Qeveria Kurti ta ndryshon urgjentisht ligjin për festat, në Evropën e bashkuar nuk shkohet duke pushuar e mos punuar!

Qeveria Kurti ta ndryshon urgjentisht ligjin për festat, në Evropën e bashkuar nuk shkohet duke pushuar e mos punuar!

Gani Qarri

  • 12 January 2022 - 07:49

Shkruan:  ANALISTI – Gani Qarri

Tani më është pikërisht momenti i duhur që kjo qeveri e cila e ka shumicën e mjaftueshme në kuvend, ta marr me prioritet plotësim-ndryshimin e ligjit për festat zyrtare, duke ndërprerë praktikën deritashme të festomanisë së pa kuptimtë.

Ndryshimi i Ligjit për festat, duke i racionalizuar dhe reduktuar ato, duhet të ndodhë për vet faktin se po krijohet precedent i pa shembull me të gjitha shtetet në rajon e më gjerë, duke ndërlidh secilën festë zyrtare më ditë vikendi dhe pësuar humbje të mëdha jo vetëm sektori publik por edhe ai privat, me çka po çrregullohet tërësisht funksionim i bizneseve administratës publike si dhe ai i lëvizjes së qytetarëve në transportin publik. Madje një zgjidhje e tillë e mbrapsht ligjore, përveç pakënaqësisë së madh që ka krijuar te qytetarët dhe në opinionin publik, së fundi ka reaguar edhe Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), duke kërkuar nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim-plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, sipas standardeve evropiane, model që e kanë të gjitha shtetet fqinje dhe më gjerë në rajon. Ndaj edhe OAK ka kërkuar, që praktikat e deritanishme për ditët e festave të cilat bien në ditë vikendi, të mos zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, sipas Nenit 4 të Ligjit për Festat Zyrtare, dhe për ditët e festave zyrtare të cilat bien ditën e shtunë ose të diel, të mos bëhen pushime të dyfishta me ditët pasardhëse të punës”, praktikë e mbrapsht, cila për vite të tëra, po e dëmton vendin në aspektin financiar dhe atë të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Për aq më tepër, “OAK" kërkon që me ndryshimin e ligjit edhe disa festa simbolike të shënohen me aktivitete të veçanta, por të mos festohen si ditë pushimi sepse këtë praktikë po e zbaton vetëm Kosova duke bërë precedent të pa nevojshëm në gjithë rajonin. Kështu që, me ndryshim të ligjit të festave OAK, propozon që të festohen apo shënohen si ditë feste por të mos jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maj Dita e Evropës, kurse festat e komuniteteve pakicë të jenë ditë pushimi vetëm për qytetarët e këtyre përkatësive, por jo edhe për gjithë vendin sikur që po praktikohet tani. Me rekomandimet nga “OAK, kërkohet që Ligji i cili është në procedurë të plotësim-ndryshimit, të kontribuojë në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori ne Evropë. Përndryshe, duke humbur ditë pune pa nevojë, destimulohet edhe interesimi për investitorët e huaj serioz, sepse Republika e Kosovës është shteti me më së shumti ditë pushimi për festa, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, një luks që nuk e përballon dot, ta ketë as mbajë gjatë, vetëm Kosova ne Evropë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".