsimim të rregullt, të sëmurë nga sëmundje të ndryshme, refugjatë me “strajca” në krahë brenda dhe jashtë vendeve të tyre, klient të përhershëm të qendrave të ndryshme sociale dhe të shoqatave humanitare sa për të mbajtur shpirtin gjallë, sot për nesër...etj.

 

 Karakteristikë tjetër negative e 30-vjeçarit të shkuar ishte edhe zhvillimi i konflikteve dhe luftërave të armatosura gjenocidale në të cilat u dogj edhe Kosova më 1989-1999, si rrjedhim i ushtrimit të gjenocidit luftarak të Serbisë, i cili si i tillë, në kuptimin e përgjegjësisë kolektive ngeli e pandëshkuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës dhe nga drejtësia e Organizata e Kombeve të Bashkuara.

 

Kjo është vetëm një faqe e medaljes së abuzimit të rregullave dhe të normave të së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të sistemit pozitiv juridik ndërkombëtar, që nuk përputhet me standardet e proklamuara të rendit të ri botëror, as me parimin “e kapuçit  universal” të demokracisë në përmasa globale të përbotshme.


E gjithë kjo çfarë ka ndodhur brenda periudhës së theksuar nuk ka asnjë lidhje me “reformat transicionale”, me demokracinë dhe me demokratizimin e vendeve dhe të popujve të Evropës Lindore, por me luftërat e reja gjenocidale, me varfërinë, me varësinë, me shfrytëzimin, me shtypjen ”paqesore”, me nekolonializmin dhe me rimilitarizimin e botës për relizimin e interesave ekonomike, tregtare dhe ushtarake të fuqive të mëdha botërore në emër të “demokracisë”, të “pluralizmit”, të “globalizmit” dhe të “drejtave dhe lirive të njeriut” etj.

 Në këtë kontekst, më së shumti janë të rrezikuar popujt e vegjël dhe, ende të robëruar nën tutelën e varësisë koloniale, siç është kombi shqiptar dhe Shqipëria Etnike në Ballkan.

 Ajo që e bën edhe më të mprehtë dhe më kreshpërues pozitën e shqiptarëve të kolonizuar në Ballkan, është shfaqja e recidivit shekullor e vetëdijes së mjerë, e cila shkak dhe pasojë ka sundimet e huaja të deritashme, që kanë rënë mbi kurrizin e tyre dhe të Shqipërisë Etnike.

 Lind pyetja pyetja e përsëritshme: pse, edhe në këtë çast vendimtar, kur kemi shansin historik që të dalim njëherë e përgjithmonë nga thundra e përgjakshme e kolonializmit imperialist serbo-sllav, sundon përbuzja, nënvleftësimi, urrejtja, armiqësia dhe përçarja mes nesh?

– Sepse një nga faktorët kryesorë është vetëdija e mjerë, e cila karakterizohet nga këto elemente të përmbajtjes së saj si në kuptimin e ngushtë, ashtu edhe në kuptimin e gjerë, siç janë: (1) Bajraktarizmi bashibozuk primordial grupor dhe nahior për pushtet; (2) Lufta e tëmerrshme e çifligarëve të rinj (të pasuruar në kurriz të gjakut, të rrjepjes disavjeçare dhe të djersës së popullit si gjatë kohës së luftës, ashtu edhe në “kohë paqeje”) që ta tjetërsojnë dhe ta grabisin sa më shumë pasurinë e popullit në emër të ligjeve të egra të privatizimit dhe të “vlerave dobiprurëse” të tregut të lirë dhe të demokracisë së imponuar neokolonialiste; (3) Koherenca e vetëdijes së mjerë afatgjatë antikombëtare shqiptare me atë të vetëdijes së “përkohshme” ndërkombëtare.

