Drejtësia e kontrolluar nga SHIK-u nuk mund të vendosë drejtë në gjykimin e skandalit për dëbimin e qytetarëve turq

Drejtësia e kontrolluar nga SHIK-u nuk mund të vendosë drejtë në gjykimin e skandalit për dëbimin e qytetarëve turq

Gani Qarri

  • 13 February 2022 - 08:52

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Aktualisht, ai që ka kontrolluar, dirigjuar dhe urdhëruar policinë dhe AKI-në, tani e më tepër se një vit, gjendet i burgosur në Hagë ku po mbahet nga Gjykata Speciale, ndaj ky do të jetë vetëm një proces i improvizuar, i dizajnuar paraprakisht për të dështuar, kur dihet se prokuroria dhe gjyqësori, vazhdojnë të jenë, edhe më tej, të kapura nga PDK dhe nën kontrollin e SHIK-ut.

 

Këto ditë, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sapo ka filluar procesi gjyqësor kundër ish shefit të AKI-së, Driton Gashi, ish-drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) Valon Krasniqi, si dhe drejtorit të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare Rrahman Sylejmani, për aferën e kidnapimit klandestin të qytetarëve turq me 2018 në Kosovë dhe kthimin e tyre klandestin, kinse si gylenist në Turqi. Por siç duket procesi gjyqësor për rastin më të paprecedent që ka mundur të ndodhte vetëm në Kosovën tonw, nw shtetin  e sunduar nga Thaçi & Co, me arrestimin e qytetarëve turq, për "hatër" të Erdoganit, nga i vëllai i tij Hashim Thaçi, që ka filluar këtë të mërkurë, pa urdhërdhënësin kryesor të arrestimit të tyre inordiner, Hashim Thaçi, do të mbetet vetëm një proces farsë. Dhe kjo, jo vetëm për faktin se në proces mungon njeriu kyç i këtij akti të paprecedent, i cili kishte bërë marrëveshjen me Erdoganin, për kthimin e tyre, duke i kidnapuar me "bodigard" të maskuar me kapuça të zi në kokë, ditën me diell, para fëmijëve dhe grave të lemerisura, por mungon edhe vullneti i gjykatësve për veprim të drejt ligjor dhe dënimin-bazuar në fakte të të akuzuarve. Aktualisht, ai që ka kontrolluar, dirigjuar dhe urdhëruar policinë dhe AKI-në, tani e më tepër se një vit, gjendet i burgosur në Hagë ku po mbahet nga Gjykata Speciale, ndaj ky do të jetë vetëm një proces i improvizuar, i dizajnuar paraprakisht për të dështuar, kur dihet se prokuroria dhe gjyqësori, vazhdojnë të jenë, edhe më tej, të kapura nga PDK dhe nën kontrollin e SHIK-ut. Prandaj qysh tani, ka sinjale të qarta se "drejtësia" e ndikuar nga politika, do të provojë, që barrën e Hashim Thaçit, të ish ministrit të Jashtëm Begjet Pacollit dhe atij të brendshëm Flamur Sefajt, në mënyrë oficiele, fillimisht t`ua veshin zyrtarëve të AKI-së, për ti shpallur, pastaj të gjithë të pa fajshëm, duke filluar me ish krye shefin e AKI-së, Driton Gashi dhe gjithë zinxhirin e bashkëpunëtorëve të tij, pjesëmarrës në këtë akt të paprecedent. Personat e apostrofuar, me urdhër të Thaçit me 2018,kanë kidnapuar pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrë krejtësisht të pazakontë për një shtet të njëmendtë evropian dhe demokratik, grupin e qytetarëve turq, duke lënë në vaj e trishtim gratë dhe fëmijët e tmerruar, me ashpërsinë dhe mënyrën e egër të arrestimit, dhe kthyer ata duarlidhur në Turqi, vetëm pse këtë e kishte kërkuar satrapi Erdogan. Por qysh në ditën e parë të shqyrtimit gjyqësorë, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku janë paraqitur Driton Gashi, ish-shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Valon Krasniqi, ish-drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) si dhe Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, të gjithë e kanë deklaruar veten të pafajshëm dhe pa asnjë përgjegjësi, ani pse lidhur me akuzat që u vihen në barrë, vet ata janë aktorët e zbatimit të urdhrit të kundërligjshëm klandestin.  Madje për shkak të kësaj afere Gashi, Krasniqi dhe Sylejmani po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Sylejmani akuzohet nga gjykata edhe për privim të kundërligjshëm nga liria dhe të gjitha akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë,pikërisht me dëbimin aksidental në vitin 2018, të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi.

E lidhur me këtë aferë që i ka lënë njollë të zezë gjithë vendit dhe institucioneve kryesore të sigurisë në Kosovë, si AKI dhe policia e shtetit, ishte formuar edhe një komision hetimor i Kuvendit të Kosovës, i cili pati intervistuar ish Presidentin Thaçi, ish ministrin e jashtëm Begjet Pacollin dhe ish ministrin e punëve të brendshme Flamur Sefaj, kurse raporti final i komisionit kishte konstatuar aso kohe shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut ndaj qytetarëve turq, si nga AKI, ashtu edhe nga institucionet e sigurisë në Kosovë. Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, lidhur me aferën e arrestimit agresiv dhe dëbimin e tyre të egër, në Turqi, akt për të cilin do të shkarkohej vetëm ministri i brendshëm Flamur Sefaj, por nuk do të trazoheshin asnjëri nga zyrtarët e tjerë të involvuar në këtë akt të egër e kundërligjor,nga shteti i Kosovës, vlerësim shumë kritik mbi këtë rast skandaloz kishte hartuar edhe Komisioni Evropian për Kosovën në Raportin e tij, akt i rëndë e flagrant, shija e hidhur e të cilit, vazhdon të mbetet prezentë edhe sot në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".