Drejtësinë kosovare po e rrezikojnë analfabetët, nga 494 kandidat për gjyqtar vetëm 154 e kalojnë testin e fazës së parë!

Drejtësinë kosovare po e rrezikojnë analfabetët, nga 494 kandidat për gjyqtar vetëm 154 e kalojnë testin e fazës së parë!

Gani Qarri

  • 21 January 2022 - 07:44

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Sistemi i Drejtësisë në Kosovë, nuk është më vetëm duke çaluar, por edhe duke u rrezikuar seriozisht nga punësimet pa kriter dhe me kuadro jo profesionistë, që kohëve të fundit, fatkeqësisht po i prodhojnë me shumicë dhe pa asnjë kontroll, universitetet publike e private, të hapura nga partitë e inkriminuara, për interesa të veta biznesore dhe politike.

-Cilësia e dobët e arsimimit në Kosovë, nuk është duke e turpëruar më, vendin tonë, vetëm në testet e PISA-s, por është duke e dëmtuar rëndë dhe shkaktuar probleme të patejkalueshme në të gjitha drejtimet shtetit të Kosovës, e veçanërisht në atë të prokurorisë dhe gjyqësorit, ku Kosova çalon më së shumti, në gjithë rajonin e më gjerë. Për aq më tepër, kjo shkallë kaq e ulët e dijes, ka arritur përmasa alarmante duke nxjerrë kuadro gjysmë-të kualifikuar si kërpudhat pas shiut, për përgatitjen pedagogjike të të cilëve, në numrin më të madh të kuazi-universiteteve të hapura nga politika, nuk ka profesor të ngritur mjaftueshëm profesionalisht për mësimdhënie.

Për aq më tepër edhe studimet që përfundohen në këto universitete kanë marr epitet të garës, jo në cilësi dhe dije, por për biznes dhe profit ordiner, se kush do të josh më shumë kandidat për regjistrim dhe e kush do të përfitojë financiarisht prej tyre më shumë. E për pasojë të gjithë kësaj, sot kemi edhe rezultate kaq të dobëta e dëshpëruese në kuadrin e fushës së jurisprudencës, që prodhojnë ad-hoc dhe pa asnjë kontroll cilësie, institucionet e lartcekura, që janë më tepër politike se sa arsimore.

Madje kjo më së miri u pa më datën 16 janar të vitit 2022, pikërisht në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, ku në bazë të konkursit të hapur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), u mbajt testimi kualifikues për gjyqtarë të rinj, por rezultati i treguar në këtë testim ishte jo vetëm zhgënjim total, por edhe rast për tu alarmuar gjithë sistemi i lartë universitar në vend. Dhe përderisa testimit për këto pozita të hapura iu nënshtruan 494 kandidatë, prej 568 sosh, sa kishin aplikuar fillimisht, nga ata 494 pjesëmarrës, testin kualifikues kanë arritur ta kalojnë vetëm 154 prej tyre, të cilët pritet ti nënshtrohen fazës së dytë dhe të tretë të testimit. Kurse sipas rregullores për Rekrutim, kandidatët për gjyqtarë, duhet ti nënshtrohen provimit në tri pjesë, prandaj edhe 154 pjesëmarrësit që kaluan pjesën e parë, duhet ti nënshtrohen edhe testit me shkrim, të cilin pritet që një pjesë e konsideruar, të mos e kalojnë fare.

Çështja bëhet edhe më e komplikuar, kur kihet parasysh fakti se numri kaq i vogël, që kaluan testin e parë, përveç diskualifikimit të mundshëm të një pjese nga ta,në fazën e dytë, në testin e tretë, që përfshinë intervistën me gojë, si dhe një "Ese përgatitore", mund të bien shumica prej tyre.

Prandaj kjo është faza më kritike, ku fillojnë të hynë në përdorim manipulimet e njohura, si paraja, njoftësia apo edhe ndërhyrjet partiake, për katapultimin edhe pa dije, të anëtarëve të tyre, si gjyqtar të rinj. Kështu që megjithëse KGJK, me një njoftim publik, i ka ftuar të gjithë profesionistët e kualifikuar ligjor që të aplikojnë për pozitën e gjyqtarit në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës, vet faza e parë e testimit të 494 konkurrentëve, ku vetëm 154 prej tyre e kanë kaluar provimin primar, ngjall shqetësim tepër të madh se në testin me shkrim dhe atë me gojë do të kemi edhe dy dështime të tjera të radhës, ndoshta edhe më të mëdha se zhgënjimi i parë.

Dhe për rrjedhojë, me të drejtë lind dyshimi, se para kësaj gjendje katastrofale të cilësisë kaq të ulët të dijes, për plotësimin e vendeve vakante, gjithsesi në të shumtën e rasteve, do të vijnë në shprehje të preferuarit e grupeve të ngushta të interesit, dallaveret dhe paraja. Sprovë në të cilën, sidomos në fazën e tretë, që është edhe pjesa përfundimtare e testimit, pritet të futet çdo formë e korruptimit, gjë që vë në pikëpyetje totale, jo vetëm cilësinë e shkollimit, por edhe të ardhmen e drejtësisë profesionale në Republikën e Kosovës, e cila jo vetëm që nuk mund të krahasohet as me nivelin e vendeve më të lodhura në rajon, por nuk do të mund ti plotësoj edhe standardet minimale evropiane, të parapara për integrim e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".