Fshesa antikrim duhet ta pastron urgjentisht edhe Policinë e Kosovës

Fshesa antikrim duhet ta pastron urgjentisht edhe Policinë e Kosovës

Gani Qarri

  • 07 February 2022 - 07:42

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Mjerisht zhvillimet e fundit, dëshmojnë më së miri se sa thellë kanë depërtuar edhe në policinë e Kosovës, element të inkriminuar të lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe grupet kriminale të mafio politikës, të cilët janë bërë vegla dhe sekser të oligarkëve dhe pikërisht veriun e Kosovës e kanë shndërruar në oazë të kontrabandës dhe të krimit të pa kontrolluar.

-Është lajm për tu shqetësuar kur mësojmë nga raportimet në media se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 20 policëve të këtij rajoni, grup ky me përbërje të përzier etnike, serb, shqiptar dhe boshnjak, të cilët po akuzohen për bashkëpunim me grupet kriminale në veri, lejimin e tyre për veprim të lirshëm të kontrabandës me Serbinë, në lidhje me biznese të ndryshme lokale dhe më gjerë.

Grupi i policëve të inkriminuar që akuzohen në këtë rast kriminal përbëhet prej Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedeljkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuci, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsa Gogiq. Po ashtu bashkë me 20 policët e veriut për kontrabandim me mallra janë të akuzuar edhe Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi, mirëpo për habi, rasti ndaj këtyre është veçuar.

Policët në fjalë, akuzohen se kanë bashkëpunuar edhe me një grup prej 11 vetash, qytetar dhe pronar të bizneseve të ndryshme të inkriminuara, të cilët kanë shfrytëzuar kanale të ndryshme të kontrabandimit të mallrave nga Serbia. Ndaj vet ky fakt, flet më së miri se përveç pastrimit me Vetting që pritet të ndodhë së shpejti në sistemin e drejtësisë, një Vetting dhe verifikim i detajuar duhet zbatuar urgjentisht edhe në polici, madje edhe në vet AKI-në e të gjitha institucionet ligj zbatuese pasi që pothuajse nuk ka mbetur institucion në dy dekadat e kaluara, që nuk është kontaminuar me korrupsion e krim të organizuar nga qeverisjet e kaluara, me punësimet pa kriter, të kandidatëve të pa verifikuar që kanë pasur lidhje të ngushta interesi dhe ndër vite kanë bashkëvepruar me krimin e organizuar. Për aq më tepër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 16 qershor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti”, “kontrabandë me mallra”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa gjykimi i këtij grupi ka filluar këtë të enjte por është shtyrë për 25 mars pasi që ka munguar njëri nga të akuzuarit, me arsyetimin për çështje shëndetësore.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit, kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si: kafshë, derivate, pije alkoolike, joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve dytësore- ilegale, derisa kishin qenë në detyrë zyrtarë duke mbikëqyrur rrugët kufitare Kosovë-Serbi. Sipas PSRK-së, të njëjtit iu kishin mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Djukiq, Miljan Radisavljeviq, Miljojko Radisavljeviq, Zoran Vukomanoviq dhe persona të tjerë si transportues të mallrave, duke iu shmangur kontrollit doganor me rastin e importimit të mallrave nga Serbia, me ç’rast i kishin shkaktuar dëm të konsideruar material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".