 Tërësia e këtyre faktorëve përbën rrezikun potencial, që jo vetëm shqiptarëve të kolonizuar, por edhe popujve të tjerë në Evropën Lindore(të cilët kanë ngelur “nën qiellin e hapur” të reformave demokratike, me miliona të papunë, pa siguri, pa ekzistencë dhe pa ardhmëri, duke bredhdur me valigje në dorë si “punëtor krahu” dhe si “artikuj të papërpunuar” konsumi për “tregje të lira” të vendeve të zhvilluara dhe më të zhvilluara) përveç tjetërsimit të pasurisë dhe djerësës së tyre, do t'iu dhurojnë edhe “demokracinë e privatizuar”, “lirinë e privatizuar”, “pavarësinë e privatizuar”, “arsimimin e privatizuar”, “rrymën e privatizuar”, “ujin e privatizuar”, “bukën e privatizuar” dhe, së fundi, ndoshta, edhe “ajrin e privatizuar” (sipas pozitës së rrezatimit të diellit, gjatë të të gjitha stinëve të vitit, por kjo vlen vetëm për pallatet e beglerëve të rinj poltikë analfabetë, të cilët vetëm deklarativisht janë përcaktuar për mëkëmbjen dhe implementimin e vlerave globaliste, në mënyrë që t'i joshin “argatët mëditorë” të tyre, sepse sipas vetëdijes së mjerë “të palexuar” të tyre vetëm në “atomistikën globaliste” popujt e pazhvilluar, të varfër dhe të kolonizuar, do ta “gjejnë shpëtimin” e tyre ekonomik, politik, demokratik dhe paqesor reformist).

 Logjika dhe filozofia e kësaj strategjie politike, “së pari shkatërro, pastaj ndërto”, nuk ka asnjë pikë ndërlidhurie me parimin e humanizmit, të demokracisë, të barazisë dhe të drejtësisë qoftë në kuptim të ngushtë apo të përgjithshëm të nocionit të saj. Por, në esencë, kjo ka të bëjë me “ingranazhet zhbalancuese” të strategjisë gjeopolitike dhe gjeoekonomike të neokolonialzimit “modern paqësor” në dimensione rajonale dhe ndërkombëtare.

 “Globalistët” shqiptarë, të cilët si duket “ i kanë hyrë në thelb globalizmit”, duke e “lëçitur” si të “vetmin shpëtim të njerëzimit”, kanë harruar se përveç privatizimit të kapitalit, të vendeve të punës dhe vlerave të tjera të tregut të lirë liberal botëror, globalizmi nënkupton edhe “privatizimin e lirisë”, “privatizimin e sovranitetit” dhe “privatizimin e së ardhmes” së njerëzimit si në aspektin e së veçantës, ashtu edhe në atë të së përgjithshmes, gjë që kjo vlen edhe për shqiptarët dhe për Shqipërinë e copëtuar në Ballkan.

 Pikërisht, ky status i brishtë juridiko-politik kombëtar i Shqipërisë Etnike, do të ketë për pasojë që as gjysmë Shqipëria e pavarur (1912), e drejtuar nga udhëheqja e saj politike me vetëdije të mjerë  ( 1990-2022) nuk do të ketë asnjë gjasë reale që të integrohet si anëtar i përhershëm i Bashkimit Evropian(BE) as në vitin 2020, as në vitin 2030, sepse BE-ja nuk pranon shtete të këtilla me status të pazgjidhur territorial dhe juridiko-politik kombëtar.

 Kjo vlen njësoj, edhe për Malin e Zi gjenocidal, për Serbinë gjenocidale dhe për Maqedoninë sllave, të cilat pa zgjidhjen e konfliktit kolonial, territorial dhe shtetëror me shqiptarët fqnij në Ballkan, aderimin me të drejta të plota në BE, do të mund ta shohin vetëm në ëndërr të parealizueshme.

Një shembull konkret tejet të thjeshtë dhe të hidhur të “globalizmit lokal”. Në vitin 2002, me rastin e kremtimit të festave të Nëntorit isha në Shqipëri. Mirëpo, sa u gëzova, aq edhe u hidhërova, kur për çdo mëngjes nga dritarja e dhomës sime të hotelit shihja turma të shumta njerëzish në Sheshin Skenderbej të kryeqytetit, të cilët me orë tëra me vegla të ndryshme pune prisnin “gazdallarët”-beglerët e rinj “globalistë” për t'i “blerë” për kryerjen e ndonjë pune private mëditore me “çmim globalist” (ndofta) sa për të blerë ndonjë bukë, ndonjë lugë kripë apo ndonjë shishe vaji për t'iu sjellë familjeve të tyre në të ngrysur të mbrëmjes e së nesërmes së pashpresë...Ky është “thelbi” i reformave ekonomike, politike, demokratike, integruese dhe sociale, duke mos përmendur difektet e tjera të politikës dhe të sistemit demokratik, të deklaruar në Shqipëri (1990-2022)?!

