Me qeverinë po zbulohen lidhjet e vjetra kriminale të politikës me narkomafinë

Me qeverinë po zbulohen lidhjet e vjetra kriminale të politikës me narkomafinë

Gani Qarri

  • 12 February 2022 - 09:05

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Përveç vjedhjeve mafioze, plaçkës dhe përvetësimit pervers, që mjerisht, ishte kthyer në ritual të partive të inkriminuara, si dhe haraçit klandestin, tashmë të bërë publik, në emër të tenderëve, të pa arsyetuar ligjërisht asnjëherë, tanimë ka filluar të zbulohet edhe trafikimi i gjerë i drogës dhe narkotikëve,nga ana tjetër e kufijve, në formë të tregtimit të "lirë" e konvencional, për çka personat përgjegjës dhe mbështetësit politik të tyre nga partitë e inkriminuara, duhet urgjentisht të sillen para drejtësisë, për mbrojtjen e të rinjve tanë nga droga dhe ardhmërinë e këtij vendi nga shkatërrimi.

Rastet e shpeshtuara të zbulimit dhe konfiskimit të sasive të mëdha të drogës në Kosovë, po shndërrohen në një alarm masiv, që duhet të merret tepër seriozisht nga të gjitha institucionet e sundimit të ligjit, për të forcuar aksionet e tilla edhe më tepër, sidomos tanimë kur po vërtetohet me fakte praktike, se në Kosovë ka vite që qarkullon paraja e pistë, droga dhe prostitucioni nga e cila veprimtari kriminale është financuar edhe Politika në të dy anët.

Veçanërisht në 6 muajt e fundit të këtij viti, janë shpeshtuar në masë të madhe rastet e zbulimit dhe konfiskimit të sasive të mëdha të drogës, sikur që u pa edhe në rastin e datës 10 shkurt në rajonin e Podujevës ku policia ka konfiskuar mese 34 paketime me substancë narkotike të llojit marihuanë në sasi prej rreth 91 kg 548 gr”, rrugëtimi i të cilës vazhdoi ditën me diell, sikur të barteshin artikujt të rëndomtë ushqimor, nga Dragashi dhe përfundoi në Podujevë. Prandaj kjo fushatë antidrogë është dhe mbetet një nismë e mbarë e Qeverisë Kurti dhe Ministrisë aktuale të Punëve të brendshme që në koordinim me AKI-në dhe policinë e Kosovës, kanë filluar ta kapin lidhjen e krimit më të rëndë që mundë të zhvillohet në një shtet, si droga, prostitucioni dhe shpëlarja e parave të pista, aksion i cili medoemos duhet të qohet deri në fund.

Mjerisht këto dukuri janë zhvilluar me dekada dhe përveç politikës së inkriminuar ato i kanë ndihmuar edhe lulëzimit të krimit ekonomik e në veçanti atij urban, në nivel vendi,me përqendrimin më të madh në fushën e ndërtimeve pothuajse nën kontroll të plotë nga mafia e ndërtimeve me theks të veçantë në Prishtinë. Prandaj, tanimë është koha vendimtare,që të fillohet të hetohen edhe kompanitë ndërtimore dhe investitorët në fushën e ndërtimeve të dyshimta, përmes inteligjencës financiare,në mënyrë që të zbulohet me rrënjë, burimi i krimit, sidomos në fushën e ndërtimit që ka marr hov dhe për fat të keq është bërë simbol i degradimit në vend. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".