Pa goditjen e nëntokës kriminale në gjyqësi dhe polici, qytetari nuk do të ketë besim në drejtësi!

Pa goditjen e nëntokës kriminale në gjyqësi dhe polici, qytetari nuk do të ketë besim në drejtësi!

Hajrullah Tërnava

  • 19 February 2022 - 12:30

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Ligjet pozitive të një shteti ua imponojnë organeve të luftimit të krimit, që ti luftojnë të gjitha të këqijat e atij shteti në tërë territorin e sajë, duke mos pasur mëshirë në luftimin e krimeve, në të gjitha institucionet e shtetit, dhe vetëm në atë mënyrë nëse luftohen krimet, atëherë mundë të flitet për një shtet të fortë juridik i cili ka perspektivë t’iu bashkëngjitet shteteve të zhvilluara të BE-së ku edhe pretendon shteti i ynë, prandaj edhe ka filluar të godet krimin, ngadalë por shumë sigurt, ligji dhe drejtësia po godet edhe brenda vetë institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit, në polici dhe në Gjykata, për shkak të zbulimit dhe kapjes në flagrancë me krim e korrupsion.

Edhe pse opinioni i ka pritjet që më shpejt të luftohen të gjitha dukuritë kriminale, megjithatë edhe në këtë mënyrë si po veprohet, me ndjekjen, zbulimin dhe kapjen e disa grupeve serioze mafioze, janë për tu inkurajua dhe shpresuar, për të vazhduar me hetim dhe zbulim të rasteve të lidhjes me krimin e organizuar. Dy rastet e fundit të mbyllura në Gjykatën themelore të Mitrovicës dega në Skenderaj, në të cilën u dënuan ish Gjyqtari Rafet Ismajli dhe ish-polici Blerim Gashi janë dënuar me nga 20 muaj burgim dhe me nga 1 mijë euro gjobë, pasi që të dytë së bashku janë shpallur fajtor për korrupsion janë raste që duhet të na e kthejnë fillimin e besimit në institucionet e pa varura të drejtësisë, të cilat me vonesë, por më mirë vonë se kurrë, po çlirohen nga ndikimi i krimit. Sipas aktakuzës së ngritur më 4 mars 2020 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Rafet Ismaili në cilësinë e gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe Blerim Gashi në cilësinë e zyrtarit policor, kanë kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi”.Për këto akuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020 kishte marrë aktgjykim dënues ndaj tyre, duke shqiptuar dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me 2 mijë euro gjobë, për secilin veç e veç.

Gjykata atyre u kishte shqiptuar edhe dënime plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit. Mirëpo e pakënaqur me dënimin e shqiptuar, PSRK kishte ushtruar ankesë mbi lartësinë e dënimit, me të cilën kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që ndaj tyre të shqiptohen dënime më të ashpra. Por, Gjykata e Apelit të Kosovës më 22 prill 2021, pas ankesës, vendimin e shkallës së parë e kishte anuluar dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimin mbi dënimin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Rafet Ismajlit, gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe Blerim Gashit, zyrtar policor. Sipas aktakuzës, Ismajli në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar. Po ashtu, sipas aktakuzës, i njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që ai të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të 26 korrikut 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet 10 muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërsa sipas prokurorisë, Blerim Gashi, në cilësi të personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë euro me qëllim që ai të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të 26 korrikut 2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në një komunikatë për medie, kishte njoftuar se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, është arrestuar një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor, në mbrëmjen e 26 shtatorit. Kurse, një ditë pas arrestimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin Ismajli. Tani vetë situata kriminale e krijuar në institucionet e drejtësisë, edhe një rast i vetëm i kësaj natyre, për lidhjen e thellë të gjyqësorit dhe të prokurorisë me strukturat e krimit të organizuar, që bëjnë shitblerjen e drejtësisë, duhet të na nxis për të kërkuar akoma më ashpër, për të hetuar dhe zbuluar lidhjet e tilla gjysmë legale kriminale të abuzimit me ligjin dhe të drejtën, pasi që fenomenet e tilla janë të pranishme sidomos në rastet e dosjeve të rënda kriminale, trafikimit me droga dhe aferave milionëshe të korrupsionit, por edhe kontesteve të ndryshme civile mes palëve, duke përfshirë edhe bizneset e pa varura dhe të pa ndikuara nga politika, rastet e të cilave zvarriten, nuk zgjidhen, anashkalohen me vite të tëra nëse nuk nënshtrohen para krimit të nëntokës dhe nuk korruptohen.

Luftimi i krimeve ne institucionet e drejtësisë duhet të jetë shumë më serioz sepse pa institucione të pastërta nga çdo krim, nuk mundë të flasim për funksionim ligjor të institucioneve të drejtësisë, dhe nëse luftohet krimi në këto institucione, edhe ky fakt do të ndikoj në efikasitetin e institucioneve lokale në tërë Kosovën dhe situata e krimit do të filloj të spastrohet dhe për këto zhvillime të luftimit të krimit, edhe ndërkombëtaret do ta kenë parasysh dhe do të na i hapin dyert drejtë BE-së.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".