 Edhe sa milionë shqiptarë, duhet të shpërngulen nga Shqipëria, që të gjejnë bukë, punë dhe strehë në  Greqi, në Evropë dhe në Amerikë etj.?

 Edhe sa njerëz, duhet të bëjnë vetëvrasje për bukë në Shqipëri? Edhe sa nxënës të mitur të shkollave fillore dhe të mesme., duhet të bëjnë vetëvrasje, si pasojë e varësisë materiale dhe e indoktrinimit nga sektet dhe nga shoqatat e ndryshme “religjioze” dhe “humanitare”?

  Edhe sa profesorë dhe doktorë të shkencave nga Shqipëria, duhet të vijnë në Amerikë për ta shtyrë një “wheelchair”(karrocë invalidësh) për të siguruar kafshatën e gojës?!

 Ja, kjo është “strategjia reformuese vizionale” e demokracisë dhe e së ardhmes së Shqipërisë së sotme me “narkodilerë” në krye të vetëquajtur demokratë dhe patriot: çdo gjë për vete, për klane, për kasta, për parti, për klube, për firma e për kompani të ndryshme shfrytëzuese, asgjë për popullin e varfëruar, të papunë dhe të shpërngulur në dhera të huaja (1990-2022).

 Gjithashtu,  “Sistemi demokratik” i tyre nuk ka nevojë për profesorë dhe doktorë të dëshmuar, por për korrupcionistë, mafiozë, trafikantë, hajna dhe mashtrues të “kualifikuar” , të cilët qe  më se 3 dekada rresht (1990-2022)  janë duke e shfrytëzuar pa mëshirë shumicën dërrmuese të popullit, vetëm për t'i mbushur “xhepat” dhe “arkat” e tyre personale, grupore dhe nahiore në emër të “demokratizimit”, të “patriotizimit”, të “pluralizmit”, të “integrimit” (qoftë edhe me dreqin serb a rus, s'ka rëndësi, vetëm për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, sepse, ndryshe tretën edhe privilegjet korrupcioniste, trafikante, mafioze financiare, ekonomike dhe pushtetore) dhe të “globalizmit”.

Edhe sa e sa pyetje të tjera ekzistojnë, që kërkojnë jo vetëm përgjigje politike nga vetëdija e mjerë e “globalistëve lokalë” shqiptarë, por edhe zgjidhje imediate konkrete.

 Ky mjerim politik, ekonomik, demokratik dhe shoqëror nuk ka asnjë pikë të përbashkët me vlerat e proklamuara të demokracisë së imponuar universale dhe të rendit të ri botëror, por më tepër i ngjet robërisë së pafund të shekullit të mesjetës.

 Për “shijen moderne” të shfrytëzimit të njeriut prej njeriut si “pjellë e gatuar” e vetëdijes së mjerë , “të finalizuar” politikisht, demokratikisht, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht çdo gjë është e shtrenjtë, e çmueshme, e vlefshme, e kapshme, e jusitifkueshme, e patjetërsueshme..., etj., përveç kryevlerave siç janë njeriu, liria, pavarësia, sovraniteti, humanizmi dhe barazia si në kuptimin e ngushtë, ashtu edhe në kuptimin e përgjithshëm.

Pra, thjesht, pa rënë në pozitivzmin e filozofisë politike spekuluese dhe mashtruese, vetëdija e mjerë e elitave të sotme politike dhe kosmopolite me parashenjë globaliste shqiptare (në pushtet), është vetëdije e interesit individual, dhe e ineteresave  grupore dhe partiake… etj., që karakterizohet nga përmbajtja e saj e errët, e dykuptimshme dhe kontradiktore si në planin e individuales, ashtu edhe në atë të së përgjithshmes, që nuk ka asnjë tipar ndërlidhës, as të përbashkët me konceptin e mirëfilltë të demokracisë, as të humanizimit e as të demokratizimit të shoqërisë, por vetëm me “rregullat” dhe me “ligjet” e kushtëzuara të interesave të tyre të ngushta individale, grupore, ideologjike dhe partiake, që bien ndesh me parimin e ndërgjegjës së interesave të përgjithshme kombëtare dhe shtetërore shqiptare, si dhe me parimin universal të demokracisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".