MPJ-ja të pastroj listat, nga sëmundja e familjarizimit dhe militantizmit klintelist e korruptiv!

MPJ-ja të pastroj listat, nga sëmundja e familjarizimit dhe militantizmit klintelist e korruptiv!

Hajrullah Tërnava

  • 14 January 2022 - 07:56

Shkruan: ANALISTI – Hajrullah Tërnava

Ministrja e Punëve të Jashtme (MPJ) tani në detyrën që është duke e zhvilluar, duke e shtuar aktivitetin e sajë, po vërehet që ka filluar të ndërmerr masa serioze që ta spastroj këtë ministri nga ata të mëparshmit, që i kanë punësuar njerëzit pa kritere dhe për qëllime të tyre, që nuk e kanë merituar të punojnë në këtë ministri. Të tillët i kanë sjellë shumë të këqija kësaj ministrie, duke i punësuar njerëzit e tyre për qëllime të interesave të byrë, dhe për qëllime që veç ata i dinë, e në të kundërtën është dashur që në këtë ministri të punojnë njerëz të aftë dhe me merita të mëdha në lëmit e tyre, që do të ju kontribuojnë njohjeve të reja të shtetit tonë dhe të ja kthejnë reputacionin pozitiv këtij shteti të ri.

-Masat që po ndërmerren në MPJ së shpejti do të na bindin se kjo ministri do ta kompensoj humbjen e madhe në rrafshin diplomatik të shkaktuar për dy mandatet e kaluara, nga familjarizimi dhe klientelizmi i madh politik i instaluar në këtë ministri, me paralajmërimin e pastrimit të thellë të kësaj ministrie nga vendimet e kundërligjshme dhe strukturat jo profesioniste të instaluara ndër vite. Pas një faze shumë intensive të identifikimit jo vetëm të dobësive, por edhe potencialit për reformë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas Ministres Donika Gërvalla tani do të fillon faza finale e fuzionimit të ish-Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ish-Ministrisë së Diasporës, fuzionim ky që ka dështuar ta kompletojë qeveria gjatë mandatit të kaluar.

Ajo është zotuar se në kuadër të riorganizimit të MPJD-së, me implementimin e rregullores së re të brendshme, do të mundësohet një funksionim më i mirë dhe më efektiv i këtij institucioni. Për të vendosur rend, ligj dhe profesionalizëm, ajo ka thënë se janë analizuar shkeljet e shumta ligjore të viteve të fundit prandaj në vijim do të shfuqizohen një nga një të gjitha vendimet e jashtëligjshme, duke kthyer kështu më në fund ligjshmërinë dhe drejtësinë e munguar në këtë institucion, sepse do të hapim konkurse të reja, të bazuara në kritere transparente profesionale për ta pasuruar MPJD-në me diplomatë të kualifikuar mirë, në mënyrë që të krijohet një ekip profesional solid dhe premtues për të ardhmen e diplomacisë.

Ajo ka thënë se në bashkëbisedim me profesionistë të mirëfilltë brenda dhe jashtë vendit, do të vazhdojmë të ri definojmë kriteret profesionale për kualifikim dhe për emërim dhe nuk do të punësojnë persona që nuk plotësojnë standardet bazë të nevojshme për t'i shërbyer vendit tonë jashtë apo brenda. Dhënien e gradave duhet të vendoset në binarë ligjorë duke shpërblyer punën dhe profesionalizmin, e jo përkatësinë partiake, klanore apo familjare.

Auditimi dhe zbardhja e abuzimeve që janë bërë me ligjin do të jetë po ashtu një nga qasjet për ndryshime dhe vlerësim. Ajo ka thënë se janë audituar ndërkohë sektorët e ndryshëm të ministrisë dhe tani janë në fazën e implementimit të rekomandimeve të auditorit por procesi do të vazhdon tutje. Auditime të tjera të rëndësishme do të vijojnë. Kështu kemi funksionalizuar zyrën e personelit, kemi ndalur shkeljet gjatë emërimeve, shpërdorimin e parasë publike dhe kontratat e tenderët e pakuptimtë. Kemi ndalur po ashtu edhe udhëtimet e panevojshme duke implementuar mekanizma rigoroze të kontrollit, ka thënë Gërvalla, duke u zotuar se ndryshimet e domosdoshme do të ndodhin pavarësisht kritikave dhe rezistencës që do të ketë nga grupet e ngushta të interesit të instaluara në qeverisjet e kaluara. Sidoqoftë ajo thotë se stuhia e pafund e ankesave do të vazhdojë edhe në javët në vijim sepse ata që nuk e meritojnë nuk do të kenë vend në diplomaci.

Është shumë domethënës në kuptimin pozitiv deklarimi i ministres se të gjithë ata që janë dërguar në ambasadat dhe konsullatat tona jashtë vendit në kundërshtim me ligjin ose që nuk i kanë përmbushur pritjet elementare të një diplomati, do të kthehen gradualisht në Prishtinë. Pas gjithë atyre viteve pa ligjshmëri, ligjin duhet të zbatohet përfundimisht edhe në këtë fushë. Shteti ligjor është shtet ligjor dhe jo shtet i nepotizmit, i privilegjeve të pafundme dhe i tradhtisë ndaj taksapaguesve dhe djersës së tyre. Pra, nga cilësia e karakterit bazë njerëzor dhe profesionalizmi, nga dija dhe zelli duhet të varet se a do ta gëzojë dikush privilegjin ta përfaqësojë vendin tonë krenar.

Zyrtarët e Kosovës në ambasada, konsullata dhe në ministri në fund të fund shef e kanë ligjin dhe sovranin, pra qytetarin e Republikës së Kosovës, atë që jeton brenda por edhe jashtë vendit. Kush nuk e kupton këtë parim bazë, kush nuk e kupton që është privilegj i jashtëzakonshëm të shërbesh, nuk meriton të shërbejë në misionet e tona diplomatike. Me një veprim diplomatik të tillë sikur u shpjegua, MPJ do të spastrohet nga ata që se kanë merituar të jenë në ato poste të rëndësishme të këtyre institucioneve, prandaj nuk është çudi pse deri më tani qe disa vite as që patëm njohje të reja të pavarësisë së shtetit të Kosovës, përkundrazi patëm shumë çnjohje, përpos që Izraeli e beri njohjen qe një vit e ca, dhe kjo njohje erdhi si meritë e shteteve mike të Kosovës.

Nëse në këtë mënyrë në këtë ministri do të spastrohen njerëzit që se meritojnë të jenë në këtë ministri, shpresa e popullit do të rriten për përforcimin e shtetit të tyre, edhe njohjet e reja shpejtë do të ndodhin. Tani jemi në një kohë kur këto ndryshime kualitative duhet të zhvillohen shpejtë, nuk duhet të prolongohen dhe të vonohen këto veprime, duhet të shfrytëzohet koha dhe situata që po mbretëron tani në të mirë të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".