Prokuroria e super privilegjuar në funksion të avokatisë dhe mbrojtjes së krimit të organizuar!

Prokuroria e super privilegjuar në funksion të avokatisë dhe mbrojtjes së krimit të organizuar!

Gani Qarri

  • 24 February 2022 - 07:46

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Këshilli Prokurorial i Kosovës është një mekanizëm i cili koordinon dhe zhvillon mbikëqyrjen e efikasitetit dhe të punës së 190 prokurorëve në të gjitha nivelet e vendit, nga Prokuroria e shtetit, ajo e Apelit, Prokuroria Speciale etj, për të vazhduar pastaj me rrjetin e 7 Prokurorive Themelore të 7 rajoneve të Republikës së Kosovës, por as pas një viti të kaluar, nuk kemi qoftë edhe një rast të vetëm të “shkëlqimit” të një prokurori që të mbahet mend nga qytetarët e Kosovës, për hetimin dhe zbardhjen e ndonjë afere të madhe korruptive apo të krimit të organizuar.

Pas një viti nga ndryshimet në politikë dhe qeverisjen e vendit, bëhet tepër zhgënjyes dhe shumë dekurajues fakti që edhe qeveria e re e cila erdhi në pushtet me premtime tejet të mëdha, për rend e ligj dhe shtet të së drejtës, si dhe me zotimet për luftimin pa kompromis të korrupsionit e krimit të organizuar, vijon të mbetet në nivel të deklaratave publike. Kjo për vet faktin se, sot e asaj dite nuk po shihet realizimi i premtimeve as në përmasa minimale, e le më të flasim edhe për rezultatet e pritura, madje nuk kemi veprime konkrete as për kërkim të llogaridhënies nga institucionet e zbatimit të rendit e të ligjit, siç nuk kemi kërkim përgjegjësie ligjore nga institucionet e drejtësisë, KPK dhe KGJK, për dështimin e tyre në zbatimin e ligjit dhe të së drejtës juridike e penale në vend.

Prandaj është e pabesueshme, se si guxon të heshtet në këtë mënyrë, përballë situatës së brishtë në sistemin e drejtësisë, ku prokurorët dhe gjyqtarët janë të stimuluar me paga të majme, ndër më të lartat në rajon, por fatkeqësisht puna dhe efikasiteti i tyre në hetim dhe ndjekje të krimit të organizuar është dhe mbetet edhe më tej, në nivelin më të ulët, që lë shumë për të dëshiruar. Këshilli Prokurorial i Kosovës është një mekanizëm i cili koordinon dhe zhvillon mbikëqyrjen e efikasitetit dhe të punës së190 prokurorëve në të gjitha nivelet e vendit, nga Prokuroria e shtetit, ajo e Apelit, Prokuroria Speciale etj, për të vazhduar pastaj me rrjetin e 7 Prokurorive Themelore të 7 rajoneve të Republikës së Kosovës, por as pas një viti të kaluar, nuk kemi qoftë edhe një rast të vetëm të “shkëlqimit” të një prokurori që të mbahet mend nga qytetarët e Kosovës, për hetimin dhe zbardhjen e ndonjë afere të madhe korruptive apo të krimit të organizuar.

Vet argumenti se janë me dhjetëra raste të jakave të bardha që pas spektakleve mediatike zhvlerësohen në heshtje, harrohen apo edhe humbin tërësisht provat, për shkakun se vet prokurorët, për interesa të ngushta, vendosen në pozitën e avokatit mbrojtës dhe jo të zyrtarit ligjor, siç do duhej dhe pritet prej tyre, për ti hetuar dhe ndjekur penalisht autorët e krimit. E gjithë kjo dëshmon se tanimë është momenti vendimtar, që pas një viti heshtje, Qeveri aktuale, nëse vërtetë e ka seriozisht angazhimin në funksion të rivendosjes së rendit e të ligjit dhe reformimit të sistemit të drejtësisë, të kërkojë me ngulëm llogari nga secili zyrtar ligjor dhe të gjitha instancat dhe aktorët e sistemit të drejtësisë për mos zbatim të ligjit, si dhe të fillojë pa vonesë kërkim përgjegjësie dhe të vendosë për shkarkime dhe zëvendësimin e të gjithë zyrtarëve të papërgjegjshëm në Administratë, Prokurori, Gjykata, Polici dhe AKI-, sepse ato që janë premtuar, gjatë fushatës për zbatimin e ligjit dhe luftimit të së keqes duhet zbatuar edhe në praktikë. Kështu që edhe nëse për një vit të plotë,mund të arsyetohet se është analizuar, “incizuar” dhe konstatuar gjendja në vend, tanimë jemi në vitin e dytë të mandatit kur medoemos Qeveria duhet nisur pa asnjë vonesë të mëtejme, veprimet praktike për reformim të njëmendtë, spastrim dhe vlerësim, për të përgatitur terrenin për dekriminalizim dhe realizimin e Ligjit të Vetting-ut, pa të cilin gjendja e rendit dhe ligjit në vend nuk mund të normalizohet si dhe shteti ynë i brishtë, nuk mund të zhvillohet as të ecë përpara.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".